To top
12 Sht

Ekskluzive/ Saimir Pirgu: Ky është vetëm fillimi

 

 

 

 

 

 

Tenori i famshëm Saimir Pirgu vjen në një intervistë ekskluzive të jetës dhe karrierës së tij, nga Verona… ku dhe nisi jetën artistike,  e vijon rrugëtimin  në skenat prestigjioze  ndërkombëtare. Pirgu rrëfen angazhimet më të fundit, familjen, dashuritë, pushimet e kaluara në Shqipëri si dhe projektet e një artisti në ngjitje… Aktualisht ka mbërritur në pikën kulminante të karrierrës së tij, por siç shprehet dhe vetë artisti ky është vetëm fillimi…

 

 

(Saimir Pirgu  & Ermonela Jaho gjatë interpretimit në shfaqen operistike, “La Traviata”,  në  rolin e Alfredos dhe Violetës, në teatrin Colon, në  Buenos Aires, Argjentin që po zhvillohet këto ditë)

Nga Anila Çuli  (Foto Cover Fadil Berisha)

Z. Pirgu ku ju ka gjetur ky sezon për sa i përket angazhimeve tuaja artistike?

Sapo kam mbaruar një produksion të ri të Operas “Rigoletto”,  në Teatrin Nacional të Amsterdam-it, ndërsa tani ndodhem në një tour me orkestrën  nacionale spanjolle me koncerte në Madrid e gjithashtu në Festivalin Internazional në Granada, e t’ju them të vërtetën Granada më ka shijuar vërtet shumë si qytet.

A pushuat këtë vit?

Këtë vit pushova vërtet shumë pak, në dy-tre periudha nga  pak ditë.  Pak ditë pushova  në Shqipëri me familjen time, e pak në Verona në qytetin tim, ku jetoj në Itali. Këtë vit kam vendosur të shijoj edhe unë vet, qytetin ku jetoj e gjithashtu të qëndroj dhe pak në shtëpi pasi  kam vite që nuk jam më tepër se 10 ditë në vit.

Si ka qenë ky vit për ju i ngjeshur besoj pasi kam parasysh axhendën tuaj të përhershme…?

Mund të them me plot gojën një vit fantastik nga ana profesionale. Filloi në operan e Sydney-it,  ku këndoja për herë të parë dhe që më la mbresa të veçanta.  Nominimi për çmimin e madh “Grammy 59”,  në Los Angelos ishte vërtet një surprizë që ka zënë vend në memorien time artistike, si një pikë kulmore. Grandioze si nga suksesi i publikut e kritika ishte dhe rikthimi në teatrin e madh Bolshoi Moskë,  me operan “Damnnation de  Faust”. Sigurisht dhe gjithë shfaqet e tjera ku do të veçoja, Lucia di Lammermooor në teatrin, San Carlo, Napoli.

 

Ju vini nga një familje e thjeshtë, mund të na tregoni pak si kanë qenë fillimet, kur dhe si u zbulua talenti juaj?

Vij vërtet nga një familje e thjesht, por që të mirën dhe të bukurën ma ka skalitur thellë deri në ADN. Kam një fëmijëri të bukur që e kam ndarë me tim vëlla binjak, ndonëse si shumë moshatarët tanë kemi ndiere vitet e tranzicionit me gjithë problematikat e asaj kohe që në një farë mënyre sadopak kanë ndikuar në jetët tona. Pra me pak fjalë, dashuria nuk ka munguar në familjen tonë,  por gjithashtu dhe vështirësitë. Studioja violinë kur isha në fillore e më vonë në vitet e para të adoleshencës u dashurova mbas muzikës operistike e shkas u bë koncerti i famshëm i “Tre Tenorëve”.  Një ëndërr që mbas një dekade do të realizohej kundrejt çdo akspekti.

 A ka kënduar dikush nga familjarët apo të afërmit  tuaj?

Jo asnjë. Deri tani, por familja është shtuar me një nip e mbesë e jemi në pritje sa të rriten pak. Të shpresojmë. (qesh)

 

Nëse nuk do të ishit bërë tenor çfarë do të mund të ishit bërë tjetër,  ndoshta një violinist, pra a kishit një plan B?

