Prokurori i Tiranës, Bledar Maksuti dhe drejtuesja e prokurorisë së Durrësit Anita Jella kanë marrë dritën jeshile nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për t’u bërë pjesë e SPAK.
Në mbledhjen e zhvilluar sot, Komisioni i Posaçëm i SPAK votoi dhe kualifikoi Bledar Maksutin si dhe Anita Jella për të qenë prokurorë të Prokurorisë së Posaçme.
Maksuti dhe Jella arritën që të siguronin të gjitha votat e tetë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që ishin të pranishëm në këtë mbledhje.
Dy prokurorët e rinj do të ushtrojnë detyrën për një mandat 9 vjeçar pa të drejtë riemërimi. Përzgjedhja e Jellës dhe Maksutit vjen pas verifikimit që Komision i Posaçëm për verifikimin e figurës ka bërë dhe ka dorëzuar në raportin final pranë KLP.
Megjithatë, kandidati tjetër i propozuar nga KLP-ja, prokurori Ndini Tavani nuk arriti që të merrte certifikimin e Komisionit të Posaçëm, edhe pse ai ishte i renditur para Maksutit. Për këtë vendim, Tavani ka reaguar duke e cilësuar atë si antikushtetues.
Vendimi për emërimin e tyre vjen 8 muaj nga votimi me pikëzim i kandidaturave në KLP.
Komisioni i ngritur posaçërisht në SPAK me një gjyqtare, një prokuror, anëtarë të BKH-së dhe 1 përfaqësues të huaj, mbajti për 8 muaj çështjen për të dalë sot me një vendimarje konkrete.
Dy prokurorët e rinj, Maksuti dhe Jella kanë kaluar me sukses kontrollin për pasurinë dhe pastërtinë e figurës dhe nuk rëndon ndonjë pengesë ligjore për të penguar ngritjen e tyre në detyrë.
Sa i përket Anita Jellës, ajo ishte e para në renditje si kandidatja me më shumë pikë. Jella që prej 9 majit të vitit 2018 ishte caktuar drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.