To top
15 Tet

Artan Shabani, Venezia- Tiranë

 

Itinerari i lëvizjeve të tij artistike është i gjatë. Shqipëri -Itali dhe më tej në muzeumet më të njohura deri në qarqet ndërkombëtare. Së fundmi u ndal mes Venezias dhe Tiranës, për t’u vendosur prej tre vitesh në krye të “Galerisë Kombëtare të Arteve”. Bëhet fjalë për artistin e njohur shumëdimensional, Artan Shabani i cili tanimë po drejton institucionin më të rëndësishëm të artit në vend. Një emër i afirmuar në arenën  ndërkombëtare, ai padyshim që është i përzgjedhuri i kryeministrit Edi Rama duke e ftuar të rikthehej në atdhe me një mision të rëndësishëm. Një lëvizje e merituar dhe e vlejtur. Me një eksperincë të vyer në qarqet ndërkombëtare, një bashkëpunim me artistë të huaj të famshëm, një CV të ngjeshur, por edhe si një menaxhues i zoti, Shabani mori përsipër një përgjegjësi sa të madhe, po aq dhe të rëndësishme; kthimin e një fytyre të re të “Galerisë Kombëtare të Arteve”. Vizitorët janë afruar më së shumti në dyert e këtij institucioni, falë angazhimit për t’i dhënë një frymë të re galerisë dhe rikonstruksionit të saj.Kthimi në “GKA” i veprave të dala nga fondi i galerisë, ekspozimi i veprave të artistëve me famë shqiptarë e ndërkombëtare, ka qenë një mision i vështirë, por jo i pamundur për drejtorin Shabani. Ekspresionist, vital dhe tepër kërkues e këmbëngulës duke punuar me orë të zgjatura, ai arrin të çojë në vend gjërat ashtu si i mendon dhe gjykon… duke bërë më të mirën për artin dhe shqiptarët, e siç shprehet hera-herës dhe ai vetë, duke shpresuar të lërë një gjurmë të mirë në të…

Shabani prej gati tre vitesh gjendeni në krye të “Galerisë Kombëtare të Arteve”, çfarë keni arritur të realizoni në institucionin më të rëndësishëm të artit në vend?

– Tre vite nuk janë pak, por nuk janë dhe shumë. Kam ardhur në krye të “Galerisë Kombëtare të Arteve” me disa qëllime profesionale, me një vizion timin si artist, por edhe si njohës i sistemit të artit. Do të doja ta vendoste publiku nëse kam bërë shumë, apo pak. Është e vërtetë që nuk i kam realizuar të gjitha çfarë kam aspiruar për institucionin. Kjo më bën të jem gjithmonë i pakënaqur, në fund të fundit kjo është karakteristikë e pothuaj të gjithë artistëve, por nga ana tjetër jam i kënaqur, pasi nuk ndal asnjëherë së punuari. Në procesin e përditshëm të drejtimit të një institucioni kompleks, ka vazhdimisht vështirësi të cilat lidhen me buxhetet e kufizuara, por e rëndësishme është të punojmë çdo ditë dhe të përpiqemi të bëjmë gjëra pozitive. Nëse duhet të përmend disa nga ato që kam bërë, mund të them se jam i kënaqur për faktin se arrita të ktheja në fondin e galerisë një numër të madh të veprave që ishin marrë prej disa dekadash nga institucionet e tjera shtetërore, kemi realizuar ekspozita të rëndësishme të artistëve të shqiptarë, por edhe shumë bashkëpunime serioze. Jam përpjekur të krijoj një imazh sa më të mirë të galerisë, në promovimin e funksionit të saj, por edhe në rritjen e transparencës ndaj publikut dhe grupeve të interesit.

 

E di që kaq pak kohë nuk mjaftojnë për të arritur qëllimet dhe projektet e gjithsecilit, çfarë ju ka mbetur ende pa bërë?

Siç e përmenda, ka ende shumë gjëra për të bërë. Do të doja të realizonim sa më shpejt linjën e re muzeale dhe për këtë po punojmë, por mbi të gjitha do të doja të bëja të mundur një rikonstruksion të plotë të godinës së “GKA-së” dhe pse jo të një hapësire të re për fondin.

Cili do të jetë aktiviteti i “Galerisë Kombëtare të Arteve” për vitin 2016?

Ndër projektet e rëndësishme është ekspozita e artit bashkëkohor që do të përfaqësojë artistët shqiptarë në “Ludwig Museum” në Budapest. Kemi muaj të tërë që po punojmë për këtë projekt dhe mendoj se do të na përfaqësojë denjësisht. Gjatë sezonit të verës kemi dy ekspozita që përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të fondit të “GKA”, në Krujë dhe në Sarandë. Këto ekspozita do t’u shërbejnë banorëve dhe vizitorëve të këtyre qyteteve turistike të shohin nga afër veprat e piktorëve shqiptarë. Do të kemi në fund të vitit edicionin e XXII të ekspozitës ndërkombëtare “Onufri” dhe shpresoj linjën e re muzeale të “GKA”.

