Ish-këshilltari i kryeministrit britanik, Alaister Campbell në një debat të ashpër në BBC për masat e qeverisë britanike për të përballuar krizën e koronavirusit, ka përmenduar një mesazh të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Ish-Sekretari i Shtypit i Downing Street përdori mesazhin e kryeministrit të Shqipërisë për të vënë në dyshim qasjen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për krizën.
Campbell tha: “Më ka shkruar sot një mikun im, Kryeministri i Shqipërisë, duke më dërguar mesazh me tekst; Çfarë dreqin po ndodh?”
Ai shtoi: “Unë mendoj se është e egër mënyra se si kjo qeveri ka thënë vazhdimisht se po udhëhiqemi nga shkenca. Shkenca dhe shkencëtarët janë atje për të informuar, ata nuk janë aty për të udhëzuar. Vendimet duhet të merren, shpjegohen dhe mbrohen nga ministrat”.
Campbell akuzoi kryeministrin Johnson se nuk e kishte marrë seriozisht krizën në fillim.
Mbretëria e Bashkuar ka më shumë se 195,000 raste në total me koronavirus. Numri i të vdekurve në Britani aktualisht është më i lartë se 29,000 njerëz. Një total prej 693 njerëz vdiqën si rezultat i koronavirusit dje në Britani të Madhe.