Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen teksa deklaroi se Bashkimi Europian do të japë 100 milion euro nga buxheti i saj për projektin e rindërtimit, dha mesazhe të forta për shqiptarët.
Gjatë fjalës së saj në Konferencën e Donatorëve, Ursula Von der Leyen pohoi se BE është sot me shqiptarët, ndërsa theksoi se e gjithë bota u solidarizua me atë çka përjetoi Shqipëria më 26 nëntor, ku humbën jetën 51 persona dhe qindra të tjerë mbetën pa banesa. Ajo tha se tashmë Shqipërisë i duhet ndihma për të rifilluar nga e para.
“Populli i Shqipërisë e ka vendin në BE. Sot me këtë pjesëmarrje mbresëlënëse tregoni reagimin e fortë ndaj thirrjes së Shqipërisë. E gjithë bota është mobilizuar në mbështetje tuaj. Nga Turqia, deri në Zvicër, e SHBA. Ne kemi parë ekipe shpëtimi serbe dhe kosovare. E kemi parë këtë përtej ndarjes politike. Solidariteti mund të shpëtojë jetë. Në fakt solidariteti ka shpëtuar shumë jetë në Shqipëri. Nevojat e Shqipërisë janë shumë të mëdha. Kostoja e rindërtimit është vlerësuar me 1 miliard euro. Është e qartë se Shqipëria e vetme se përballon dot këtë barrë, ndaj jemi mbledhur këtu. Sot i premtojmë popullit shqiptar se jemi aty për një kohë të gjatë. Solidariteti jonë do jetë i fortë dhe angazhohemi për rindërtimin ën vazhdimësi. Askush nuk mund ta ndjejë boshllëkun e atyre që kanë humbur jetën, por mund të ndihmojmë Shqipërinë që të rifilloje nga e para. Së bashku mund ta bëjmë vendin tuaj më të fortë. 100 milion euro nga buxheti i BE, (përveç 50 milionëshit të parë). Ju ftoj të gjithëve që të ndihmoni Shqipërinë, që të ngrihet në këmbë shpejt. Pas tërmetit shqiptarët kanë treguar se nuk janë vetëm një popull krenar, por kanë një zemër të madhe. Sot jemi në anën e Shqipërisë, në një moment nevoje. Shqipëria do të ngrihet më e fortë dhe më e sigurt në zemër të familjes sonë evropiane dhe unë mbështetem te ju për këtë gjë.”, tha Von Der Leyen.