Si është raporti i vizitorëve në “Galerinë e Arteve”?

artan shabani

Vizitorët nuk kanë munguar asnjëherë dhe unë jam i kënaqur. Krahas grupeve të huaja, ndër vizitorët më besnikë janë nxënësit e shkollave dhe të gjimnazeve. Numri i vizitorëve është gjithmonë në rritje, pasi edhe aktivitetet tona kanë qenë vërtet të shumta dhe të larmishme.

Galerisë mendoni se i duhet një piktor shumë i mirë apo një menaxhues i zoti?

Mendoj në radhë të parë një menaxhues i zoti. Pse jo, të mos i këtë të dyja, por menaxhimi është shumë i rëndësishëm. Drejtimi, mbarëvajtja dhe suksesi lidhen patjetër me një menaxhim të mirë.

 

Si janë marrëdhëniet tuaja me kryeministrin e vendit z. Edi Rama?

Janë marrëdhëniet e çdo qytetari dhe shtetasi me kryeministrin e vendit. Janë marrëdhëniet e drejtuesit të një institucioni kulturor me kryeministrin.

 

 

Si janë raportet tuaja me artistë të tjerë?

Mundohem të kem në radhë të parë marrëdhënie sa më korrekte me të gjithë. Kam shumë miq, miq të afërt dhe të largët, por nuk e mohoj që ndonjëherë për shkak të pozicionit marrëdhëniet bëhen delikate. Megjithatë edhe këto marrëdhënie janë të tilla vetëm për shkak të pozicionit si drejtues i “GKA-së”, ndërsa si njeri dhe artist marrëdhëniet e mia nuk ndikohen nga pozicioni aktual.

Po me artistët ndërkombëtarë shqiptarë është folur për projekte, prurje dhe afrime të tyre pranë vendit dhe vizitorëve shqiptarë…Ç’po ndodh?

Bashkëpunimet nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë. Bujar Luca, Helidon Gjergji, janë ndër shembujt konkretë të cilët u kthyen tek publiku shqiptar. Jemi përpjekur të afrojmë sa më shumë prej tyre. Në muajt në vazhdim do të presim Alkan Nallbanin që jeton në New York dhe po ashtu Bashkim Ahmetin, ndërkohë që ka edhe shumë emra të tjerë, por do i zbulojmë hap pas hapi.

Cilat janë projektet tuaja më të afërta?

Krahas projekteve që lidhen me “Galerinë Kombëtare” dhe që i përmenda më lart, sa i takon angazhimit tim si artist dhe kurator, mund të përmend kurimin e ekspozitës “Muslim Mulliqi”, çmimi më i rëndësishëm në artin pamor në Kosovë i cili do të zhvillohet në muajin

Të qenurit në krye të institucionit më të rëndësishëm të artit në vend ju ka shkëputur disi dhe me botën jashtë, kontaktet me galeritë ndërkombëtare, si po i ruani këto raporte përfshirë këtu dhe artistët apo miqtë tuaj përtej kufijve?

Kontaktet nuk i kam më si artist i lirë (edhe pse kjo nuk përjashtohet), por si drejtues i “Galerisë Kombëtare të Shqipërisë”. Angazhimet e përditshme është e vërtetë që më kanë shkpëputur disi, por unë vazhdoj të mbaj komunikim me artistët dhe galeritë që kam bashkëpunuar si dhe me galeritë dhe muzetë me të cilat kemi vendosur bashkëpunimet e reja gjatë këtyre tre viteve.

 

Ju keni bashkëpunuar me mjaft artistë ndërkombëtarë të famshëm…


Po kam bashkpunuar me një sërë kuratorësh të huaj, si: Mihnea Mircan, Vest and Page, Lidia Prebisova, etj. Artistë ndërkombëtar kanë qenë Sigmar Polke, Abramovic & Ulay, Yoko Ono, Boris Nieslony, Jan Fabre, Devrim Erbil, Robert Hackman, Santiago Sierra, Jonas Staal, Ciprian Murresan, etj.

Një pjesë e mirë e jetës tuaj ka kaluar në Venezia … çmund të sillni në kujtesë nga ato vite?

Në Venezia pjesën më të madhe të kohës e kaloja duke ndjekur Bienalet, ekspozitat në muzeume dhe në fondacione të ndryshme. Pra një jetë e ngazhuar totalisht me artin. Sigurisht që i dedikoja kohë pikturës dhe leximit. Venezia ngelet një pikë e fortë referimi për artin dhe bukurinë unike në arkitekturë, është qytet që adhurohet nga gjithë turistët e botës dhe tepër i vizituar, por e rëndësishme është zona e Venettos si qytetet Treviso, Padova, Verona, dhe pjesa e liqenit të Gardës, me qyteza romantike si Peschiera apo Tremosine, gjithashtu zona e Alpeve të Dolomiteve. Ruaj kujtime mbresëlënëse dhe në mënyrë të veçantë lindjen e dy fëmijëve të mi në Oderzo, e gjitha kjo për mua ka një rëndësi të veçantë…