Kur kam ikur nga Tirana në vitin 2000’ mbas diplomimit në lice isha vetëm 18 vjeç. Të  them të vërtetën  nuk kam patur një plan B, përveçse të studioja për kanto . Ishte e vetmja ëndërr apo alternativë jete. Pra do provoja të shkollohesha për diçka që adhuroja, por nëse nuk do t’ia dilja të fitoja shkollën do të kisha ndërmarr rrugën e të gjithë  të rinjve të tjerë  bashkatdhetar, që përplasen me vështirësitë e mërgimit, jasht vendit të tyre.

Cili ka qenë artisti që iu ka frymëzuar në hapat tuaj të parë, të cilin e keni pasur si model dhe keni thënë kështu do të doja të bëhesha në të ardhmen…?

Luciano Pavarotti. Për  momentin jam duke ngjitur shumë shkallë suksesi më shumë se nga sa e kisha menduar, por rruga e karrierës është akoma tepër e gjatë …

Fillimisht u vendosët në Tiranë, e mandej u vendosët me studime në Itali, si kanë qenë fillimet në Itali, a kishte racizëm dhe sot a ka xhelozi mes jush në përgjithësi…?

 

Një sqarim nuk është se të studiosh me Luciano Pavarottin të hapen dyert!! Përkundrazi shtohet më tepër kurioziteti . Pëgjithësi  në ambientin tonë të botës operistike, kanë shumë të bëjnë  cilësitë vokale e artistike pa ato është  vërtet e vështirë,  të fitosh audicione apo të të ftojnë në ndonjë teatër ndonëse mund të jesh plot me diploma, çmime apo dhe të kesh studiuar me një të madh si Pavarotti. Por  sigurisht është e kuptueshme që kurioziteti, ka qen i lart e mendoj se edhe xhelozit e mundshme mund të kem pasur por të them të vërtetën unë nuk e kam ndier dhe aq shumë, përvecse ndonjë rast sporadik të kuptueshëm human. Është gjithnjë vështirë të pranohet një shqiptar në “La Scala” ndonëse një milanez nuk do ta pranoj kurrë këtë gjë.  Gjithsesi e përsëris për mua si Saimir nuk më është mohuar asnjëherë skena.  Një gjë të mir e ka ky ambienti ynë : Që për të talentuarit ka gjithmonë një vend.

U bënë shumë vite tanimë që gjendeni në skenat prestigjioze të botës sa e vështirë ka qenë për të arritur deri këtu?

Shpesh kur them se ky është vetëm fillimi njerëzit më keqkuptojnë, sepse shikojnë karrierën time dhe në një farë mënyre krijojnë një ide të një Saimiri tjetër, por vërtet me sinqeritet e them ky është vetëm fillimi. Jeta e një artisti lirik fillon tani në këtë moshë që unë ndodhem momentalisht. Tashmë kam kënduar disa herë në çdo teatër me rëndësi në botë,  por në këtë fazë të jetës time qëndron vështirësia më e madhe. Të kthehesh në operan e Vjenës në “Metropolitan”, apo “La Scala” me një repertor të ri që të lësh shenjë në çdo rol që këndon… E  pra kjo është një nga vështirësitë më të mëdha që do të përballen vitet e mia të ardhshme .

Si është jeta juaj tanimë që jeni kthyer në një artist famoz të mirëpaguar, pra mund të na përshkruani pak mënyrën tuaj të jetuarit?

Di të them që për momentin jam i kënaqur me gjithçka që jeta më ka dhuruar. Jetoj mirë dhe me mundësinë për të shijuar çdo gjë që dëshiroj, por nuk jam eksigjent në teka apo lukse të kota.  Duke udhëtuar gjithmonë mundohem të gjej komoditete që ma lehtësojnë pak mungesën e shtëpisë time në, Verona. Nuk para i kam qejf hotelet për periudha të gjata kështu që mundohem të gjej shtëpi, kur produksioni zgjat më tepër se 2 javë dhe të them të vërtetën e ndiej veten sikur kam në çdo qytet nga një apartament. Nuk është keq të kesh nga një apartament në çdo shtet që këndoj edhe për një kohë të shkurtër!

Si ndiheni pas çdo koncerti?

Varet nga shfaqja, kur dal mirë sigurisht i gëzuar e kur ndodh e kundërta mundohem të shijoj jetën në vendet e ndryshme ku ndodhem me miq e kolegë  e në këtë mënyrë edhe rikarikohem për shfaqet e ardhshme.

