Nga Klodi Meshi
Në kohët aktuale librat më së shumti na argëtojnë ose vijnë sipas një gjuhe tejet të thjeshtë e cila nuk provokon mendim të ri ose përmirësim. Sigurisht që nuk pritej të na argëtonte libri i një Ipeshkvi, por ’Bisedoj me miqtë e mi’, i Monsinjor George Frendo, Ipeshkv i Dioqezës Tiranë-Durrës, bën pjesë në tekstet që na mësojnë, për ne është fat të shkruajë në gjuhën tonë e të njohë kaq mirë realitetin shqiptar një klerik katolik i këtij niveli, i shuguruar prift para 52 vjetësh në Maltë, ai ka studiuar në Universitet më të mira të Europës, si pjesë e urdhërit Domenikan, por Mons. Frendo është edhe baritor, me një përkushtim të vërtetë e gjithnjë pranë të varfërve. Nëse jetojmë në kohë konsumi, pra interesash, atëherë është e sigurt se ky libër nuk është vetëm shumë interesant, por më shumë se kaq, na mëson pra na intereson. Frendo në librin e tij, dëftohet një biblist i shkëlqyer, ai duke iu referuar, Shën Agostinit, Henri de Lubac, Papa Ratzinger, Shën Nëna Tereza, Shën Toma i Akuinit, Dostoevsky, Nietzsche-s etj, komenton Shkrimin e Shenjtë si pjesë e mësimit të jetës po ashtu edhe kulturës e cila nuk mund të jetë jashtë besimit, ndryshe nuk është e tillë, por duhet gjetur një emër tjetër, fetishizëm, me gjasë. Ai e thotë shumë qartë e fort, ‘të jesh është thelbi e jo të kesh’. Qenia është e panegociueshme, vjen drejtëpërsëdrejti prej të Tejlartit.
Zotëria Jezus
Zotëria Jezus, nuk bëri kompromise, i dha të drejta njerëzve të shtypur ose siç u pëlqente t’i quanin ato kohë në shoqërinë palestineze, masave, të cilat i mësoi të jetojnë në paqe, i shëroi, i dha jetë. Ai u përplas fort me farizenjtë të cilët meqenëse nuk e përdorën dot kundër romakëve, duke e ditur kush ishte, për cmirë e xhelozi ndaj tij por jo vetëm, nën justifikim e dobësisë së Pilatit, e vunë në kryq në vend të një krimineli. Ai u kujtoi farizenjve se nuk e zbatonin as ligjin e Moisiut, të cilin e mbanin aq shumë në gojë. Në këtë pikë mons. Frendo citon shën Palin, të cilin e ka cilësuar njeri të ditur. “Pali këmbëngul se ‘Krishti më ka liruar nga ligji, i cili ishte rast mëkati’”. Sauli që u bë Paul, Pal, u ndriçua nga figura e Jezusit, të cilin me aq zell e përndoqi, por veten pasi mori Shpirtin Shenjt, e cilësoi ‘dështak’, dëshmoi Ungjillin pas ikjes së Jezusit në Mbretërinë e tij qiellore…
Kjo është fabula modeste e Emanuelit, biri i një zdrukthtari nga fshati, jo shumë i mirënjohur, Nazaret, i cili e shpalli veten mbret, por jo i kësaj bote. Para alternativës për të shpëtuar, për të fundit herë, para Pilatit, i rrahur, i dëmtuar në trup e fytyrë, me kurorë ferrash në kokë, i zhveshur, në shpallje të vullnetit të Hyjit, në kontrast ekstrem me mënyrat e tyre, ai u përgjigj sërish njësoj në paqen e tij të shenjtë: ‘Mbretëria ime nuk është e kësaj bote!’
Të flasësh për librin e një ipeshkvi të Kishës Katolike, emëruar si i tillë nga Papa i shquar, Benedikti XVI, nuk është e thjeshtë, fare e thjeshtë! Është shumë interesant fakti që sintezat, analizat e përfundimet e vetë mons. Frendos, mbesin më të nënvizuarat, pasi pikë reference ka docentët e Kishës Katolike, Shkrimin e Shenjtë, laikët domethënës, por ai nuk ngurron t’i vërë dijet në kontekstet e situatave reale në Shqipërinë e varfër me njerëz jo të lirë, pas një terrori komunist, por me shpirt e traditë të bukur, mikpritje të rrallë e tipare europiane, si pjesë e kapacitetit dhe eksperiencës së jetës së tij .
