Gazeta prestigjoze italiane La Repubblica i kushton një artikull Geri Ballos, shqiptarja e parë e cila kandidon për zgjedhjet në Parlamentin Evropian, që zhvillohen në datat 23-26 Maj 2019. Një shembull se si proceset e rritjes dhe nënshtetësisë janë të mundshme në Italinë e “dekreteve të sigurisë” dhe porteve të mbyllura, e quan gazeta italiane.
COSENZA – Ndonëse fluksi i migracionit nga Shqipëria në Itali kanë qenë shenjat e para të fenomenit më të përgjithshëm të imigracionit në vendin tonë (Itali), ndonjëherë është me vlerë të kujtojmë disa histori të suksesshme të integrimit, për të reflektuar mbi të ardhmen e shumë prej emigrantëve të rinj të cilët, në mes të vështirësive, në Italinë e “dekreteve të sigurisë” dhe porteve të mbyllura, po kërkojnë një vend në Evropë për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Kjo është historia e një emigranteje nga Shqipëria me emrin Geri Ballo, 34 vjeçe, tashmë konsulle në ambasadën e vendit të saj në Romë, por mbi të gjitha për vite e angazhuar në mesin e pakicave etnike në komunitetin shqiptar të Arbreshëve në Italinë jugore dhe eksperte e madhe për diasporat. Sot ajo është ndër kandidatët për Parlamentin Evropian për Partinë Demokratike, edhe pse kjo është dytësore në përvojën e saj më komplekse të integrimit.
Kthehemi pas në kohë: Jemi në Shqipëri. Vitet tetëdhjetë. Regjimi ndalon kontaktet e huaja, radiot dhe televizionet e Vendeve të tjera janë të ndaluara. “Nëna ime – kujton Geri – arriti të gjente një mënyrë për të kapur frekuencat televizive me një pajisje të sajuar, nuk e mbaj mend se si. Kështu arrinim të shihnim fshehurazi Rai-n. Ndiqnim për orë të tëra, duke shpresuar të dëgjonim që dikush nga Italia të fliste për situatën tonë në Shqipëri, por kurrë nuk ndodhi. Në një moment, Italia që dukej e paarritshme u shfaq pak më afër: një gazetë shqiptare me seli në Romë I propozoi një vend pune nënës time, e cila quhet Tina. U hap kështu perspektiva e sigurt për një jetë më të mirë”. Tina pranon, por nuk do të rrezikojë jetën e vajzës së saj mbi një gomone që niset nga Durrësi. Vendos të niset vetëm, por legalisht, duke lënë Gerin në Shqipëri me gjyshërit.
Takimi me Nënë Terezën. “E ndieja shumë pranë Italinë – kujton Geri – dhe jo vetëm sepse e lidhja me imazhin e nënës sime, por edhe me tregimet e gjyshit tim, i cili kishte qenë partizan gjatë luftës. Ai luftoi kundër nazifashistëve dhe pas 8 shtatorit, ai shpëtoi disa ushtarë italianë nga persekutimet e nazistëve “. Muajt dhe vitet kalojnë. Puna e Tinës në Romë rezulton të jetë një mashtrim. Ata që e kishin nisur nga Shqipëria me marrëveshjen e një pune serioze dhe fitimprurëse, në fakt e shfrytëzojnë si një guvernante shtëpie dhe pa pagesë. Ndërkohë Geri në Shqipëri jeton ditët e fëmijërisë së saj, midis nostalgjisë për nënën, shkollës dhe vullnetarizmit me Motrat Misionare të Bamirësisë. “Një ditë rrëfen – më dërguan për të pritur Nënë Terezën e Kalkutës në aeroport, ishte e disajta herë që vinte në Tiranë. Në trup ishte më e vogël se unë, por çlironte një energji të pamasë. Ishte e moshuar, por me një ecje dhe lëvizje të shpejta. Dukej që nuk donte të humbte kohë “.
Kohët po ndryshonin. Kështu, Geri, pas rënies së Enver Hoxhës, më në fund mund të shikonte TV –në dhe filmat vizatimorë të Rai –t dhe Mediaset, si të gjithë fëmijët. Ndërkohë, nëna vazhdonte të luftonte në Itali për të pasur një punë të rregullt. E pezmatuar nga situata në Romë, ajo gjen një punë të rregullt në Cuneo, në një organizatë OJQ. Vetëm atëherë Geri, pas rreth gjashtë vitesh mungese të nënës së saj, arriti të bashkohej me të në Itali. “Italianët ishin kureshtarë për historinë time. Isha 11 vjeçe. Ishin vitet kur Lega kishte përkrahje të madhe veçanërisht në Veri, me posterat e saj kundër shqiptarëve. Unë isha shqiptarja e parë në shkollën 8 vjeçare, kur ideja e “shqiptarëve të këqij” ende nuk ishte përhapur në opinionin publik. Edhe pse, më vonë, në të mesmen, situata u komplikua paksa”. Pastaj Universiteti i Torinos, diploma në Marrëdhënie Ndërkombëtare, Master në Politikë, Programe dhe Projekte Evropiane. E në të njëjtën kohë pasioni për kulturën Arbëreshe . “Që nga koha e shkollës së mesme, e deri në projektet që kam ndjekur kur fillova të punoj në Ambasadën Shqiptare në Romë, duke u marrë me diasporat”.
Beteja për pakicat gjuhësore dhe gjeneratat e dyta. Dhe kështu, vajza që erdhi nga Shqipëria u bë një grua, duke u kthyer një pikë referimi për italo – shqiptarët dhe arbëreshët e Italisë. Puna që bën është të vendosë institucionet italiane dhe shqiptare në kontakt, inicion lidhje dhe kryen aktivitete për të bërë të mundur zgjidhjen e problemeve të tyre. Çështjet sociale që lidhen me fshatrat Arbëreshe, identike me ato të zonave të Italisë Jugore: shpopullimin, të rinjtë që largohen dhe nuk kthehen më, humbja e gjuhës amtare. Dhe kjo pavarësisht nga ligji 482, i cili nga viti 1999 mbron pakicat gjuhësore historike në shkolla dhe televizionin publik. “Një ligj që këtë vit shënon 20 vjetorin, por që ka dështuar në realizimin e tij sepse financohet fare pak”, nënvizon Geri. Çështjen e pakicave gjuhësore Geri Ballo e lidh me një tjetër problem të madh të gjeneratës së dytë, në pritje të së drejtës së nënshtetësisë, që vonon të realizohet – por për të cilën Geri thotë me krenari – “Ja vlen të përpiqesh shumë”