Hermann Stingeder drejtori i Rogner
Të drejtosh një hotel në mënyrë të suksesshme, për Hermann Stingeder nuk do të thotë thjesht të kesh nuhatje të mirë menaxheriale apo mundësi financiare. Të jesh i suksesshëm në “biznesin e mikpritjes”, siç e quan ai menaxhimin e hotelit, së pari, duhet t’i pëlqesh njerëzit.
Menaxheri austriak ka më shumë se një vit që gjendet në krye të Hotel Rogner-it në Tiranë dhe beson se kryeqyteti shqiptar ia ka mundësuar ta tregojë këtë anë të tij njerëzore: mikpritjen dhe ngrohtësinë, në raport me të tjerët. Që kur erdhi në drejtimin e hotelit, në dhjetor të 2012-s, shumë gjëra kanë ndryshuar në mënyrën e menaxhimit dhe të të bërit biznes te “Rogner”-i. Stingeder pohon se, që t’ia dalësh duhet të kesh njerëzit e drejtë, softuerin e duhur, që bazohet në: të njohësh njerëzit. “Kaq vjet në këtë biznes kam besimin se, nëse nuk i pëlqen njerëzit, nuk ke vend në këtë industri, nuk ke të ardhme”,- pohon menaxheri i përgjithshëm i “Rogner”-it, i cili vërtet di të tregohet miqësor me komunikimin e gjallë dhe plot humor. Porse, sipas tij, një pikë tjetër që rezulton sukses është trajnimi i njerëzve që punojnë me të – gjë që ai nuk e lë pas dore – duke i trajnuar punonjësit sipas “stilit austriak”.
“Të gjithë mund të kenë hotel të bukur. Çelësi është te mënyra si e menaxhon atë. Kjo është një punë zinxhir, ndaj, i rëndësishëm është trajnimi. Mund të të trajnoj të bësh mënyrën më të mirë të mikpritjes, të bësh pritje miqësore. Këtu qëndron edhe sfida”,- shprehet mes të tjerash Stingeder, sipas të cilit, më shumë e rëndësishme se sa një suitë e mirë apo dhomë me pesë yje është shërbimi miqësor.
I vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në qendër të Tiranës, pranë ndërtesës Presidenciale dhe ambasadave të huaja, hoteli është tepër i përshtatshëm për konferenca shtypi dhe takime të këtij lloji.
Pikërisht në këtë pikë, Stingeder sheh edhe një mundësi të mirë investimi në të ardhmen e afërt, në ndërtimin e një qendre të madhe konferencash. Megjithatë, i pyetur për atë se çfarë dëshiron të ndryshojë në të ardhmen, ai shprehet: “Gjithçka do të doja të ndryshojë. Ne jemi vetëm në fillim. Çdo gjë ndryshon në industrinë e mikpritjes”. Kjo është një sfidë që sapo ka filluar për Hermann Stingeder.
Mes Shqipërisë dhe Austrisë ushqim dhe kafe austriake
Një shef tjetër kuzhine, ushqim austriak, si specialitet në kuzhinë, dhe, veç të tjerave, krahas kafes shqiptare, edhe kafe austriake. Këto janë vetëm disa nga gjërat që kanë ndryshuar me ardhjen në krye të Hotel Rogner-it të menaxherit austriak Stingeder. Pas studimeve në një shkollë hotelerie e më pas në ShBA, ku u certifikua në administrim hoteli dhe specializime të mëtejshme në menaxhim e burime njerëzore, Hermann Stingeder ndihet me fat që ndodhet këtu ku është tani. Me Shqipërinë për herë të parë ka pasur kontakt kur ishte ende nxënës i ri shkolle, përmes librit “Durch das Land der Skipetaren” të Karl May, autor ky gjerman, i njohur në Austri dhe Gjermani në ato vite. Atëherë nuk ia merrte mendja se do të vinte një ditë kur do të jetonte e do të punonte në Shqipëri. Por e priti me dëshirë takimin me zotin Rogner dhe idenë për të drejtuar Hotel Rogner-in në Shqipëri. Ai mendon se do të vazhdojë të qëndrojë në Shqipëri e ta drejtojë Hotel Rogner-in edhe për shumë kohë. Te Shqipëria tregon se ka gjetur një lloj ishulli qetësie, ndërsa udhëtimi me aeroplan është i shkurtër dhe i zvogëlon distancat mes tij e familjes, duke bërë që herë pas here të bashkohen në Austri apo Tiranë. Robert Rogner e ndërtoi hotelin e parë me pesë yje në vitin 1995, duke përcaktuar kështu standarde të reja në tregun e hotelerisë. Prej rreth 20 vjetësh, Hotel Rogner-i në Tiranë ka mbetur pika e referimit për të gjitha aktivitetet më të rëndësishme politike, ekonomike, kulturore. Çdo ditë ambientet e tij frekuentohen nga elita vendase, duke e shndërruar këtë hotel në një arenë biznesi dhe në pikë strategjike të qytetit të Tiranës, por, pse jo, edhe një vlerë e shtuar për një destinacion si Shqipëria.