Frendo insiston në vlefshmërinë e besimit për jetën tonë të përditshme, ai duke e parë figurën e zotërisë Jezus si një nga ne, thotë: ‘Dobësia e njeriut në çastin e vdekjes së vet është një shenjë se njeriu nuk mund të bëjë asgjë para vdekjes, por edhe se askush nuk mund të shpëtojë nga ajo situatë. Jezusi e pranoi këtë situatë, Qengji i pafajshëm pranoi vdekjen si shprehje e mëkatit të njeriut’. Në këtë plan, mons. Frendo e tregon Jezusin si pjesë të jetës së tij publike, ai thotë: ‘Jezusi i është kushtuar njerëzve, por u përball me një opozitë të fortë, që e çoi në vdekje’. Vënien në kryq të Jezusit dhe shpëtimin e kriminelit, mons. Frendo e vlerëson si turpin më të madh të njerëzimit. Kur Pons Pilati, një profil intektuali vendosi t’a lironte Jezusin duke i dhënë popullit të drejtën e vendimarrjes pra demokraci, e shmangur kështu farizenjtë të cilët i njihte mirë, ata ulëritën: ‘në Kryq’. Për këtë arsye ai duhet t’i jetë kthyer në kërkesën e tij pesë herë popullit. Duam Bajrabën të lirë e jo atë që na mëson, jo atë që na largon nga mëkati. Pse? Bajraba kriminel mund t’u duhej i lirë? Kjo duket të jetë pyetja më e vështirë edhe sot për njerëzimin historia e të cilit rrotullohet rreth Jezusit të Nazaretit deri në fund. Me sa kuptohet nga ‘Bisedoj me miqtë e mi’ por jo vetëm, është se farizenjve nuk u interesonte lirimi i ‘ Jezusi Mbreti i Judenjve’, të cilën ua la të shkruar Pilati pas kryqit, si t’i kishte paraprirë Roger Scrutonit në shprehjen e tij ‘Hakmarrja është e Zotit!’.
Mons. Frendo e ka përmendur disa herë se populli, i manipuluar apo jo, kishte pritur prej tij t’i lironte nga romakët e jo nga mëkati. Vetë Jezusi kishte shpjeguar se mbretëria e tij nuk është e kësaj bote. Vetë ai u kishte thënë se edhe feja e tij ishte për barbarët pra të huajt e jo për judenjtë, Shën Mateo na e thotë këtë, por ata nuk deshën t’ia dinë, duket që ishte e rëndësishme që taksat të mos i mblidhte Pilati i cili e nënçmonte atë komunitet, por vetë ata, pra farizenjtë. Pons Pilati, e pagoi ‘larjen e duarve’! Në një farsë, të re, ai u akuzua si sabotues i një ujsjellësi në zonë, duke u përballur me gjyqin e farizenjve. Kam lexuar që vdekja e tij qe e dhimbshme.
Dishepullati
Apostulli më i rëndësishëm, Pjetri, pranoi t’a ndiqte Jezusin për interes, zuri më shumë peshq e kështu që ai do t’i sillte fat në të ardhmen. Kjo ishte thirrja e parë e Jezusit. Herën e dytë kur u ngjall prej së vdekuri, pasi e pyeti tre herë, elementi tre, trinia e shenjtë në jetën e Jezusit është theksi: ‘Pjetër a më do ti mua?’, Atëherë besoi te fjala e Pjetrit, i lejoi të kulloste delet e tij, pra njerëzit e tij, kishën e tij, për të cilët kishte deklaruar: ‘Çdo gjë që iu bëni këtyre të vegjëlve të mi, ma keni bërë mua’, akt prej mbinjeriu, do të thoshte filozofi Nietzsche. Pra Jezusi e shpalli Pjetrin kryeapostull. Gjoni thotë se ky është edhe momenti kur Jezusi e paralajmëroi Pjetrin për vdekjen e tij, në kryq. Pjetri vdes si apostull pasi mori përsipër shpërndarjen e Ungjillit. Mons. Frendo qëmton se apostullati pa dishepullatin është një ‘farsë e shëmtuar’.
