Kryeministri i Britanisë Boris Johnson ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen mesditën e sotme.
Një akt i tillë është paralajmëruar në mëngjes, pas dorëheqjes së një numri të lartë të ministrave dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit qeverisës.
Johnson tha se është krenar për atë që ka bërë, megjithatë shtoi se askush nuk është i pazëvendësueshëm në politikë.
“Është i qartë tani vullneti i partisë parlamentare Konservatore që të ketë një udhëheqës të ri të asaj partie dhe për rrjedhojë një kryeministër të ri.
Të jesh kryeministër është një “shkollë” më vete. Kam udhëtuar në çdo pjesë të Britanisë së Madhe dhe kam gjetur kaq shumë njerëz që zotërojnë një origjinalitet të tillë të pakufishëm britanik dhe janë kaq të gatshëm për të trajtuar problemet e vjetra në mënyra të reja.
Edhe nëse gjërat ndonjëherë mund të duken të errëta tani, e ardhmja jonë së bashku është e artë”, tha Johnson.
Johnson u duartrokit pas përfundimit të konferencës.