Java e Inovacionit 2016, e organizuar nga Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike është çelur sot paradite me ceremoninë e hapjes së Innovation Hub, e para qendër publike e inovacionit në vendin tonë. Në aktivitetin e zhvilluar me këtë rast kanë marrë Kryeministri Edi Rama, ministrja Milena Harito dhe ambasadori Italian në Tiranë Alberto Cutillo.
“Është shumë e rëndësishme kjo që bëjmë sot, për të krijuar një mundësi konkrete përmes një hapësirë që i vihet në dispozicion inovatorëve. Një hapësirë fizike, por dhe një hapësirë mundësish dhe mbështetjeje nga ana jonë, për të krijuar kushte që në këtë hapësirë të punohet pa orar dhe të mund të shkohet përtej dijeve që kemi sot dhe instrumenteve që disponojmë sot. Është një praktikë e njohur në rajon dhe një praktikë që ka rezultuar mjaft e efektshme. Për ne është një praktikë e re, por jam i bindur se do të jetë po ashtu mjaft e efektshme”, është shprehur kryeministri Rama në fjalën e tij.
Nga ana e saj ministrja Harito ka theksuar se kjo hapësirë u dedikohet tërësisht të rinjve, sepse Shqipëria është innovative dhe të rinjtë kanë nevojë të mbështeten dhe stimulohen në këtë drejtim. “Shoqëria jonë është shumë innovative dhe në këto tre vite që unë kam pasur fatin të jem në këtë detyrë kam njohur pafundësisht të rinj dinamikë, inovativë , të cilët kanë krijuar gjëra me shumë pak mjete, me shumë pak mundësi dhe që të cilët ne mendojmë se duhet ti mbështesim, në mënyrë që në vitet që vijnë të krijojnë histori suksesi”, ka thënë Harito.
Duke folur për mënyrën se si do të funksionojë Innovation Hub, ministrja ka theksuar: “Të rinjtë që do të përzgjidhen për të punuar në këtë hapësirë, do të ndihmohen me mjete financiare edhe me përvojën e ekspertëve të fushave të ndryshme, më synimin që brenda dy vjetësh të arrijnë të krijojnë histori suksesi dhe të shiten në tregun botëror sepse tregu dixhital është një treg botëror”.
Ndërsa ambasadori Italian vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me qeverinë Shqiptare në realizimin e një sërë projektesh të rëndësishme, siç është edhe projekti i Inovation Hub, ndërkohë që ka lajmëruare se brenda pak ditësh do të prezantohet edhe një tjetër listë me projekte të përbashkëta të financuara nga qeveria italiane.
Innovation Hub është qendra e parë publike e Inovacionit në Shqipëri me perspektivën për t’u shndërruar në një qendër shkëmbimi rajonal. Qendër do të ofrojë sipërfaqe të përshtatshme për krijimin e hapësirave open-space, për të rinj me ide inovative që duan ti zhvillojnë dhe kthejnë në biznese të suksesshme.
Të rinjve do t’u sigurohet trajnim, përmes mentorëve të fushave të ndryshme, financim përmes projekteve dhe ndjekje të aktivitetit sipërmarrës. Kjo hapësirë do të akomodojë start-up-e të ndryshme në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit si dhe do të sigurojë për të gjithë të rinjtë e interesuar informacion lidhur me ekosistemin rajonal, mundësitë për të aplikuar për projekte të ndryshme apo edhe për të bashkëpunuar me të rinj apo startup-e në rajon.
Innovation Hub ka një sipërfaqe prej 900 metrash katrore dhe siguron hapësirë dhe mjete pune për 150 të rinj. Ajo është ndërtuar në formën e një qendre rinore më hapësira të përshtatshme për studim, punë por edhe çlodhje.