Të mendosh se jo vetëm Pjetri pas Jezusit vdiq në kryq, por pothuaj të gjithë ata, apostujt e tij e të tjerë në kohë të ndryshme, e megjithatë kryqi vazhdon të ndiqet, nëse ai pranoi kryqin edhe ne e pranojmë, nëse ishte fitore për të do të jetë edhe për ne, të vegjëlit e tij.
Elementi Kryq
Debati për kryqin si simbol, ka qenë i fortë e i gjatë. Papa Ratzinger në përgjigje të akuzuesve të kryqit si element krudel, ndëshkues ka shpjeguar se Jezusi si çdo gjë tjetër që ka prekur e jetuar, ka bekuar edhe kryqin të cilin e pranoi si vullnet të Atit, jo të ndëshkuesve që patën kulmin e dështimit të tyre në kryqin e Krishtit. Në kryq ai mori në parajsë kriminelin që e luti nga kryqi i tij, ‘Për të vërtetë po të them që do të jesh me mua në parajsë’, u ndje keq, mbase provoi pështirë për injorancën e egër, duke i parë ata të pamend, ‘…s’dinë ç’bëjnë’, por i fali sigurisht, i tillë ishte momenti.
Pjetri është ndër figurat më të theksuara të Frendos, në libër, ai e pohon që Pjetri ishte i pashkolluar por guri i Kishës, i zgjedhur prej zotërisë Jezus. Në letrat e tij kryeapostulli, ndan shumë qartë gjendjen e mëkatit që duhet mbajtur larg nga besimi i pastër e i mirëfilltë. I drejtëpërdrejtë shkëmbi Pjetër, ai ishte me të në Malin Tabor, ai nxorri shpatën për t’a mbrojtur kur ushtarët erdhën t’a merrnin, ai nuk e pranonte vdekjen e zotërisë së tij megjithëse nuk e kuptonte komplet. Pas terrorit që u përhap Pjetri e mohoi zotërinë, ai mbetet simboli i tundimit të njeriut të thjeshtë, por që në fund mbajti peshën e Kishës. ‘Si të mos e shpërndajmë Ungjillin, ne e kemi dëgjuar e parë të bëjë mrekulli, kemi ngrënë me të’, është një ndër dëshmitë e Pjetrit i cili predikoi kudo, edhe në Ilirinë tonë. Studiuesi Danile Farlati thotë se ka qenë Pjetri që ka ardhur më parë te ne në Iliri, duke prezantuar me gjasë Shën Çezarin, një ndër 72 nxënësit e Jezusit, Ipeshkvin e parë të Durrësit, aso kohe pjesë e njësisë administrative të Maqedonisë.
…
Jezusi dhe të shëlbuarit
Sigurisht mons. Frendo e shqyrton me shumë rëndësi në të dyja dimensionet, njerëzore dhe divine, Emanuelin, ‘Zoti me Ne’, nxënësit e thirrën Jezus, ‘Pastërti e thellë’. Fakti që Jezusi në besimin katolik theksohet i ringjallur, do të thotë që theksohet natyra e tij divine, ai erdhi prej Hyjit, pa mëkat, pasazh të cilin mons. Frendo e ka shtjelluar gjatë dhe me një përkushtim prekës. Imzot Frend i ka shqyrtuar të gjitha shtresat shoqërore që patën të bëjnë me Jezusin. Marrëdhënia me gratë është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri. Ai na mëson se e shumëpërfolura Maria Magdalena, gruaja që ai çliroi nga 7 djajtë që mbante në trup, e ndoqi Jezusin deri në kryq e më pas. Nëna e tij Maria, e panjollosur në tërë jetën e saj ka patjetër rolin e mbretëreshës, por në disa momente është shfaqur në jetën tokësore të birit të saj. Vajtimi rrënqethës i Marias për djalin është emocion i fortë, por jo dhembje e rëndomtë. ‘Qe grua djali yt!’, i dëftoi i ndrituri, Gjonin për të mos e lënë vetëm nënën e tij. Kënga e armiqve kur ai vuante në kryq, pjesë e skenës mashtruese të ngritur prej tyre, kjo është dhembja e vërtetë, vdekja. Në të gjitha shoqëritë e prapambetura, gruaja nuk kishte një vend të nderuar në shoqëri e familje. Jezusi gruan e mori në mbrojtje, por siç ishte ai i drejtë e vuri atë para një përgjegjësie reale për veprimet e saj. Kur vuante në udhën e turpit për në Goglotë, iu kthye grave që vajtonin ‘Mos qani vuajtjet e mia, por mëkatat tuaja o gra’. Prej këtyre grave ishte edhe Veronika, që i fshiu atij fytyrën e bukur, Shën Mateu thotë, ‘Më i bukuri ndër bijtë e njerëzve’, të prishur nga torturat e të paudhëve. Do të kujtohet gjithnjë guximtarja, shenjëtorja Veronika, ashtu si edhe Samaritania e ujit të pusit, gruaja që zbutet nga zotëria Jezus.
