Në Dhomat e Specializuara në Hagë nisi këtë të hënë gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniq.
“E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”, tha Thaçi.
“E kuptoj. Po gjithsesi e shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë dy vjeçare e gjysmë, megjithatë ju falenderoj. Tërësisht i pafajshëm”, tha Veseli.
“E kuptoj. Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi.
“Unë e kam të vështirë që ta kuptoj akuzën dhe mënyrën si është përpiluar kjo akuzë. Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjërën nga pikat që i lexoi prokurorja para pak kohe. Akuzën e kuptoj kështu siç është, por nuk pajtohem me të pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza. Jam tërësisht i pafajshëm”, tha Krasniqi.
Ndërkohë qindra qytetarë nga Kosova dhe diaspora janë mbledhur më sheshin ‘Laan van Reagan en Gorbatsjov’ në Hagë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Sheshi ndodhet rreth 3 kilometra larg Gjykatës Speciale të Kosovës. Në mesin e protestuesve ka edhe pjesëtarë të diasporës nga Gjermania, Kroacia e Zvicra.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsej 10 akuza.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej Marsit të vitit 1998 deri në Shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.