Edhe ditën e sotme qytetarët serbë janë mbledhur për të protestuar pranë komunave në veri të Kosovës.
Protesta po zhvillohet përkatësisht para selive komunale në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok. Kërkesat nga serbët janë të njejta, dorëheqja e kryekomunarëve të rinj shqiptar që u zgjodhën më 23 prill dhe forcave speciale të Policisë së Kosovës.
Krahasuar me një ditë më parë, pjesëmarrja e protestuesve sot është më e ulët se dje. KFOR dhe policia kanë krijuar një perimetër sigurie para komunave për të shmangur çdo incident.
Disa protestues serbë kanë sulmuar policinë e Kosovës. Euronews Albania ka siguruar pamjet nga Zveçani. Siç shihet disa persona qëllojnë me gurë një makinë policie, e cila është në lëvizje.
Ndërkohë menjëherë pas këtij veprimi, qytetarët serbët të cilët ndodhen në rrugë duartrokasin veprimin e bashkëqytetarëve të tjerë teksa shfaqen të qeshur.