Në vitin 2014, në krye të “Fondacionit për Liri Ekonomike”, në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës, nisëm ciklin e debateve publike për rrymën ideologjike që do të karakterizonte pushtetin e ri. Konferenca e parë u zhvillua nën titullin “Rikthimi i etatizmit” dhe me pjesëmarrje të Barbara Kolm, një ndër ndërmjetëset më të rëndësishme liberale në Europë dhe me financim amerikan. Tema ishte e thjeshtë dhe përshkruese e sjelljes së pushtetarëve të rinj. Duke filluar nga rritja e taksave mbi punën dhe kapitalin, deri te dëshira e centralizimit të vendimmarrjes, imponimin e rregullit dhe estetikës nga pushteti qendror kudo në Shqipëri, shihej qartazi se shteti do të ishte aktor gjithnjë e më i rëndësishëm në jetën ekonomike të vendit. Në pamje të parë, shumë qytetarë e pranuan rolin rregullator të shtetit sepse mirëqenia ekonomike e krijuar në vitet 2002-2012 ia mundësoi këtë luks vendit. Por siç e kemi parashikuar këtu e shtatë vite më parë, roli më i madh i shtetit do të sillte devijanca në sjelljen e ekonomisë dhe në vend që të rritej ekonomia e të ulej varfëria, ndodhi krejtësisht e kundërta. Përse?
Një shtet i fortë nuk është detyrimisht një gjë e keqe në rast se kemi disa faktorë të tjerë institucionalë që e kufizojnë. Shteti nuk është armik i tregut të lirë, por një shtet në duar të pushtetarëve të fuqishëm e pa kufizime institucionale shndërrohet në një aktor të anshëm në ekonomi e kryesisht çon në korrupsion. Për shembull, në vendet skandinave, qytetarët janë të gatshëm t’i ofrojnë shtetit më shumë pushtet për çështje të tilla, si shëndetësia dhe mirëqenia sociale, pasi dinë që pushtetarët janë të dobët politikisht për të devijuar vullnetin e tyre. Dobësia institucionale e politikës dhe elitës ekonomike për të qenë e korruptuar e bën publikun të gatshëm e me vullnet të lirë të japë më shumë pushtet nëpërmjet taksave, rregullave e ndërhyrjeve shtetërore në emër të së mirës publike. Në rast se ata nuk e mbajnë premtimin, atëherë si gjykatat ashtu dhe mekanizmat e tjerë demokratikë, si vota e lirë, i ndëshkon ata lehtësisht. Por sipas studimit të Daron Acemoglu “Ekonomia dhe politika në shtete të dobëta dhe të forta”, një pushtet ekonomik i dhënë elitave politike të forta çon detyrimisht në dobësim të shtetit. Teksa elitat fuqizohen në emër të shtetit nëpërmjet sjelljes korruptive, ato e tejkalojnë shtetin si përfaqësim i interesit publik dhe shndërrohen në “institucione të pavarura” mbi institucionet shtetërore dhe imponojnë vullnetin e tyre mbi publikun dhe grupet e interesit ekonomik.
Ky është etatizimi shqiptar i shndërruar në “elitizëm” ekonomik, ku pushteti politik i përvetësuar nëpërmjet zgjedhjeve shndërrohet në instrument mitmarrës për t’u vetëpasuruar në emër të së mirës publike. Kështu shpjegohen koncesionet, rregullat e reja administrative, apo dhe rritja e taksave. Këto politika çojnë statistikisht dhe në rritje ekonomike, përfitimet e së cilës janë përjashtuese për shumicën e publikut dhe mbeten ekskluzive për “elitën politike”, e cila fuqizohet aq shumë, sa bëhet dhe më e rëndësishme sa vetë shteti që përfaqësojnë. Korrupsioni si instrument fuqizimi vetjak ekonomik të politikanëve nuk është shterues i sjelljes së politikanëve tanë. Korrupsioni është përtej pasurimit bazik financiar të disa personave, pasi korrupsion në shtete me elita politike të forta është instrument direkt fuqizimi të mëtejshëm politik. Këto rregulla të shtuara e të marra nga elita jonë politike nuk janë instrumente të fuqizimit të shtetit, por krejtësisht e kundërta. Me më shumë rregulla e me më shumë pushtet policor, këto “elita politike” avancojnë gjithnjë e më shumë interesat e tyre, të cilat janë të veçuara nga interesat shtetërore. Institucionet shtetërore janë instrumente në duar të kësaj elite politike, e cila ka axhendë personale fuqizimi të mëtejshëm politik, duke përdorur fuqizimin ekonomik si instrument fitimtar. Tashmë është vonë. Kjo skemë e fuqizimit të elitave politike ka bërë tashmë që ato të qëndrojnë mbi institucionet e shtetit e për rrjedhojë, të jenë imunë nga kufizimet institucionale që ne do të dëshironim. Shtete lindore apo të vendeve arabe kanë sjellje të ngjashme. Shih Libinë, që pavarësisht rrënimit ekonomik të dy viteve të fundit, të varfërisë në rritje e të korrupsionit të lartë, të protestave të vazhdueshme popullore, nuk mundi të hiqte elitat e saj politike. U desh një shpërthim thuajse bërthamor, ku një në pesë shtëpi u bënë të pabanueshme në kryeqytet, që qeveria të dëgjonte qytetarët e të dorëzonte pushtetin e saj politik. Shqipëria, ashtu sikundër shumë shtete të tjera me karakteristika të ngjashme, shfaq të njëjtat karakteristika të një shteti të gjunjëzuar nga “elitat përjashtuese politike”.