A i pranoni kritikat dhe cilët janë personat që ju i vlerësoni nëse iu bëjnë të tilla?

Sigurisht që po, i dëgjoj të gjitha edhe të atyre personave që duket dukshëm që nuk e kanë idenë se për çfarë flasin, por në mënyrën e tyre shprehin një pakënaqësi. Mëson shumë gjëra nga kritikat, por jo të gjitha duhen dëgjuar deri në fund. Shumë prej tyre vuajnë nga diskografia përshembull, që ta shpegoj më mirë ( dëgjojnë një opera në cd dhe viijnë në teatër e pretendojnë të dëgjojnë të njëjtën gjë.) Është njëlloj si të pretendosh që të hash të njëjtën gjellë të gatuar nga njerëz të ndryshëm, por të jetë e njëjta shije. E pa mundur një gjë e tillë.  Ka të tjerë që mburren se dinë se dikur në 1964 apo… kanë parë një opera me Maria Callas, e kjo sipas tyre i bën edhe me pretendent për tu marr parasysh.  Por ka dhe publik kritik të vërtet siç jam përballur me atë të Vienës , la Scalës apo dhe Metropolitan, New York të cilët nuk duartrokasin apo bëjnë bravo për këdo. Gjithsesi vitet e fundit me teknologjitë e reja dhe socialmedia është rritur numri i të apasionuarve që kritikojnë online e shpesh bëhen edhe shqetësus për teatrin se krijojnë mite të kota që mbas një dekade nuk ekzistojnë më se janë shkatërruar komplet vokalish e ju duhet të pranoj që ata që kishin kritikuar vite më parë janë më të mirët. Por siç dihet deri tani nuk kemi parë ndonjë monument memorial për kritikë, përveçse për artistë të mëdhenj.

Ndërkohë ju keni bashkëpunuar me emra prestigjioze ndërkombëtare si do ta përshkruani bashkëpunimin me gjithsecilin prej tyre? 

Çfare mund t’ju them, të kesh patur regjizor si Zefirelli apo Woody Alen apo të drejtohesh nga dirigjent si Riçardo Muti e Zubin Mehta sigurisht është fat , të ndash skenat e mëdha me njerëz si Domingo apo Gheorghiu etj… mëson tepër …. gjithë këto vite jam munduar vetëm, të përfitoj sa më shumë dituri prej të gjithëve. Kjo mbetet akoma një përparësi .. jam gjithmonë në studim.

Çfarë të mungon nga vendi yt?

Njerëzit, mënyra e të menduarit ashtu shqiptarçe. Shpesh gjuhët e tjera të tjetërsojnë e sa herë vij në Shqipëri kam dëshirë gjithmonë të flas me të gjithë. Mbushem gjithmonë shumë në Shqipëri nga njerëzit…

Si ndiheni kur këndoni në skenat shqiptare?

Shkëlqyer. Ku ka si të të thërrasin ‘bravo’ në shqip.

Çfarë ka diçka që nuk ju pëlqen në vendin tuaj, që ju mërzit?

Pretendimi që kanë në masë njerëzit për të qenë (intelektual). Fakti që ke mbaruar Akademinë e Arteve për kanto (apo dhe për mjeksi) nuk të bën intelektual për mendimin tim. E shikoj shpesh në debate televizive një lloj harbutllëku në çdo temë kur debatuesit nuk dëgjojnë njëri –tjetrin, por veç flasin apo dhe bërtasin që t’ju dëgjohet vetëm fjala e tyre, dhe mendoj gjithmonë me vete, po mirë nëse këta sipas tyre nuk do të ishin intelektualë siç pretendojnë? Jam i sigurt se po të ishin njerëz të thjeshtë, do të respektoheshin më shumë… nejse?  Është fakt që Shqipëria, në përgjithësi duhet të ketë me përgjegjsi për intelektualet e vërtet e të përpiqet t’i njohë t’i respektoj më tepër sepse  jan strukur në apartamentet e tyre dhe presin që një ditë politika t’ju liroj pak vend edhe atyre për të kontribuar edhe ata për vendin e tyre siç ndodh në çdo vend të botës të civilizuar.

Me familjen me sa di jeni shumë të lidhur ?