Frendo, pasi shpjegon disa nga mrekullitë e Jezusit, Shën Gjoni thotë : ‘ Të gjitha mrekullitë e tij nuk do t’i përmbanin dot librat’, bën një klasifikim hipotetik shumë interesant, lidhur me kategoritë që e presin dhe ato që nuk e presin Jezusin në ardhjen e tij të dytë, këtë herë pa kryq.
Kush e pret Jezusin
Fëmijët, ata gjithnjë brohorasin ‘Qoftë lëvduar Jezu Krishti’.
Ish të burgosurit nga padrejtësia,
Ata që shpesh i damskosin me ‘mistrecët’ ata që e dinë se duhet të pajtohen me Hyjin.
Të sfiliturit, të mënjanuarit, të varfërit, viktimat.
Kush nuk e pret Jezusin
Avokati: Ka folur në këtë botë kundër mësuesve të ligjit.
Tregtarët: Shtoi ujin me verë më të mirë sesa tregu.
Bukëpjekësit: Shumoi 2 bukë për 5 mijë vetë.
Mjeku: Ky ka shëruar falas
Gazetarët: Mësonte se duhet të shpallim gjithnjë të vërtetën, s’ka skupe.
Njerëzit e Diplomacisë: Ky ka urdhëruar po ose jo.
Mons. George Frendo dhe shqiptarët
Monsinjor George Frendo ka një raport të afërt me Shqipërinë dhe shqiptarët. Prej disa vitesh shtetas shqiptar, por prej shumë vitesh i pranishëm në vendin tonë si meshtar e në funksione të nderuara të kishës katolike, ai ka treguar se çmon vlerat e këtij vendi si përpjekjet për t’u përmirësuar, por monsinjori nuk është indiferent ndaj padrejtësive që vendasit pësojnë. Ai përgëzon por edhe bën përgjegjës qeveritë për varfërinë e shqiptarëve. Mons. Frendo ka hyrë në dialog, në distancë, edhe me personazhe që kontributin e Kishës Katolike në Shqipëri nuk e çmojnë, përkundrazi. Eventualisht donte të thoshte ndër të tjera, që të mos mohohen shtëpitë e ngritura, bursat e studimit, buka që vetë Frendo u jep çdo ditë si kontribut personal dhe miqve të tij maltezë të varfërve shqiptarë, vecc besimit. Gazetarit Ben Blushi, i shqetësuar prej konkluzioneve të tij që ‘Kisha nuk duhet’, pasi nuk i ka zgjatur jetën njerëzve, pse kisha merret me punët e pas vdekjes e të tilla nga këto, mons. Frendo i është përgjigjur me argumente konkrete, duke përfshirë edhe Karl Marksin, ka dashur ta konsiderojë vërtet gazetarin, me të famshmen batutë: ‘Feja është opium i popullit’. Ndër të tjera mons. Frendo e sheh Marksin si njeri me probleme me veten, por edhe me mungesa dijeje në këtë fushë: ‘Nëse do të kishte lexuar librin e profetit Amos, Ungjillin e Mateut, Letrën e Jakobit, do ta kishin bërë Marksin më të djeshëm’, thotë Frendo i cili asesi nuk e pranon edhe në rastin më të keq që feja katolike të krahasohet me opium.
