Janë artistë të brezave të ndryshëm, të cilët bëhen njësh për të krijuar fonde për artin dhe artistët e rinj. Ata u mblodhën në një koncert “për t’i dhënë shpresë artit”, të cilin jo më kot e quajtën “Arti për shpresën”, fondet e të cilit do të shkojnë për ndërtimin e Qendrës Ndërkombëtare Kulturore “Vepra”. Organizuar nga Lëvizja Artistike Kulturore Shqiptare – e krijuar prej dy vjetësh nga Imelda Ahmataj – “Arti për shpresën” erdhi në formën e një koncerti fonde-ngritës nën udhëheqjen artistike të mjeshtrit Agim Krajka. Artistët me vlera të skenës shqiptare, duke filluar nga Mjeshtrja e Madhe Shqipe Zani, Zana Frashëri, Mjeshtri i Madh Kastriot Tusha, Irini Qirjako, Zina Zdrava, Sabahete Vishnja, Fatmira Breçanji, Arianit Hoxha dhe Emiljana Palushaj, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të mjeshtrit të violinës Et’hem Qerimi, u mblodhën tok në këtë aktivitet. Ahmataj e quan simbolike pjesëmarrjen e brezit për të ngritur fonde për brezin më të ri, “pasi ‘Vepra’ është po një nismë e LKASh-së, për të krijuar një qendër artistike kulturore ndërkombëtare në Tiranë, me qëllim akomodimin e profesionistëve dhe artistëve të rinj, të cilët, pak a shumë, janë në rrugë”. Sipas saj, është e rrallë që “artistë të kësaj sëre mblidhen bashkë, si dhe është sinjifikative që brezi, i cili ka vuajtur më shumë se sa mund ta mendojë brezi ynë, të ngrihet për të mbledhur fonde për krijimin e një qendre për të rinj. Ne i dimë alternativat e punësimit, kështu që ne e kemi një shprehje në LAKSh. Ne nuk ankohemi, ne veprojmë! Kështu që kjo ishte nisma jonë, ky ishte veprimi ynë, një hap i vogël por i qëndrueshëm dhe që vazhdon”,- shprehet Imelda Ahmataj, themeluese dhe drejtuese e Lëvizjes Artistike Kulturore Shqiptare. “LAKShja është një organizatë jofitimprurëse, themeluar me qëllim përmirësimin, zhvillimin, demokratizimin e komuniteteve përmes artit dhe kulturës, pasi mendojmë se këto janë dy format më demokratike të të mësuarit. Ajo është e përqendruar në ruajtjen e vlerave tona kulturore, artistike, të pronësisë intelektuale, trashëgimisë historike e natyrale,- shpjegon më tej Ahmataj.- Në thelb, ne synojmë për një aktivizim ndërsektorial se, veçanërisht në një vend si Shqipëria, ku ka mungesë të theksuar fondesh, pa bashkëpunim nuk mund të shkosh kurrkund, veçanërisht të bësh nisma që janë të qëndrueshme. Persona të caktuar, qoftë edhe anëtarë të korporatave të caktuara, mund të mbështesin jo thjesht duke dhuruar. Ne nuk e kemi lënë situatën të na pengojë, të paralizojë në punën tonë, por jemi munduar të bëjmë më të mirën brenda rrethanave, për t’i ndryshuar paksa rregullat e punës, për të punuar me më shumë përgjegjësi, integritet, llogaridhënie, sepse, tek e fundit, po punojmë për një komunitet. Projektet tona janë të prekshme e që synojnë ta përmirësojnë komunitetin nëpërmjet formave më demokratike”, – e përfundon mendimin Ahmataj. Pas koncertit në Tiranë, “Arti për shpresën” do t’i vijojë shfaqjet e tij me një turne në Kosovë, Zvicër e Gjermani, ndërsa më pas edhe në ShBA.