Është shtyrë për ditën e nesërme në orën 12:30 seanca gjyqësore në Apelin e GJKKO, ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Avokatët e Veliajt mësohet se kanë kërkuar të njihen me prova të reja. Në seancën e sotme në nisje gjykata nuk lejoi pjesëmarrjen në seancën të avokatit të tij amerikan Joshua Roberts.

Mbrojtja e Veliajt ka bërë parashtrimet dhe duke këmbëngulur që masa e sigurisë “arrest në burg” duhet të shfuqizohet dhe se kryebashkiakut duhet t’i jepet mundësia të dalë nga paraburgimi. Sipas mbrojtjes, Veliaj nuk ka asnjë rrezik të prishë provat apo t’i dëmtojë ato si dhe as të intimidojë dëshmitarët.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.