Por ishte Lenini ai që shkroi se: ‘Çdo njeri duhet të jetë i lirë të përqafojë atë fe që do…’. ‘Me këtë pohim Enver Hoxha’, thotë mons. Frendo ‘Nuk ka ndjekur as Lenin, me të cilin mburrej. Hoxha u mbyll hermetikisht jo vetëm ndaj botës perëndimore por edhe ndaj vetë mendimit komunist’, triumfon Frendo duke e nënvizuar disa herë urrejtjen e Enver Hoxhës ndaj feve por veçanërisht ndaj katolikëve. Ai e citon në libër Hoxhën me terma dhe fjalorin që ai kishte të tijin si p.sh. “…Katolikët janë helm për shoqërinë, agjentë të dyfishtë, pa atdhe”. Duke kujtuar 38 martirët që u masakruan nga ‘shokët e shokut Enver’, fotot e të cilëve mbushën Bulevardin Dëshmorët e Kombit për ditën e vizitës së Papa Francesco-s në Shqipëri.
“Bodo Hombach, në 1 fjalim të mbajtur në Budapest 1 vit pas konfliktit me Kosovën ka pohuar: ‘Besimi mishëron vlera të gjithëmbarshme, të cilat, nëse i shpreh siç duhet do të ndihmojnë të prodhojnë një gjendje krejt në kundërshtim me tmerret të cilat kemi përjetuar”. Pak muaj pas luftës së Kosovës, ai kishte pohuar ‘…njerëz cinikë e të pangopur e kanë instrumentalizuar fenë për të ndihmuar përhapjen e flakëve të konfliktit, me qëllim që të arrinin qëllimet e tyre brutale e disi ekonomike’. Mons. Frendo i kujton shqiptarëve se pas heroit Gjergj Kastrioti, është shënjtorja Nëna Terezë, figura më e ndritur e këtij populli. ‘S’do ta bëja punën që po bën ti as për një milionë dollarë’, ishte reagimi i një vizitori amerikan, kur e pa të lante plagët e një të gërbuluri. Përgjigja qe ishte: ‘As unë!’
‘Feja e saj e bindi që tek çdo njeri ka një dinjitet të pazëvendëshueshëm’, thotë mons. Frendo. Ave Nënë Tereza!
Nuk mungon në ‘Bisedoj me miqtë e mi’ edhe toleranca fetare në Shqipëri, ipeshkvi ka përmendur konstatimet e dy ish-Presidentëve Sali Berisha dhe Alfred Moisiu lidhur me ‘unike e popullit tonë’ si dhe shpresën për ringjalljen e vendit edhe përmes besimit pas diktatutës, të Presidentit Rexhep Meidani.
Një pjesë e rëndësishme e historisë sonë me besimin katolik është vizita e Papa Gjon Palit të II në Shqipëri në vitin 1993, i cili puthi tokën martire të shqiptarëve. Nuk mund të mos nënvizohet roli i Papa Gjon Palit të II në rrëzimin e komunizmit. ‘Njeriu pa Zotin ndërton shkatërrimin e tij’, Papa Pali VI
Jezusi pas Kryqit
Zotëria Jezus ishte nisur për në Jeruzalem, nuk u la të hynte përsëri aty, u dënua. Në ngjallje ai nxënësit e tij do t’i takojë në Galile këtë herë. Jezusi e refuzon Jeruzalemin. Të gjithë ata që shkuan te varri dyshuan, veç Gjonit, e pa dhe besoi ngjalljen e tij. Ai që jetoi në brigjet Jon (Gjon) do të jetonte së bashku me Nënën Mari deri në fund të ditëve të tij ose të ardhjes së dytë të Jezusit. Në mendimin tim ndër vlerat e librit të mons. Frendos është edhe vërtetësia që ai i jep figurës së Zotit Jezus, i drejtë, i dashur dhe serioz, i rreptë me mëkatarët i butë me të përvuajturit, por jo jashtë figurës së tij divine. Është e rëndësishme t’a konceptojmë Zotërinë Jezus ashtu siç është jo një figurë e zakonshme me defekte e pasoja mëkatesh. Ai ishte perfekt në gjithçka, siç meriton Biri shpirtëror i Hyjit. Jezusi e ndryshoi botën në tre vjet!
