Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me arrestimin në flagrancë të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro. Në turin e falenderimeve në Tiranë, kreu i qeverisë është shprehur se Duro është kapur duke marrë lekë, gjë të cilën Rama e ka konsideruar të rëndë. “Një Sekretare e Përgjithshme kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person që është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti. Uroj të ketë sa më shumë të tilla, por s’mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla. Është realisht diçka e rëndë. Mungesa e sensit të patriotizmit, sensit të detyrës, mungesa e sensit të etikës, në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli është realisht e tmerrshme”- tha Rama. Është arrestuar ditën e sotme sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro. Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se arrestimi i zyrtares së lartë është bërë me urdhër të SPAK dhe ajo akuzohet për veprën penale të korrupsionit. Në pranga ka rënë dhe punonjësja tjetër e MSH Laura Sheto.