TIRANË– Pas dorëheqjes së kreut të AKEP, Ilir Zela, Rilindja tashmë duket se ka gjetur edhe drejtuesin e ri të këtij institucioni. Burime për CNA.al bëjnë të ditur se në krye të AKEP-it pritet të emërohet një ndër njerëzit e afërt të kryeministrit Edi Rama.
Mësohet se Rilindja do emërojë në krye të AKEP-it, juristin Thomas Frashërin, shefin dhe këshilltarin e protokollit të kryeministrit. Kujtojmë këtu se një ndër emrat e lakuar për të marrë drejtimin e AKEP-it, fillimisht ishte gruaja e gjyqtarit të shumë akuzuar dhe përfolur Ardian Dvorani, Edlira Dvorani.
Aktualisht ajo është Anëtare e Këshillit Drejtues në AKEP, dhe pritej të merrte postin e Ilir Zelës, i dorëhequr tashmë. Por, Rilindja si duket ka bërë në moment të fundit një lëvizje surprizë, duke vendosur në vend të Zelës, një ndër njerëzit e afërt të kryeministrit dhe një ndër të preferuarit e ministres së Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Thomas Frashëri, Kërkues në fushat e së drejtës publike, historisë, antropologjisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, këshilltar dhe drejtor i Protokollit të Kryeministrit të Shqipërisë, laureat në shkenca ekonomike dhe sociologjike të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës (Institut de France), anëtar i Fondacionit Charles de Gaulle (Paris), anëtar i Komisionit ndërkombëtar të urdhërave kalorsiakë dhe sistemeve të nderimeve publike (ICOC – Spanjë, Itali).
Arsimin e ulët dhe të mesëm e ka përftuar respektivisht në shkollën 8-vjeçare “Elena Gjika – Dora d’Istria” (1997) dhe në Shkollën e mesme të Gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” (dega frëngjisht, 2001). Thomas Frashëri është formuar dhe specializuar në shkollën doktorale të së Drejtës publike dhe Historisë të së Drejtës të Universitetit Paris II – Panthéon-Assas, në të cilin ka mbrojtur tezën e masterit 2 shkencor “Droit administratif de la preuve et nouvelles technologies de l’information et de la communication” dhe është renditur si major i vitit universitar 2007 në drejtësi dhe si laureat i Fakultetit të Drejtësisë të Parisit.
Puna hulumtuese tre vjeçare në shkollën doktorale dhe Institutin Cujas në Paris është shenjuar nga një sërë artikujsh në revistën e Konferencës së Akademive të Francës, “Akademos”, në ndërkombëtaren “Revue Internationale de Droit Comparé”, revistat “Espoir” dhe “Nobiltà” si dhe nga disa seminare mbi të drejtën administrative dhe kushtetuese, frëngë, shqiptare dhe të krahasuar. Në vitet 2010-2014 puna kërkimore u shoqërua me pjesmarrje në politikat reformuese në fushën e përmirësimit të të drejtave procedurale dhe të aksesit në sistemin e drejtësisë në Francë në kuadrin e institucionit të Mbrojtësit të të Drejtave të Republikës franceze (Défenseur des droits), ku punoi si chargé de mission.
Pasi konceptoi dhe drejtoi një seminar mbi protokollin shtetëror si instrument të një diplomacie të suksesshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, u thirr si anëtar i kabinetit të Kryeministrit të Shqipërisë, me funksionet e këshilltarit për koordinimin diplomatik dhe drejtorit të Protokollit. Thomas Frashëri është nderuar me çmime në fushën e shkencave shoqërore (e drejtë kushtetuese, shkenca ekonomike dhe sociologjike, frankofoni etj.) dhe është dalluar me disa tituj nderi nga vende apo organizma të huaja.