Kuvendi do të mblidhet pasditen e sotme, në orën 17:00, në seancë plenare, me një çështje “të nxehtë” në rend të ditës. Bëhet fjalë për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Kërkesa për ngritjen e këtij komisioni është bërë nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste, pas vendimit të Presidentit Meta për të anuluar 30 qershorin si datë zgjedhjesh dhe për të dekretuar 13 tetor për zhvillimin e zgjedhjeve vendore.
Ditën e sotme, Parlamenti pritet t’i japë “Ok” ngritjes së Komisionit Hetimor, që do të vendosë më tej për fatin e Metës në Presidencë.
Koha e debatit të jetë 2 orë e 10 minuta (130 minuta), nga të cilat 70 minuta kohë për shumicën parlamentare (grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe deputetët e partive që mbështesin shumicën) dhe 60 minuta kohë për pakicën parlamentare nga të cilat 20 minuta për Grupin Parlamentar Demokrat, 20 minuta për grupin Parlamentar “I Pavarur” si dhe 20 minuta për deputetët jashtë grupeve parlamentare. Koha prej 20 minutash për deputetët jashtë grupeve parlamentare do të përpjestohet në varësi të numrit të deputetëve të regjistruar për të diskutuar.