Shumë, ata janë sekreti i qëndrueshmërisë time si person, por dhe si artist mund ta them me plot gojën. Unë jam më i fortë gjithmonë, ku  ata janë mirë. Kjo lidhje e ngushtë me ta më ka ndihmuar të kaloj shumë vështirësi.

Ne shohim dhe mendojmë se jeta e një artisti famoz është gjithnjë shumë e bukur, por a keni pasur ju momente të vështira në jetë, zhgënjime që mund t’i ndani me lexuesit, si ia keni dalë?

Po sigurisht që nuk është fushë me lule, përgjegjësitë janë tepër të mëdha. Po gjithashtu ka dhe zhgënjime, në një zanat ku sfida është gjithnjë mbrapa derës ka dhe shumë zhgënjime, kuptohet. Ne jemi si gladiatorët gjithnjë në Arenë duke u përballur me kundërshtarin. Ty si artist të duhet gjithmonë të studiosh për të qenë gjithmonë nr 1, se çdo ditë del një zë i ri, një pretendues me aftësi e prirje edhe më premtuese se të tuat, por këtu qëndron edhe mrekullia e vërtet, artisti i mirë nuk është ai që këndon mirë një herë, por që këndon gjithnjë, me ta për të arritur e për të patur jetëgjatësi është shumë e vështirë e nga ndonjë herë i duhet hapur rrugë ndonjë treni më të shpejt. Por siç e thashë artisti i vërtet mbedh barazimin në fund të karrierës e jo gjatë asaj.

Si nis dhe përfundon një ditë e një tenori, mëngjesi, kafeja, koha e përgatitjes?

Zgjimi zakonisht ndodh rreth orës 8-9,  varet nga dita,  ndërsa në shfaqe nga 11-12.  (Ditën e shfaqjes nuk ekziston telefoni emaili, apo ndonjë shqetësim i mundshëm. Mundohem të jem sa më i qetë e përqendruar për shfaqen). Kafe në mëngjes sapo gdhihem, kur jam në shtëpi e pi aty, ndërsa kur ndodhem nëpër teatro zakonisht në kafenet ose kantinat e teatrove, ka gjithmonë humor në këto kafene të mbushura plot me artist, pastaj fillojnë provat, drekat, darkat, pritjet etj… Zakonisht shijoj dhe kam më tepër kohë ditët midis shfaqjeve, aty ka vend edhe për argëtime të ndryshme.

Shumë njerëz ju adhurojnë (jo vetëm vajzat) por  a është ndonjëra që ka rrëmbyer zemrën tuaj…:)?

Përpara disa viteve, një kolegia ime, histori  e cila nuk pati jetëgjatësinë që kishim menduar. Ndërsa tani për momentin jam i lirë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

Inteligjencën. Më  intrigon gjithmonë intuita e inteligjencës te një femër. I perceptojnë gjërat më të plota se ne meshkujt që shpesh rrëmbehemi nga euforia e gjërave.

Cilat janë pasionet dhe hobet e tua?

Më pëlqen të notoj dhe kur mundem, bëj snorkling. Muzika dhe kinematografia janë hobe që nuk iu ndahem asnjëherë …

Cilat janë projektet tuaja në vazhdim?

Sezonin do ta hap me operan“Simon Boçanegra” në Teatrin shekullor “San Carlo Napoli”, pastaj disa koncerte me orkestrën e RAI (t) , gjithashtu në Operën e Vienës do të rikthehem me “Traviatën”,  e Faust-it , e do te vazhdoj me Operan e Zyhri-ut me një produksion të ri të operas “MadamaButterfly”   etj… etj …

Aktualisht keni zgjedhur Veronën dhe pse p.sh, jo New – York-un?

Sepse Verona është tepër e bukur si qytet, imagjinoni Venezian pa detin. Gjithashtu është qytet që mua më ka pëlqyer gjithmonë e jetohet tepër mirë, plus është shumë komod, në çdo aspekt si për nga lidhja me qytetet e tjera por dhe gjithashtu me aeroporte, që për mua janë shumë të domozdoshëm.

Ku do të donit të jetonit në një të ardhme?

Për momentin jam i kënaqur që jetoj në Verona, por në një të ardhme, mbase kur të kem krijuar dhe familjen time do të më pëlqente edhe, në Tiranë.