‘Bisedoj me miqtë e mi’, është një libër që përjashton sipërmarrjen tregtare si pjesë e besimit, si në rastin e ‘Kodi i Da Vinçit’, ose ndonjë në shqip, por duke e vlerësuar arritje Koncilin e Dytë të Vatikanit, kaq të diskutuar edhe sot, i cili pranoi autonominë relative të shkencave natyrore dhe shoqërore.
…
Eukaristia
Eukaristia është përgjegjësia absolute e Kishës. E themeloi Jezusi në darkën e fundit, pak orë para se t’a merrnin. Është testamenti i tij, para eksperiencës së kryqit ku për herë të parë pësoi e mbase kuptoi peshën e rëndë të mëkatit, për herë të parë i kërkoi Atit diçka për vete. ‘Ma hiq këtë kryq o Atë…por u bëftë vullneti Jot’.
Monsinjor Frendo, Eukaristinë e sheh si sakramentin e bashkimit të kishës, sakrament dhe shkak ‘Sepse duke treguar diçka e shkakton, pra shkakton atë çfarë tregon’, pra shkakton mesazhin e Jezusit në tërësinë e tij, gjithçka që realizoi ua kujtoi në darkën e fundit për t’i thirrur në inteligjencë, duke i mbajtur bashkë në eukaristi. Pjesë e rëndësishme e darkës eukaristike, është tradhëtari, Judë, i cili para aktit që do të kryente, ngjyente bukën në të njejtën enë me të pak më vonë do ta puthte, në shenjë ekskluzive të tradhëtisë. Në të vërtetë tradhëtia është hakmarrje, ajo vjen e ftohtë, pra e menduar mirë. Jezusi e artikuloi se dikush prej tyre do të t’a tradhëtonte madje e nxiti Judën të shkonte të mbaronte punën që kishte nisur. Dilemën e zgjidh shën Gjoni, përmend Frendo i cili thotë ‘ I kishte ardhur koha të shkonte tek Ati’. ‘ Të ulesh në gjunjë para Eukaristisë është profesion lirie…’, thotë Papa Ratzinger.
Frendo duke iu referuar kontekstit thotë se në shoqërinë palestinese në kohën e Jezusit, elementet e përdorur buka dhe vera të ndara me të tjerët ‘ fitojnë një domethënie thellësisht komunitare’. Pra me ‘Zotin e Jezusit’, ka dashur ta absolutizojë duke i dhënë rëndësinë e duhur, Papa Ratzinger i cili e shpjegon nën dritën e pafundme të dashurisë. ‘Dëshmia e Dashurisë së Krishtit nëpërmjet veprave të drejtësisë, paqes dhe zhvillimit, bën pjesë në ungjillëzim’, arsyeton ai. Ndërsa Papa Francesko ka këtë logjikë: ‘ Eukaristia na jep kurajon të dalim nga vetja e të përulemi me dashuri drejt personit tjetër, siç bën Zoti me ne’. Frendo duke na mësuar, përmes librit të tij, shpesh thekson përvujtërinë por jo naivitetin. Jezusi tha ‘…të jeni të zgjuar si gjarpri…’ Shën Pjetri në Letrat e tij ka theksuar vigjilencën për të mos rënë në grackën e tyre, të mohuesve ‘…por të rriteni në hirin e Zotit e tonë’.
Kur Marias iu dëftua se Zoti e kishte zgjedhur, por kryeëngjëlli i kërkoi leje nëse pranon ajo, Maria arsyetoi duke shpjeguar jetën e saj. Është prekëse të mësosh se i Tejlarti i ka kërkuar kësaj vajze rreth të pesëmbëdhjetave leje, duke respektuar lirinë dhe dinjitetin që vetë Ai ia ka dhuruar. ‘U bëftë me mua vullneti i Zotit’, qe përgjigja e Marias e cila në liri zgjodhi të ndjekë vullnetin e Zotit për të sjellë në jetë shëlbuesin. Nuk e ndeshim askund tjetër kaq hapur një komunikim kaq të afërt. Maria shfaqet e rëndësishme për Hyjin, ajo gjithnjë është këshilluar, ajo është gruaja e përzgjedhur prej Tij, ‘Maria mos ji e përulur por shpirtmirë’!