To top
30 Jan

Eneida Koraqe maestroja e talenteve të rinj

Si ka lindur te ju Eneida dëshira për t’u marrë me balet, hapat e parë dhe fillimet tuaja?
 Dëshira ime për baletin nis që me fillesën e kujtesës time, në atë kohë kur im gjysh, një njeri tepër i kulturuar, më mësonte të kërceja tan­gon. Porse kur pashë baletin “Liqenin e mjellmave” kjo dëshirë për t’u bërë balerinë u shtua. E kujtoj fort mirë që shumë net me radhë nuk më zinte gjumi, duke menduar skenat. U dashurova pas lëvizjeve të mjellmave. Këto dëshira më sh­tynë të ndiqja në klasën e tretë kursin e baletit dhe të valleve në palla­tin e pionierëve në qytetin tim të lindjes, Berat.
 Jetoni në Itali dhe jeni një ndër balerinat mjaft profesioni­ste, por edhe e vlerësuar. Na thoni diçka më shumë rreth aktivi­tetit tuaj.
Në vitin 1991, si shumë miq e kolegë të mi në atë kohë u larguam nga atdheu e u vendosëm në Itali. Sapo kishte filluar koha e ndryshimeve të mëdha dhe e tranzicionit në Shqipëri. Unë isha studente në Akademinë e Arteve e ndihesha protagoniste e lëvizjes studentore. Aventura e ikjes në Itali ka qenë tepër komplekse e intere­sante. Ishin të shumta motivet e largimit, si dhe e qindra shqiptarëve të tjerë, por mua më ka shoqëruar e motivuar më shumë ideja ndaj diçkaje të re dhe të panjohur, kër­shëria për të realizuar një jetë të re. Në Brescia kam punuar në shumë shkolla të këtij qyteti. Në vitin 1997 krijova shkollën time të baleti “ArtDanceFusion”. Në këtë vend fëmijët e ndjekin baletin si një akti­vitet ja­shtëshkollor, e fillojnë që në moshën 3-4-vjeçare dhe hulumtohen të gjitha stilet.
Në punën time kam qenë gjithmonë e frymëzuar nga koreografja e madhe e shekullit tonë, Pina Bausch. Qëllimi i saj ishte të dilte nga steriliteti e perfeksionit të baletit tradicional akademik, në kërkimin e një gjuhësimi që, ndërmjet trupit të shkohet diku më thellë. Një pjesë tjetër që mund ta quaj vërtet të rëndësishme në punën time, por që, në njëfarë mënyre është e lidhur me këtë koncept që sapo përmenda, është edhe aktivizimi im total si eksperte arti në sistemin shkollor të detyruar. Që prej vitit 1999 kam krijuar një program-laborator, “Teatro-Danza dhe “Edu­kim mbi të bukurën”, si mbështetje e studimit shkollor . Të shi­kosh që me pak orë mësimi arrin t’i japësh mundësinë një fëmije që s’e njeh baletin, artin e skenën, që ai të ndihet protagonist. Me shumë vështirësi, me pak ndihmë dhe vetëm me një punë tepër të madhe të përditshme e kam arritur këtë rezultat, që nuk është e lehtë ta krijo­sh e të bësh emër, pasi konkurrenca është vërtet e madhe. Shkolla ime, në kuadrin e fre­kuentimit është gati internacionale; kam fëmijë nga shumë shtete, fëmijë rusë, ukrainas, moldavë, polakë, kinezë, italianë e sigurisht plot shqiptarë. Asnjë diskriminim të asnjë lloji; kjo është motoja ime dhe jam krenare për këtë.
Ju keni qenë një ndër studentët e maestrove të njohur, profesorëve më me emër, e mjeshtërve Agron Aliaj dhe Panajot Kanacit. Cilat kanë qenë raportet tuaja me ta e ç’mund të kujtoni?
Mund të them që vërtet më ka ndihmuar tepër fati. Të bëje mësim për 8 vjetët e shkollës akademike të baletit me maestron Agron Alia ish­te e mrekullueshme. Kam qenë tërësisht e dashuruar pas profesorit tim. Nuk kishte ditë që ai mos sillte në sallë diçka të re, pasi ishte një mjeshtër i madh i së bukurës. Edhe një ush­trim të thjeshtë dinte ta transformonte në diç­ka sureale. Nuk mund ta harroj kurrë metodën e tij të studimit të lëvizjes. I vetmi që e trashëgon është mae­stro Ludmill Çakalli. Agron Alia fliste për teknikën dhe rregullat e një ushtrimi kur ndalonte muzika e bëhej shpjegimi, por gjatë interpretimit nuk të korrigjonte. Të stimulonte kërcyshmërinë, ndërkohë të fliste për gjethet, lulet, diellin, pranverën, vuajtjen etj., etj. Çdo mëngjes ngrihesha me drithërimën brenda vetes për të dëgjuar zërin e tij kumbues, çdo leksion baleti ishte edhe një leksion poezie. E imagjinoj edhe tani të ulur atje mbi një piano me bisht, duke luajtur ndonjë Nocturnes të Chopin.
Ndërsa katër vitet e studimit koreografik në Akademinë e Arteve, nën drejtimin e maestro Panajot Kanaçit, ishin vite të marrjes së vetëdijes. Një gjigand i tillë i artit, me një kulturë të gjerë, ishte e pamundur të mos lin­te gjurmë edhe mbi mua, si te çdo student tjetër. Maestro na linte të lirë të zgjidhnim temat e krijimtari­së. Ai nuk e pengonte hovin tonë, të mësonte të ishe esencial në art, të bëje eko­nomi me të e të thoshte të mos e shpërdoroje
 
