Këtë të martë aktivistët e Aleancës për Teatrin dhe protestuesit e opozitës janë mbledhur para ambienteve të Bashkisë së Tiranës, ku dhe po kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Ata e akuzojë Veliajn se është “koka” e korrupsionit dhe se vendi i tij është në qeli dhe jo në krye të Bashkisë së Tiranës. Në mënyrë simbolike ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherësh dhe rivali i Veliajt në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, Belind Këlliçi”, “arrestoi” kryetarin e Bashkisë.
Këlliçi i “hodhi prangat” një protestuesi i cili kishte vendosur në fytyrë një maskë me foton e Erion Veliajt, për t’i përcjellë kështu kryebashkiakut mesazhin se shumë shpejt do të përfundojë para drejtësisë.
“Shumë shpejt prangat do të jenë në duart e Veliajt”, tha Këlliçi ndër të tjera.
Kujtojmë se njëjtë si dhe 6 protestat e kaluara, edhe protesta e kësaj të marte u organizua me skenar të ngjashëm, atë të hedhjes së molotovë dhe flakadanëve në drejtim të hyrjes së Bashkisë së Tiranës.
Këshilltarët bashkiakë kërkojnë për herë të disatë nga efektivët e vendosur gardh para godinës që t’i lejojnë të futen në ambientet e brendshme dhe të ushtrojnë detyrën e tyre.
Me pankarta në duar, ata kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas skandalit me dosjen “5D”, ku në pranga ranë disa drejtorë të Bashkisë së Tiranës dhe janë nën hetim dhe disa të tjerë.
Kjo nuk është hera e parë që qytetarët janë mbledhur para këtij institucioni. Kujtojmë që protesta e javës së kaluar para ambienteve të Bashkisë së Tiranës agravoi në përplasje fizike.