28
Kor
Intervistoi Sava Sota
Prej vitesh ai ushtron profesionin e tij si pedagog në universitet, dhe kontakti i vazhdueshëm me studentët ka bërë që ai të kuptoj më së miri sfidat që ata hasin çdo ditë përballë tregut të punës. Në një rrëfim për revistën “Elite” Erlis Hoxha flet jo vetëm mbi pasionin e tij të mësimdhënies, raportit me studentët, por edhe se cila është rruga që të çon drejt suksesit…Krahas fushës akademike, ai gjithashtu ka dhënë dhe një kontribut shumë të rëndësishëm edhe në jetën politike të Shqipërisë, duke besuar se së bashku me shumë të rinj të tjerë do të kontribonin për vendin e tyre….
Ju prej disa vitesh jeni lektor në universitet. çfarë është mësimdhënia për ju, cilat janë problemet dhe sfidat që ky brez ka?
Po është e vërtetë, është viti i gjashtë që jap mësim si Lektor në Universitet, dhe është një nga angazhimet e mia më të dashura. Për mua mësimdhënia nuk është punë, por mision, një mision që kërkon të japësh më të mirën tënde, përmes pasionit dhe dedikimit, duke i rezervuar rëndësinë dhe seriozitetin e merituar kësaj detyre kaq të fisme, siç është mësimdhënia. Detyra jonë si mësimdhënes po dhe e të gjithë institucioneve arsimore dhe akademike është tju sigurojmë të gjithë mbështjetjen e nevojshme studentë, duke nxjerrë në pah talentin dhe aftësitë e tyre më të mira, duke nënvizuar rolin dhe kontributin e tyre shumë të rëndësishëm në shoqëri. Studentët duhet të jenë promotorët më të mirë të ideve të reja, të qasjeve dhe ndryshimeve që sjellin progres dhe mirëqënie për komunitetin dhe vendin e tyre. Puna, përkushtimi, edukimi dhe trajnimi i vazhdueshëm janë mundësitë që ata të bëhen të zot të vetes, por dhe rruga që ata të përballojnë sfidat më të rëndësishme që vendi po kalon. Të rinjtë kanë nevojë për shembuj pozitivë, inspirues për tu ndjekur dhe në këtë drejtim e gjithë shoqëria ka më shumë detyrim ndaj kësaj gjenerate, Media, Politika, Arti, Kultura, kanë detyrimin të jenë shumë të kujdesshëm në modelet që promovojnë , pasi ata kthehen në model për të rinjtë, qofshin rastet për tu ndjekur, por më së shumti për mos tu ndjekur.
Nëse auditoret e universiteteve shpesh ndeshemi me qëndrimet “statike” të profesoreëve, të cilët duan të imponojnë një figurë autoritare tek studentët. Në fakt, cili është lloji i raportit që ju keni preferuar të ndërtoni me studentët tuaj?
Së pari më lejoni që të nënvizoj rolin tejet të rëndësishëm të arsimit dhe edukimit publik. Besoj janë të shumtë institucionet dhe njerëzit që mund të japin kontribut në këtë fushë, por veçanërisht dhe në mënyrë të posaçme ne që jemi në skalionin e parë si mësimdhëniënes na takon të krijojmë kushtet dhe të vendosim standartet, etike dhe profesionale, ne mënyrën sesi i mësojmë dhe edukojmë të rinjtë e vendit tonë. Unë për shkak të formimit por më së shumti edhe të moshës relativisht të re, i përkas asaj gjenerate Pedagogësh që besoj tek komunikimi i hapur, përballja e ideve dhe pikëpamjeve me studentët, pa paragjykime. Besoj që kjo është rruga më e mirë, duke i aktivizuar dhe nxitur ata për të menduar në mënyrë kritike, të jenë kërkues dhe analizues të realitetit ku jetojnë, duke e sfiduar status quo-n.
Le të fokusohemi pak tek angazhimi juaj politik. Prej vitesh keni shënuar një kontribut të rëndësishëm në forumin Eurosocialiste, dhe tanimë e vijoni kontributin tuaj natyrshëm në Partinë Socialiste të Shqiperisë. Pse duhet që një i ri të merret me politikë në një vend si Shqipëria?