eneida 1Ç’është mësimdhënia për ju dhe si janë raportet me koreografinë dhe krijimtarinë?
 Mësimdhënia është një devocion për mua. Njësoj si feja, edhe një mësues duhet të besojë që ka në dorën e tij të ardhmen e një fëmije e, për rrjedhoje, të ardhmen e një kombi. Nuk është e rëndësishme nëse ti shpjegon matematikë, piano, letërsi a balet. Ti je aty një figurë për t’u marrë shembull, je aty për të ndihmuar, për të pasionuar, dëshiruar e arritur një ëndërr që nuk është jotja, por që të përmbush edhe ëndrrën tënde. Ti je aty në shërbim të fëmijës, të një filizi të së ardh­mes, ndaj dhe një mësues i mirë asnjëherë nuk e harron këtë. Për sa i përket krijimtarisë sime koreografike, ajo e ka gjithmonë nismën diku thellë, në një mendim, në një koncept, në pasqyrimin e një realiteti ndonj­ëherë edhe social, por shpeshherë është edhe një poezi e trupit. Dhe këtu qëndron ndryshimi i madh midis mësimd­hënies dhe krijimtarisë artistike, që për mua janë dy gjëra krejt të ndryshme. Nëse e para përkon me dëshirën për të dhuruar e materializuar profe­sion, me bujarinë më të madhe për shëmbëlltyrat e ardhshme, artisti kri­jues e bën artin duke u nisur nga dëshira për të realizuar e materializuar diçka për veten në fillim, e pastaj edhe për të tjerët.
 Shumë pjesë të baletit i keni shkruar vetë, nga se frymëzoheni dhe si është pritur nga kritika dhe artdashësit?
 Jam mësuar të gjej një motiv, një domethënie në atë që bëj në jetën time. Çdo gjë që më rre­thon e që ndjej mund të transformohet në një ide, temë, dialog, ngjar­je, libret, akt, skenë, pjesë, lëvizje, muzikë, kostume, mjete, ndërthurje artesh për të treguar në njësim, me kushtin e vetëm që mbi palkun skenik mos të humbasë kurrë poezia e intimiteti i finesës artistike.Arti ka misionin t’u japë lumturi njerëzve, prandaj është i rëndësishëm, e asnjëherë s’duhet abuzuar me të. Ai duhet të ndjellë te njerëzit dëshirën e të bukurës, por për ta bërë këtë ai du­het të jetë shumë i sinqertë. Një koreografi e mbushur me lëvizje të shumta e pa fund, të pajustifikuara, është vetëm një ush­trim teknik e asgjë më tepër. Ajo ka nevojë për një ide të mirë dhe për pak lëvizje të studiuara të stilizuara, duke krijuar një lajtmotiv në zh­villim. Koreografitë e mia kanë pasur sukses për veçantinë e tyre muzikore, kostumet dhe finesën e lëvizjeve të bukuri­së në tërësi. Për këtë kam ndjekur këshillën e Panajot Kanaçi dhe ndihem e realizuar.
eneida 2Sa ju intereson dhe a u kushtoni vëmendje zhvillimeve sociale e shoqërore, sidomos atyre shqiptare?
 
Shumë. Mendoj që po kalojmë një krizë globale, një provë të vështirë që ne vetë e kemi krijuar. Iluzioni, bollëku, shpërdorimi, mos respektimi i sistemit të natyrës dhe shpërdorimi i saj, por edhe mos toleranca ndaj popujve, feve dhe problemeve të tjera ka sjellë një jetesë jo të bukur e të qetë në këtë rruzull. Qeveritë duhet të kuptojnë që mosbashkëpunimi, moszbatimi i rregullave dhe përfitimi brutal mbi mundësinë që i krijohet për momentin janë vetëm çështje kohe që, në mos shpejt pak më tut­je, çdo gjë do t’i kthehet mbrapsht. Eksperienca e ka treguar këtë. Pra duhet zgjuar sërish dëshira e të mirës dhe e ndërgjegjes sociale; dhe kjo fillon që në bankat e shkollës.
Si ju duket baleti dhe shkolla në Shqipëri?
Në shkollën e baletit shqiptar bëhen përpjekje të mira që të studiohet me nivel e në formë profesionale; dhe rezultatet duken, sidomos te meshkujt. Këta të fundit kur shkojnë nëpër vende të tjera e pasi edhe kualifikohen aty, natyrisht nuk janë thjesht balerinë trupe, por solistë të parë. Gjithsesi, si në çdo aspekt të zhvillimit rrënjësor që ka bërë dhe bën Shqipë­ria mendoj që edhe shkolla kombëtare e baletit shqiptar ka nevojë për një reformë strukturale, por për t’u bërë këto duhen më shumë investime në aspektin ekonomik, gjë që mendoj se nuk ekziston aspak. Ndërkohë, mendoj që në dyvjeçarin e fundit të ketë një specializim tri degësh: kërcimtar të karakterit kla­sik, hip-pop e modern-konteporan. Shkolla të ketë lidhje të qëndrueshme që pastaj të çojë më të mirët nëpër shkolla më të kualifikuara në botë, siç janë ato ruse – për klasiken është Scala e Milanos – në Francë, Angli e Amerikë për modern-konteporan. Shkolla duhet t’ia hapë dyert e saj pa frikë çdo artisti, balerini, profesionisti. Në këtë mënyrë ata sjellin eksperienc­ën e tyre për të mirën e përbashkët të shkollës. Jam e idesë që, për sa i përket disiplinës, është mirë t’i kthehemi pak kohës kur unë isha studente e drejtor shkolle ishte maestro Petrit Vorpsi, të cilin e kujtoj me shumë mirënjohje e respekt për përkushtimin, ndershmërinë dhe dinjitetin që i dha në atë kohë asaj shkolle….
Vijon e plote ne numrin aktual te revistes “elite” ne print!