Partnerët Shqipëri organizoi sot në mbrëmjen e se premtes, ceremoninë gala ku u shpallën fituesit e konkursit “Çmimi i Filantropisë 2017”.
Prej vitit 2011 Partnerët Shqipëri organizon këtë konkurs publik mbarë kombëtar, për të vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen e falenderimin për individët, familjet dhe bizneset që kontribuojnë për përmirësimin e cilësisë së jetës në shoqërinë tonë.
Në këtë ceremoni morën pjesë një numër i madh personalitetesh nga qeveria shqiptare, deputetë, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, institucione ndërkombëtare dhe agjenci donatore, përfaqësues të sektorit të biznesit, atij jofitimprurës dhe medias.
Fituesit e Çmimeve të Filantropisë 2017 janë si më poshtë:
· Çmimi për Kontribut në Nivel Kombëtar iu akordua Kompanisë TELEKOM Albania, me motivacion:
Për kontributin e dhënë në mbështetje të zhvillimit social, kujdesit shëndetësor dhe mjedisor në vend, e në veçanti për pajisjen me libra artistikë të librarive publike në qytetin e Tiranës, pajisjen me aparatura mjekësore në spitalin Shefqet Ndroqi e Shërbimin e Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe për kontributin e veçantë në fushën kërkimore për luftën kundër dementias nëpërmjet realitetit virtual.
Çmimi u dorëzua nga Zj. Maryam Salim, Përfaqësuese e Përhershme për Zyrën e Bankës Botërore në Shqipëri.
· Çmimi për Kontribut në Nivel Lokal iu akordua Kompanisë HAKO sh.p.k, me motivacion:
Për mbështetjen në fushën e edukimit, shërbimeve terapeutike dhe zhvillimit të fëmijëve e të rinjve me nevoja të veçanta në qytetin e Tiranës.
Çmimi u dorëzua nga Z.Adrian Civici, President i Universitetit Evropian të Tiranës.
· Çmimi për Kontributin si Individ iu akordua Znj. Albana Osmani, me motivacion:
Për kontributin e veçantë në rikonstruksionin e Shërbimit të Onkohematologjisë Pedriatike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe rritjen e solidaritetit dhe sensibilizimit qytetar në ndihmë të fëmijëve të prekur nga sëmundjet e gjakut, përmes fushatës “Ti je një luledielli”.
Çmimi u dorëzua nga Znj.Majlinda Bregu.
· Çmimi special – Pionieri i Filantropisë iu akordua Z. Kristaq Zografi (pas vdekjes), me motivacion:
Për veprimtarinë e tij të shquar në fushën e arsimit dhe kulturës, ku veçohet ndërtimi i gjimnazit të parë në fshatin Qestorat të Gjirokastrës, akordimi i bursave për të rinjtë dhe ndërtimi i disa veprave publike brenda dhe jashtë vendit.
Çmimi u dorëzua nga Znj.Vasilika Hysi, Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
· Çertifikatë Mirënjohjeje iu akordua Z. Gjergji Renja, me motivacion:
Për kontributin e vazhdueshëm në ndihmë të familjeve në nevojë në fshatrat e Beratit, e veçanërisht në mbështetjen e edukimit dhe integrimit të të rinjve në këto zona.
Çertifikata e mirënjohjes u dorëzua nga Znj.Marjeta Ljarja, aktore e skenës shqiptare.