To top
16 Shk

“Arrestimi i Veliajt ishte i padrejtë”. Lorenc Vangjeli: Nuk mund t’i heqësh të drejtat dhe ta kalbësh në burg

Analisti Lorenc Vangjeli e ka cilësuar si të padrejtë arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e krahasuar me rastet e Ilir Metës dhe Sali Berishës. Sipas tij, ndalimi i një individi pa një vendim të formës së prerë nuk përputhet me parimet e një drejtësie të drejtë.

I ftuar në News24, Vangjeli theksoi se pavarësisht defekteve, drejtësia sot është më e lirë nga ndikimi politik, duke mos qenë më në shërbim të pushtetit.

“Sot sistemi ka liri për të vepruar, ajo është çliruar nga tutela e politikës, ka qenë deri dje klient i saj, sot me të mira me të këqija, me defekte apo epërsi, ka krijuar këtë liri. Në ka një lajm të mirë sot është armiqësia e dy njerëzve më të pushtetshëm, Berishës dhe Ramës ndaj SPAK.

Lajmi i keq do të ishte nëse do të ishin të lumtur, por fakti që janë të shqetësuar në mënyra të ndryshme ndaj SPAK, është lajmi më i mirë që kanë marrë shqiptarët në këtë kohë. Unë mendoj se zoti Veliaj nuk duhet të ishte arrestuar, njësoj siç duhej bërë me Ahmetajn, Metën apo me zotin Berisha.

Një sistem që ka individin në qendër, kur dyshimet mbi individin janë në favor të tij dhe jo kundër tij, nuk e ccojnë individin në burg. Provo njëherë akuzën, pastaj të paguajë me burg. Burgu nuk është paradhënie, Veliaj, Meta apo Berisha po të doni, janë palë të barabarta në proces, çdo fjalë që thotë prokurori është e barazvlerëshme me atë që thotë individi përballë tij. Në momentin që ti e kalb brenda, e fut në qeli, i ke hequr të drejtën të përballet i barabartë në proces,” tha analisti.