To top
15 Shk

Dadoja e fëmijës tim e ka emrin Ju Tub!

Dhe jo, nuk është filipineze🙈.

Është mënyra si shqiptojnë ata e ne, kanalin e YouTube në internet. Është ikona që fëmijët e gjejnë aq shpejt në tableta e celularë. Është hapësira e pamatë aspak e mbrojtur ku ne ” fusim” fëmijët tanë sa herë ” s’kemi nerva”…

Hidhini një sy tavolinave të bareve a restoranteve..kudo ku ka fëmijë, shpesh, për të mos thënë gjithmonë, ata që në moshë fare të vogël janë me celularë në duar që shohin video me ngjyra, motive e lëvizshmëri të shpejtë të figurave.

Nuk dua të predikoj, aq më pak të them se fëmijët e mi s’kanë prekur kurrë celular.

Por ama nuk do ta kisha shkruar këtë shënim nëse sot s’do të thosha (me krenarinë e një prindi që ia vuri shumë mendjen këtij problemi ) se vajza ime 6 vjeçare ka plot 45 ditë që s’prek celular me dorë.

Ekrani për fëmijët e vegjël nuk është thjesht burimi i informacioneve a pamjeve të papërshtatshme a të rrezikshme.

E di që shumë do të thonë: unë e kontrolloj çfarë sheh, veç kukulla për moshën e tij/saj..të gjithë ashtu bëjnë, më lë pak kohë të merrem me punë sa sheh YouTube…

Por ja që dëmi është më i madh se sa një dhomë e parregulluar, ca enë pa larë e një kafe me miqtë pa fëmijë që s’të lënë të bësh një bisedë tamam.

Po listoj disa probleme që lindin te fëmijët që kalojnë shumë kohë para ekraneve konsultuar me studime mjekësore e sociale:

• Rritja e rrezikut të miopisë

• Syri i thatë

• Vështirësi në gjumë

• Ciklet e çrregulluara të gjumit

• Obeziteti

• Probleme të qëndrimit ulur për një kohë të gjatë.

• Izolimi social.

• Varfëria emocionale

• Vështirësi në përqendrim

• Performanca mësimore e ulët

• Varësia nga teknologjia

• Vonesa në zhvillimin e gjuhës

Ende nuk e kam përmendur fare rrezikun nga përmbajtjet e papërshtatshme…

Ndaj të dashur prindër na duhet të marrim masa menjëherë, të shohim sa e rëndë është kostoja oportune që krijon tolerimi ynë i kohës që fëmijët kalojnë para ekraneve.

Tani ju do thoni, në teori dakord, por si i bëhet?

Ja një listë tjetër, kësaj radhe me sugjerime si të veproni:

• Jepni shembullin tuaj. Mos e përdorni celularin pa pushim e pa arsye në prani të fëmijëve.

• Përcaktoni kohën e lejuar për përdorimin e ekraneve dhe respektoni atë.

• Zëvendësoni kohën e ekranit me aktivitete fizike, lojëra kreative, lexim, ose ndërveprim social.( ta dini ju sa brum, plastelina e lojëra kanë pushtuar shtëpinë tonë)

• Inkurajoni fëmijët të zbulojnë hobi të rinj, si vizatimi, sporti, apo muzika.

• Vendosni zona në shtëpi ku ekranet nuk lejohen, si dhoma e ngrënies ose dhoma e fjetjes.

• Mos lejoni ekranet gjatë orëve të ushqimit ose para gjumit.

• Organizoni aktivitete familjare (e mbani mend çfarë janë🙈)

• Shpjegojuni fëmijëve pse është e rëndësishme të kufizohet koha e ekranit.

• Diskutoni rreziqet e përdorimit të tepërt të ekraneve, si ndikimi në gjumin dhe shëndetin.

• Qëndrueshmëria është kyç. Mos u dorëzoni nëse fëmijët kundërshtojnë fillimisht.

• Shpërbleni sjelljen pozitive kur respektojnë kufijtë e vendosur.

E.di që s’është e lehtë. E di që do shumë durim, e di.. por prindërimi është përgjegjësi mbi të gjitha.

Ndaj prej shumë kohe më vjen shpesh në mendje një shprehje që thoshte gjyshja ime:

“Me rrit nji fëmi asht si me hap nji pus me gjylpanë”.