To top
28 Jan

Kandidatët që presin qytetarët

Nëse ka diçka që Shkodra nuk ta fal, kjo është qytetaria. Ky qytet, i cili krenohet me qelizat e tij, kërkon përfaqësimin qytetar, pak, por të sigurtë. Nuk ka nevojë t’a thonë sondazhet se çfarë duan qytetarët. Duket se zgjedhjet e qershorit kanë hapur një front lufte, i cili nuk do të mund të lihet kurrsesi pas dore nga partitë; iu vlejnë kutitë e votimit. Me pak fjalë, njerëzit duan standard në përfaqësim.
Demokratët kanë qenë vazhdimisht të përqendruar në gjetjen e emrave për t’i vënë përballë rivalëve të majtë. Bën pjesë në traditën e tyre, në mendësinë që kanë; kësaj here nuk ka për të qenë ndryshe.
Ndryshimi i vetëm është se këto zgjedhje ata i gjejnë në krizë të fortë identeti dhe, mesa duket, kjo do të shpërqëndrojë jo pak përkrahësit e emrave të rinj e të vjetër demokratë. Ndërsa të tjerët, ata të pavendosurit, do të kenë përballë një propozim blu me më pak siguri në vetvete.
Pra, emri nuk mjaftoka më. Këto zgjedhje për selinë blu mund të kthehen në një reflektim interesant edhe për Shkodrën, që i ka përkëdhelur prej kohësh emrat ‘in’ të saj. Kur komenton për kandidatët, Shkodra preferon shpesh të nënvizojë prejardhjen qytetare dhe me këtë nuk para bën kompromis.
Kësaj here nuk ka për të qenë ndryshe. Nëse do të filloja të krijoja një portret vlerash, por do të ndalesha tek ajo, që duhet të ketë kandidatja/kandidati: a) aftësinë; b) kulturën; c) mbiemër që për veshët e qytetarit merr konotacion vlerash pozitive. Njerëzit ndalen mjaft për të menduar tek të treja këto cilësi, që janë vetëm të parat.
Veriu është një prej zonave që i paguan më pak taksa shtetit. Kjo, sepse administrimi i parave të taksapaguesve ka qenë ‘ah medet’ deri tani dhe paaftësia e korrupsioni i administratës galopant. Për këtë, qytetarët e shikojnë me mëdyshje këdo që merr në dorë çështjen e menaxhimit të parave prej xhepave të taksapaguesve. Shkodra nuk është fort e thjeshtë për t’u kënaqur. Çelësi i suksesit do të ishte një administrator i mire, po aq sa një politikan dinjitoz, por ky kombinim nuk është fort i shpeshtë.
Qyteti, skeptik nga natyra e tij dhe perfeksionist në shije, në zgjedhjet e kaluara i ka parë me simpati biznesmenët. Ende herët të zbehet ky trend.
Në këto zgjedhje, qyteti vë në prove, për herë të parë, për forca politike, mentalitetin e përzgjedhjes dhe ata që kanë premtime për të mbajtur e dinë. Sidoqoftë, nuk ka për të patur një rast të dytë si këto zgjedhje lokale, për të kënaqur nevojat për zhvillim qytetar.
Konfiguracioni politik shpesh herë ka qenë i dështuar dhe strategjitë e suksesit të kandidatëve janë bërë mbi baza klanore dhe farefisnore. Aspak gjithpërfshirëse në stil, duke bërë që politika e të fortit të gjunjëzojë, jo vetëm vlerat e qytetit, por të rrisë dhe pesimizmin e njerëzve për të ardhmen. E gjitha kjo ka imponuar dobësimin e integritetit të intelektualëve dhe ka rritur arrogancën e të zgjedhurve, në vend të përulësisë ndaj qytetarit. Deri diku denigrues dhe me figurën e femrës. Arsye më të fortë se kaq për një ndryshim nuk arrij të gjej.
Mbase ka ardhur koha, më shumë se kurrë, të kemi një garë dinjitoze këtë herë. Për Europën do të ishte një provë shumë e mirë emancipimi, por unë besoj se e ardhmja jonë është një arsye më e fortë se Europa sot.
Doriana Metollari administratore e “Hermes Nwes”