To top
4 Dhj

Historia e një mitomaniaku

 

Nga: Dr. Klaudia Stajka*

… E gjithë historia fillon nga këtu. A ju ka rastisur ndonjëherë të bisedoni me dikë që ju le përshtypjen se jeton në një botë ireale dhe gjithcka thotë duket e pavërtetë apo e ekzagjeruar? A keni pasur ndonjëherë të bëni me dikë që duket i mistershëm dhe asgjë nga çfarë thotë të jetë e prekshme apo e parë? Nëse po, atëherë me siguri ju keni pasur të bëni me një sociopat, narcist ose mitomaniak.

I ndjeri José Saramago, i shpërblyer me Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1998, dikur ka thënë: “Njerëzimi ka kaluar në epoka të ndryshme, duke filluar nga ajo e Gurit, e Bronzit dhe deri më sot në epokën e gënjeshtrës. Ditët e sotme gënjeshtra është bërë një zakon, traditë apo më saktë kulturë.” Duke cituar fjalët e shkrimtarit portugez, kjo thënie artistike, sot më bën të mendohem seriozisht. Dikush që sajon, gënjen dhe priret të ekzagjerojë realitetin në mënyrë kronike njihet nga shkenca me emrin mitomaniak.

Mitomania ose ndryshe gënjeshtra patologjike apo kompulsive përshkruan një gjendje në të cilën individi gënjen, shtrembëron të vërtetën pa arsye dhe në mënyrë të vazhdueshme. Në të shumtën e rasteve, autori beson edhe vetë çfarë thotë, ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e të tjerëve, të admirohet, kërkon dhembshuri, ngushëllim, keqardhje. Me fjalë të tjera kërkon interesimin e tyre dhe shpesh karakterizohet nga vetëvlerësim i ulët dhe ndjenja inferioriteti. E njohur edhe me termin pseudologjia fantastike, mitomania, nuk është një çrregullim pa pasoja. Përkundrazi, ajo ka një sërë efektesh në nivele të ndryshme. Në shoqëri, një mitomaniak fillon të humbasë besueshmërinë dhe klasifikohet si “gënjeshtar ose trillues”; Në shtëpi shihet si dikush që është i pasigurt; Në aspektin e miqësisë, miqtë priren të distancohen ose personi në fjalë përfundon duke u izoluar nga grupi.

Si fillim është e rëndësishme të dallojmë mitomaninë nga format e tjera të gënjeshtrës. Gënjeshtra është deri diku një veprim normal sot, i zakonshëm dhe shumë i përhapur në shoqëri. Njerëzit shpesh bëjnë deklarata të rreme, por me vetëdije dhe për arsye të mira: për të mbrojtur të tjerët, për të mbrojtur veten, për të shmangur problemet, për të integruar një grup social, për të evituar lëndimin e ndjenjave të dikujt (“gënjeshtra e bardhë”) etj. Nga ana tjetër, ajo që e bën mitomaninë një patologji mendore është fakti se pacienti humbet gjykimin personal, qëndron gjatë gjithë kohës duke shtrembëruar realitetin dhe përfundon në një botë tërësisht fantastike. Gënjeshtra kthehet në mani, në kërkesë të papërmbajtshme që askush nuk mund ta kontrollojë; pra nuk është thjesht një zakon, ndaj ka nevojë për terapi si çdo sëmundje tjetër mendore. Profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të dallojnë nëse gënjeshtrat e shpeshta të kryera nga pacienti nuk po fshehin një tjetër patologji psikiatrike. Gënjeshtra në fakt mund të jetë simptomë e një çrregullimi tjetër dhe karakteristikë e përbashkët e disa sëmundjeve mendore, si: personaliteti kufitar, personaliteti narcisist, skizofrenia, etj.

Diagnoza nga specialistët e shëndetit është e vështirë. Kjo për shkak se mitomania nuk është ende e njohur si një çrregullim i mirëfilltë mendor në DSM (Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders); është shumë e vështirë për profesionistët të shquajnë nëse pacienti i tyre po tregon të vërtetën dhe po kështu është edhe aplikimi i testeve psikologjike meqenëse pacienti është i aftë mendërisht të devijojë rezultatin e tij real. Megjithatë, ekzistojnë disa karakteristika tipike të gënjeshtarëve kompulsivë: Historitë që ata tregojnë janë fantastike, por kurrë nuk janë tërësisht të shkëputura nga realiteti; Ata nuk kanë shfaqje të iluzionit si në psikozë; Gënjeshtra është kronike dhe nuk është e provokuar nga ndonjë shkak i jashtëm; Gënjeshtarët patologjikë nuk e shohin gënjeshtrën si një problem. Është diçka e pakontrollueshme dhe ata janë krejtësisht të varur nga ajo. Këta njerëz dëshirojnë që gënjeshtrat e thëna të bëhen jeta e tyre e vërtetë, prandaj futen në “rol” dhe krijojnë një jetë të dyfishtë.

Nga hulumtimet e fundit është dalë në përfundim se këta persona kanë më pak lëndë gri (përgjegjëse për përpunimin e informacionit) dhe më shumë materie të bardha (transmeton informacion) në korteksin prefrontal. Shkencëtarët besojnë se kjo strukturë anormale e trurit mund të jetë një shkak i manisë për të gënjyer vazhdimisht. Të tjera shkaqe mund të përmenden faktorët ambjentalë, në vecanti periudha e fëmijërisë (refuzim, abuzim), predispozita gjenetike apo faktorë të tjerë psikologjikë. Shpesh, mitomania prek individë me vetëbesim të ulët tek të cilët gënjeshtra bëhet një mjet mbijetese ose një trampolinë për të kapërcyer problemet e jetës.

I njohur si detektuesi më i mirë në botë i gënjeshtarëve dhe autor i librit famoz “Telling lies”, Paul Ekman, thotë se zbulimi i tyre nuk është aspak i lehtë. Problemi kryesor është sasia e madhe e informacionit – ka shumë gjëra për të marrë parasysh në të njëjtën kohë, shumë burime informacioni, fjalë, pushime, tinguj, shprehje, lëvizje kokë, gjeste, frymë, skuqje, djersitje. Shprehje të pavullnetshme të fytyrës, tepër të shkurtra, të lindura si rezultat i emocioneve të përjetuara dhe që bëjnë diferencën, njihen me termin mikroshprehi; në ndryshim nga shprehjet e rregullta të fytyrës, këto janë pamundura të fshihen.

Pasi zbulohen, gjëja më e mirë që një mitomanik mund të bëjë është të konsultohet me një specialist. Edhe pse është e vështirë të flitet për një trajtim lidhur me një gjendje që konsiderohet simptomë, kjo duket të jetë forma e vetme e ndihmës. Psikologu është në gjendje të ndihmojë duke njohur pacientin – historinë, biografinë, mungesën e vetëvlerësimit, pasiguritë etj. Nëse ka simptoma të tjera të pranishme, trajtimi mund të plotësohet me doza sedativesh dhe/ose antidepresivë.

Sidoqoftë, nëse dikush ju pyet nesër si ia kaluat sot, bëni mirë të tregoheni të sinqertë. E gjithë historia fillon nga këtu…

 

Mjeke e përgjithshme, QSUT.