Artisti i njohur Bujar Luca i cili prej gati 30 vjetësh jeton dhe krijon në Francë, vjen me një ekspozitë personale të çelur këto ditë në Paris. Artisti shtjellon temën e kësaj ekspozite, punimet e paraqitura, të realizuara enkas për këtë ekspozitë, si dhe impresionet mbi artin e tij nga publiku parizien.
Z. Luca këto ditë keni çelur ekspozitën në Paris, mund të na thoni çfarë përmban kjo ekspozitë dhe cila është tema e saj?
Me përjashtim të 2-3 punëve të gjitha veprat e tjera është hera e parë që i ekspozoj. Ekspozitën e kam titulluar «Kodeks 333». Kodeks, sepse në qendër të saj është një lloj kodeksi artistik, janë shenja xhestuale që evokojnë një lloj kaligrafie të paidentifikueshme. Këto «figura» apo shenja kanë një kapacitet evokimi por megjithatë nuk shprehen në terma ngjashmërie. Po aq sa na nxisin të identifikojmë diçka aq edhe na largojnë nga ky identifikim. Numuri 333 në titull, jep po në mënyrë të koduar, nëpërmjet këtyre shifrave (që janë një mbledhje e vlerës numërore të gërmave L.U.C.A.), mbiemrin tim. Pra vetë titulli tashmë synon të nxisë artdashësin drejt një zbulese: për të parë përtej të dukeshmes.
Sa kohë keni punuar për këtë ekspozitë?
3-4 vitet e fundit, kam insistuar në krijime të lidhura me temën e kodeksit por kjo temë bënte pjesë tashmë prej vitesh në krijimet e mija, vetëm nuk e kisha çvendosur në ketë mënyrë. Në ekspozitë janë rreth 40 punime që janë seleksionuar mes më shumë se 400 punimeve në atelier. Zakonisht bëj një maket të galerise (sallës) ku do të ekspozoj, kjo më lejon të zgjedh, duke gabuar sa më pak, veprat që mund të adaptohen me siperfaqen e dhënë si dhe të përcaktoj raportin mes tyre
Ju jetoni në Paris prej mëse 30 vjetësh, mund të na thoni si ndieheni aty dhe si i ka pritur artdashësi francez, punimet tuaja, si ka evoluar piktura juaj në fillimet tuaja?
Kam arritur në Paris i ftuar për të hapur një expozitë në 1990, kjo ekspozitë më bëri të njoh pak publikun francez si edhe disa artistë të cilët nuk ngurruan të më inkurajonin, siç ka ndodhur edhe më vonë. Punimet që ekspozova nuk kisha mundur t’i ekspozojë në vendin tim. Mikpritja dhe shitja e një pjese të mirë të këtyre punëve nuk më penguan të konstatoj shumë shpejt që piktura ime nuk i përgjigjej me dëshirave dhe frymëzimeve që më lindnin nga kontakti më në fund me botën e artit në perëndim (gjë që më kish munguar në vendin tim aq mizorisht, po ashtu siç na kish munguar konfrontimi me artiste të vendeve të tjera).
Ndryshimet në vitet e para ishin graduale, nuk braktisen me lehtësi bindje e teknika që ke fituar me kohë. Në të vërtetë nuk bëhej fjalë për braktisje por për evolucion. Doja të vija në qendër të krijimeve të mija maksimumin e sinqeritetit dhe të spontanitetit. Dëshiroja të bëhej e mundur që piktura ime të mos pengohej nga koshienca dhe nga veprat dhe autorët që kisha dashur e doja.
Dalëngadalë adaptova dhe mjetet që do të më lejonin të realizoja pikturën që shpresoja. Duke dashur të shprehem me lëvizje sa më të vrullshme dhe të lirëshme fillova të punoj me pëlhurat të mbërthyera në dysheme, duke ecur mbi to, e duke pikturuar me penela të gjatë, të cilët me lejonin të pikturoja pa u përkulur e më jepnin mundësira lëvizjesh që vertikaliteti i pikturës se kavaletit nuk t’i lejon.
Ç’farë pëlqejnë më shumë në punimet tuaja dhe përse mendoni ju i veçojnë ?
Pëlqejnë origjinalitetin, shprehen që një vepër të ngjashme nuk kanë parë asgjëkundi, nuk arrijnë dot ta klasifikojnë, (t’a fusin në këtë apo atë rrymë artistike). Shpesh shprehen për forcën dhe ritmin që vepra komunikon, admirojnë kapacitetin për të evokuar ngjashmërira me botën reale, megjithëse asgjë në pikturën time nuk i ngjan ose imiton realitetin.
Admirojnë faktin që nuk tregohet një histori për të tërhequr artdashësin por janë elementët që i përkasin pikturës ato që dominojnë. Pëlqejnë po ashtu evokimin e një realiteti tjetër, komplet i dalë nga fantazia ime, por që ju flet nëpërmjet lidhjeve që seicili gjen sipas kulturës së vet, me të tashmen ose të kaluarën në art.
Ju, personalisht, çfarë mendoni se e dallon pikturën tuaj, ka në të një fill përçues?
Mendoj që e dallojnë çka thamë më lart si dhe origjina ime, temperamenti im, dëshira për tu çliruar nga çdo gjë që mund të më pengojë të shprehem lirshëm.
Në këtë ekspozitë, si edhe në ato që i kanë paraprirë, filli përçues është improvizimi dhe spontaniteti.
Kur filloj një pikturë nuk bëj parapregatitje. Dua t’më tërheqin format që do të lindin nga penelatat e para, ato që dalin pothuaj padijeninë time. Janë pikërisht këto forma që do më japin drejtimin e mëvonshëm të tabllosë.
Kur në çastet e para mbi tabllonë e virgjër peneli im qëndron pezull pa ditur ku të fillojë e nga të shkojë, ai i ngjan një notari që hidhet nga një lartësi marramendëse. Duhet një moment «çmendurie» për tu shkëputur e për t’u hedhur në zbrazëti.
Duhet të mbyllësh sytë për t’u hedhur.
Duhet mposhtur hezitimi, frika.
Në filmin e Çarli Çaplin-it, «K
Kohët moderne» ka një skenë ku Çaplin rrëshqet mbi patina duke egzekutuar me sy të mbyllur një koreografi të mrekullueshme, por kur i thonë që të hapë sytë se është në rrezik, e ai hap sytë dhe vërtet konstaton rrezikun, e që nga ai çast nuk mund të kërcejë më.
Përse? Sepse ka frikë. Pikërisht ky është ndryshimi midis pikturës koshiente e asaj inkoshiente.
Edhe mua inkoshienca «më mbyll sytë» duke mos më lejuar në këtë mënyrë të shoh «koshiencën e boshllëkut».
Tek «Kodeks 333» të gjitha veprat janë ndërtuar progresivisht por duke mos e ditur ç’rezultat do të vijë kur të kombinohen së bashku. Nuk kam shkuar nga pika A në pikën B, pika B nuk më intereson, kur dal shëtitje, nuk dua ta di destinacionin, dhe kur e di që gjatë kësaj shëtitje duhet të kryej p.sh. blerjen e bukës kjo gjë ma prish gjithë kënaqësinë e shëtitjes.
Kur shkoj të bëj pikturë nuk kthehem nga dyqani i bukës… nisem nga periferia e vetvehtes drejt qëndrës sime, dhe nga shumëzimi i veprave arrij në uniken.