Të rritur dhe fëmijë, fëmijë dhe të rritur. Të rritur, fëmijë dhe gjyshër. Familjet, të gjitha familjet, tashmë kanë detyrën t’i bëjnë ballë frikës dhe panikut. Në situata të tjera, njeriu i parë që mund të të ndihmojë është babai, nëna, djali apo vajza, por sot ata përfaqësojnë një burim rreziku. Sot në vend se të ndihmojnë, mund të të ngjisin sëmundjen, por gjithsesi kanë nevojë për ty për t’u ndjerë të sigurtë.
Por si t’u shpjegosh fëmijëve dhe adoleshentëve këtë situatë të paprecedentë pa zvogëluar rrezikun, por në të njëjtën kohë pa shkaktuar ankth? Neuropsikiatri italian Massimo Ammaniti në një intervistë për revistën italiane “L’Espresso” tregon për mekanizmat psikologjikë dhe emocionet e individëve, më në veçanti të të vegjëlve.
Profesor, si reagojnë pacientët tuaj këto ditë?
Personat që ndjek po e përjetojnë këtë gjendje emergjence me shumë ankth. Në këto momente ndjejnë nevojën për mbështetje, më shumë se më parë. Disa janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi në një lloj izolimi. E gjitha kjo sigurisht që shkakton ankth, tension, alarm. Fëmijët nuk shkojnë në shkollë, qëndrojnë në shtëpi dhe po kuptojnë se jeta e tyre ka ndryshuar në mënyrë thelbësore. Nuk shohin shokët dhe në shumë raste prindërit shqetësohen edhe nëse i dërgojnë për një shëtitje në park. Për më tepër, më të vegjlit nuk zhvillojnë aktivitetet e tyre normale, ndërsa deri tani i kishin ditët e mbushura me angazhime mes shkollës, sportit, argëtimit dhe festave. Tani asgjë, bëhet fjalë për një gjendje të re të paparë.
Si mund ta përballojnë prindërit një gjendje kaq komplekse?
Duhet t’u shpjegojnë fëmijëve se ekziston rreziku i sëmundjes, e cila është si gripi që kalon nga njëri te tjetri. Dhe gjithashtu t’i shpjegojnë se nëse fëmijët nuk rrezikohen edhe aq shumë, rreziku është më i madh për prindërit dhe sidomos për gjyshërit dhe prandaj është vendosur që këto grupe mos të kenë kontakte me njëri-tjetrin.
Cilat janë limitet e sinqeritetit në komunikimin me fëmijët dhe adoleshentët?
Nuk e këshilloj shpjegimin e detajuar se si funksionon virusi, sidomos me më të vegjlit. Tema si transmetimi mes njerëzve, egërsia e përhapjes janë pak të kuptueshme për fëmijët dhe mund të kthehen në burim ankthi. Një tjetër gjë që u duhet thënë fëmijëve: për të shmangur marrjen e kësaj sëmundjeje që shkakton kollë, temperaturë dhe dhembje fyti, është e rëndësishme të lahen duart sepse transmetohet duke qëndruar pranë. Një tjetër aspekt lidhet me shpjegimin e rrezikut, pra t’i thuhet fëmijëve që edhe nëse nuk kanë rrezik për vete, mund të jenë rrezik për gjyshërit dhe për njerëzit më të mëdhenj në moshë.
Cila është frika kryesore që tregojnë fëmijët?
Kanë frikë se prindërve të tyre mund t’u ndodhë diçka. Fëmijët perceptojnë se siguria e tyre varet nga prindërit dhe nga gjendja e tyre shëndetësore, janë aspekte shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Pyetjet më të shpeshta që bëjnë janë të tipit: “Nëse ti sëmuresh, unë do rri vetëm?”, “Me kë të rri unë nëse ti sëmuresh?”.
Është e rëndësishme të thuhen fjalët e duhura, por edhe me intonacionin e duhur.
Sigurisht. Prindi nuk duhet të ngjitet në katedër për të dhënë një leksion mbi coronavirusin. Duhet t’i shpjegojë gjëra me thjeshtësi, për të shmangur ankthin dhe shqetësimin. Fëmijët mund të shohin ëndrra, mund të shfaqin frikëra gjatë natës. Dialogu në familje duhet të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, prindërit duhet ta inkurajojnë një gjë të tillë.
Informacionet mbi emergjencën që po kalojmë nuk qarkullojnë vetëm në familje, por edhe në lajme, në radio, në internet dhe në rrjete sociale. Si t’i mbrojmë fëmijët nga ky bombardim?
Thjesht duhet t’i ekspozojmë sa më pak me edicionet e lajmeve. Janë terrorizuese, të frikshme me ato të dhënat mbi sëmundjen dhe me bilancet. Prindërit duhet të kenë kujdes të mos flasin lirshëm në telefon për këtë situatë përballë fëmijëve, sepse ata kuptojnë gjithçka menjëherë dhe janë shumë të ndjeshëm.
Në vitet e fundit teknologjia është vendosur shpesh herë në bankën e të akuzuarve për përdorimin e tepërt nga ana e fëmijëve dhe adoleshentëve. Por tashmë mund të shërbejë si zgjidhje për të ruajtur lidhjet shoqërore.
Sigurisht, nëse fëmijët shihen më pak me njëri-tjetrin mund të luajnë në largësi me video-lojëra dhe kështu qëndrojnë në kontakt. Gjithsesi, kur fëmijët rrinë në shtëpi duhet të organziojnë ditën e tyre, gjë që është problem për prindërit. Në jetën e përditshme ka një sërë problemesh që teknologjia nuk mund t’i zgjidhë.
Edhe fëmijët dhe adoleshentët mund të luajnë një rol në ndalimin e përhapjes së virusit. A duhet t’i përfshijmë?
Prindërit duhet t’u tregojnë fëmijëve se ata kanë mundësi të kontribuojnë, të japin një dorë, jo me tone të alarmuara por në mënyrë të përgjegjshme. Ka pasur një kohë gjatë Luftës së Dytë Botërore në të cilën fëmijët bënë pjesën e tyre. Sot në përgjithësi fëmijët janë shumë të mbrojtur, shpesh herë janë fëmijë të vetëm dhe nuk janë mësuar të mbështesin njëri-tjetrin. Por këtë herë edhe fëmijët duhet të bëjnë të tyren.
Massimo Ammaniti është neuropsikiatër dhe profesor i Psikopatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë dhe Psikologjisë në Universitetin “Sapienza” të Romës. Gjithashtu është pjesë e “International Psychoanalytical Association”, autor i mbi 20 librave shkencorë në këtë fushë.