Që në votimin e parë të parlamentit të ri, nga Partia Demokratike kanë rrjedhur disa vota. Nga llogaritja e votave në fund të votimit, rezultoi se për Gramoz Ruçin kryetar Kuvendi votuan edhe deputetë të Partisë Demokratike. 80 vota pro arriti gjithsej mazhoranca në votimin e parë të fshehtë për Gramoz Ruçin.
Nga këto llogariten 74 deputetët e Partisë Socialiste, 3 të PDIU dhe 1 fletë e pavlefshme. Nga kjo rezulton se 2 apo 3 deputetë të Partisë Demokratike i kanë dhënë votën e tyre pro Gramoz Ruçit.
Deputetët e LSI-së nuk morën pjesë në votim duke nxjerrë zbuluar rrjedhjen e votave nga Partia Demokratike. 40 vota ishin kundër Gramoz Ruçit në përfundim të votimit.
Menjëherë sapo është njohur me rezultatin, Gramoz Ruçi u ngrit nga karrigia e tij në kuvend dhe u drejtua nga Lulzim Basha duke shtrënguar duart me të. Ky i fundit është takuar me Ruçin dhe më pas ka lënë sallën e parlamentit. Pas Bashës janë larguar edhe deputetët e tjerë të Partisë Demokratike, duke lënë gjysëm bosh sallën e parlamentit.
Pikërisht në këtë moment, Edi Rama nuk e ka përmbajtur dot ironinë, duke komentuar: “Ça keni? Vetë i thoni komunist, vetë e votoni!”
Ndërkohë jashtë kuvendit, dhjetëra ish-të përndjekur kanë protestuar kundër zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit. Pas votimit, deputetët e PS janë bashkuar me të përndjekurit, ashtu siç kishin njoftuar më parë.