To top
21 Kor

Heshtja i vret të gjithë

Nga Denisa Daka*

Po dilja nga gjykata  mesditën e të enjtes,  kur një lajm i beftë më tronditi jo veç mua.

Një koleg i nderuar ish rrahur barbarisht pranë Gjykatës së Durrësit, pranë vendit ku jepet drejtësi, pa asnjë shkak, apo për shkakun e vetëm se kish dalë ndesh me interesa të ngushta të klaneve të caktuara.

Një situatë e rëndë dhe e paprecedent goditi jo për të parën herë, gjithë komunitetin tonë.

“Kundërveprova sa munda” deklaroi kolegu ynë para kamerave i fashuar…ndërsa në këtë rast përveç dhimbjes e revoltës së tij, gjithkush lexoi në ato pak sekuenca,  pafuqinë e hallkave të këtij zinxhiri të sistemit të drejtësise, në mbrojtje e shërbim të qytetarëve të këtij vendi dhe në rastet e ushtrimit të detyrës.

Ruajna Zot në ç’vend jetojmë.

Ato grushta atë mesditë, ranë mbi të gjithë ne.

Të gjithë bashkë punojmë në një terren të vështirë e aspak të sigurtë, pa asnjë garanci se dita jonë mund të këputet befas pa shkak, pasi ky vend prodhon krim e gjeneron dhunë paprerë në përditshmërinë e të gjithëve.

E gjitha ç’ka ndodhi dy ditë më parë pranë tempullit të drejtësisë nuk është thjesht një ngjarje, nuk shpërtheu as në këtë rast as befas dhe as rastësisht, e gjitha tregon qartë tensionet e brendshme të cilat gjenerojnë dhunë mes të gjithëve në këtë vend.

Kjo është dhe duhet të jetë një këmbanë alarmi pasi qytetaria përveç avokatëve e më gjerë, po goditet rëndë  çdo ditë.

Dhuna dhe barbaria nuk po kursen askënd në këtë shoqëri, ndërsa ky fenomen po merr çdo ditë jetë njerëzish edhe gjatë kryerjes së detyrës.

Konsideroj të patolerueshëm dhe të pafalshëm shurdhërinë e insitucioneve dhe  personave të veshur me pushtet gjithashtu, përgjegjës kryesorë për parandalimin e ndëshkimin e këtyre akteve të rënda, ç’ka e bëjnë të paprecedent nga çdo pikëpamje dhe këtë rast.

Hesht Prokurorja e Përgjithshme prej kaq ditësh, megjithëse kolegu yt bën një akuzë të drejpeërdrejtë  për përfshirjen në këtë krim të një prokurori qe i përket një prokurorie të rëndësishme në vend.

Hesht Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Unioni i gjyqtarëve  ai i Prokurorëve, Presidenti i Republikes, Kryeministri, por dhe organizmat e huaja, të cilat janë vendosur këtu (dashtë zoti) për të mundësuar një standard të pranueshëm drejtësie e qytetarie në këtë vend.

Të gjithë pothuaj heshtin ndërsa ndërgjegja qytetare është larg të qenit nëstandardet e duhura,  duke suportuar (pa) dashje një terren ku krimi përparon e mban peng  çdo ditë sigurinë e qëtesinë teë gjithëve.

Dënoj ashpër dhunën kundra kolegut tonë dhe kërkoj gjithashtu nga organet kopetente, procedimin sa më parë të autorëve të kësaj ngjarje.

Strukturat shtetërore përkatese duhet të reflektojnë siç duhet duke ndërmarrë hapat e duhura sa më parë, në mënyrë që të vendoset një standard i gjithëpranuar, në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së  avokatëve në ushtrim të detyrës së tyre.

Ky zinxhir heshtje duhet të thyhet e kjo shoqëri duhet të reagojë medoemos që në të mund të dalim nga ky qerthull i rrezikshëm.

Është  i pajustifikueshëm dhe i papranueshëm mosveprimi apo dështimi i insitucioneve përgjegjese në çdo rast.

Është  detyrë legjitime e shtetit të mbrojë avokatët, integritetin fizik të tyre, duke i trajtuar këta te fundit me respekt e dinjitet të gjithë bashkë.

Heshtja apo mosveprimi kryesisht, i vret të gjithë.

*Denisa Daka është anëtare e Këshillit Drejtues të Dhomës së Kombëtare të Avokatisë.