Një pyetje shumë interesante të cilës do ti përgjigjem duke ndarë me ju historinë time personale, e cila ka arsyet dhe përgjigjen se pse një i ri duhet të bëhet të merret me Politikë , pra jo duke abstraguar e as bërë filozofi… Angazhimi im si aktivist nis që në vitin e parë të fakultetit, e pranoj kam qënë një student rebel. Për hir të së vërtetës kisha pritshmëri krejt të tjera nga pedagogët, universiteti ku po ndiqja studimet, nga qeveria e asaj kohe (PD), opozita (PS), praktikisht nga çdo institucion apo individ me pushtet që kishte nje imapakt në jetën publike. Kuptova që sistemi në të cilin jetojmë duam apo s’duam është i ndërtuar në këtë formë, ku partitë politike janë disa institucione politikëbërëse e më pas zbatuese ( kur marrin në dorë qeverisjen) kthehen më pas në disa mekanizma nëpërmjet të cilave përcaktohet shpejtësia e reformave apo transformimeve dhe ndryshimeve që vendi ka apo duhet të ketë. Në këto rrethana kisha dy zgjedhje, e para, të bëja kritikun, cinikun dhe tallësin e partive apo politikanëve siç ndodh rëndom në vëndin tonë, gjë e cila nuk kërkon as shkolle e as ndonjë talent të veçantë, por që e kisha shumë të qartë se në finale kjo rrugë nuk të çonte askund. Dhe rruga e dytë ishte të merrja përgjegjësitë që më takonin, kjo duke u aktivizuar dhe dhënë kontributin tim aq sa mundesha, për mënyrën sesi gjërat mund të bëhen më mirë, më shpejt me drejt, më me përkushtim, më me pasion. Për të gjitha arsyet e mësipërme unë mora vendimin për tu angazhuar politikisht, duke u bërë pjesë e Partisë Socialiste, duke besuar tek parimet e Socialdemokracisë dhe i bindur tek energjia ime dhe e bashkëmoshatarëve të mi, me besim se gjërat mund dhe duhet të ndryshojnë kur secili jep një dorë, e nuk ngelet spektator i fatit të tij dhe vendit në të cilin jeton apo ka menduar të ndërtojë jetën dhe të ardhmen. Unë bëra zgjedhjen time, besoj që kam bërë gjënë e duhur.
Si e shikoni situatën politike aktuale? Mendon që klasa politike është duke përfaqësuar interesat e popullit, apo bëjnë demagogji. Çfarë zgjidhjesh mund të ketë?
Për hir të së vërtetës është një situatë e cila ka sjellë shumë polarizim, qytetarët janë të ndarë, jo për faj të tyre. Nuk duhet të jetë aspak kështu. Gjithmonë ka qenë koha, por sot më shumë se kurrë që aktorët kryesorë politikë të marrin përgjegjësitë që ju takojnë, duke ofruar zgjidhjet e duhura. Bojkoti i institucioneve nuk mund të jetë një alibi e përhershme, përkundrazi. Vendi ndodhet në një etapë tejet të rëndësishme për vendin dhe të ardhmen e saj Evropiane. Nuk ka më kohë për të humbur, askush nuk ka të drejtë të marrë vendin peng duke vendosur axhendën e partisë mbi atë të vendit.
Cili do të ishte mesazhi që do ti përcillnit të gjithë atyre që duan të kontribojnë ne vendin e tyre, por tregu i punës këtu nuk premton shumë?
Në pikëpamjen time edukimi, arsimimi, trajnimi dhe aftësimi i vazhdueshëm është investimi më i mirë që një i ri apo e re mund të bëjë për veten. Kjo është e vetmja mundësi ti përgjigjen sfidave dhe kërkesave të kohës, dhe mundesisë për tu futur në tregun e punës. Duhet theksuar se tregu i punës sa vjen e po bëhet më global, dhe për pasojë konkurrenca është shumë e lartë, kësisoj edhe pregatitja duhët të jetë në këto nivele. Rrugë tjetër nuk ka. Nuk tingëllon aspak bukur, por kjo është e vërteta dhe ne duhet të përgatitemi për tu përballur me këto sfida. Për një të ri apo të re, të qenurit profesionist, është e vetmja mundësi për tu pozicionuar në shoqëri me dinjitet për të bërë më të mirën për veten dhe për vendin!
Intervistoi Sava Sota