Ardita Bonatti, është një zonjë që prej katër vitesh, qëndron në krye të një institucioni siç është Nxitja e Biznesit Social. Një risi e propozuar prej shtetit shqiptar, ku ndihmon, përkrah, dhe promovon nxitjen e biznesit dhe sipërmarrësve sociale. Ajo që të bën përshtypje teksa e takon këtë zonjë, është përkushtimi, vëmendja dhe energjia pozitive që pëcjellë tek këta grupe individësh të cilëve u jep një dorë për t’i bërë të ecin përpara. Në një intervistë Bonatti shpjegon arsyen e ngritjes së këtij intitucioni, risitë, dhe përkrahjen e ofruar…
Znj. Bonatti, prej vitesh jeni në krye të të vetmit institucion publik që mbështet, promovon dhe nxit sipërmarrjen sociale në vend. A mund të na tregoni se çfarë kuptohet me sipërmarrje sociale?
Agjensia “Nxitja e Biznesit Social” është një ent publik i krijuar katër vjet më parë dhe që ka në fokus nxitjen, mbështetjen dhe promovimin e sipërmarrjes sociale në të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike. Biznesi social konsiderohet ai biznes i cili funksionon si një biznes normal në treg por që adreson zgjidhjen e një problemi social dhe mjedisor. Ky lloj biznesi është i prirur drejt të qënit një biznes i suksesshëm me të ardhura në rritje, por ndryshe nga biznesi normal fitimi i realizuar gjatë veprimtarisë së tij nuk u shpërndahet pronarëve, por investohet sërish për të zgjeruar aktivitetin me qëllim rritjen e numrit të përfituesve, që në shumë raste janë vetë të punësuarit në të, ose të hapi një biznes tjetër po me fokus social. Më konkretisht në Shqipëri ekziston një biznes social i quajtur “Designed by Pana” i krijuar tre vjet më përpara nëpërmjet një projekti i fokusuar në përdorimin e materialeve të riciklueshme për prodhimin e mobiljeve me cmime të arsyeshme për çiftet e reja. Duke ofruar zgjidhje për këtë problem të cilin hasin çiftet reja ky biznes nga tjetër ofroi mundësi punësimi për pensionistë, mjeshtra në profesion, të cilët ja përcjellin profesionin e zdrukthtarisë të rinjve pa profesion dhe që vijnë nga familje me probleme social-ekonomike. Fuqizimi i këtij biznesi në këto vite pasqyrohet në rritjen e numrit të të punësuarve. Pra nëpërmjet ngritjes së një biznesi të tillë u ofrua zgjidhje për çiftet e reja që të siguronin mobilimin e shtëpisë me çmime më të ulta se tregu por me cilësi, nga ana tjetër ofrojë mundësi për rritjen e të ardhurave të pensionistëve dhe një mundësi shumë e mirë për punësimin e të rinjve të përjashtuar nga tregu i punës.
Cila është konkretisht mbështetja që ju u ofroni sipërmarrësve dhe sipërmarrjeve socialë?
NBS që nga krijimi e deri më sot është fokusuar në identifikimin e strukturave shtetërore dhe lokale,në organizatat dhe entet të cilat në veprimtarinë e tyre përfshijnë edhe mbështetjen e grupeve në nevojë, mbështetjen për zhvillim ekonomik dhe rajoneve të caktuara. Po ashtu në këto vite kemi ngritur një rrjet bashkëpunimi me donatorët dhe organizata jo qeveritare që kanë në fokus objektiva të njëjta apo të ngjashme me NBS. Stafi i NBS ka shkelur gjeografikisht të gjithë vendin përfshi zonat rurale dhe vecanërisht ato të thella ku ka kontaktuar me përfaqësues të institucioneve, me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të religjioneve kryesore, të sipërmarrjes si dhe me vetë komunitetet në përpjekje për të indentifikuar problematikat të cilat has komuniteti dhe mundësitë dhe burimet për zgjidhjen e tyre nëpërmjet ngritjes dhe fuqizimit të sipërmarrjes dhe inovacionit social në këto zona.
NBS nuk mbështet me fonde por me ekspertizë si dhe ndërmjetëson për gjetjen e fondeve si dhe drejton, asiston dhe ndërmjetëson me donatorët për mbështetjen e ideve të sipërmarrjes sociale qoftë kur vijnë nga individi, grup individësh apo organizata.
Deri më sot cilat janë rezultat konkrete që do të donit të veçonit? Sektorët, grupet shoqërore dhe zonat në të cilat keni ndërhyrë deri tani?
Agjencia ka qënë protagoniste në Lëvizjen e Biznesit Social iniciuar nga Qeveria Shqiptare falë të cilës u ngrit i pari inkubator pilot të Biznesit Social për ofrimin e asistencës,trainimeve dhe ndërtimin e rrjeteve të partnerve për nismat e biznesit social; po ashtu u organizua Konkursi i Ideve të Biznesit Social në përfundim të të cilit u mbështet ideja fituese për ngritjen e një biznesi për persona me aftësi e kufizuar, nderkohe që u finacuan me strat-up 8 biznese sociale, pjesmarrëse në këtë konkurs. Ky konkurs pati një impakt shumë të madh pozitiv në rrjetet sociale dhe këtë vit do të organizohet përsëri nga Agjensia mbështetur nga donatorët tanë.
Gjatë vitit 2014 ndërhyrja e NBS ka qenë konkrete nëpërmjet implementimit të projekteve të fokusuara në formimin profesional dhe punësimin e të rinjve. Konkretisht, me mbështetjen e Projektit “Adresimi në nivel lokal i sfidës së punësimit të të rinjve”, realizuar nga Organizata Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe UNDP, me mbështetjen financiare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC, Agjencia “Nxitja e Biznesit Social” zbatoi komponentin e fokusuar në formimin profesional dhe punësimin në fushën e artizanatit të 100 të rinjve në Qarkun Shkodër dhe Kukës. Në gjashtë muaj këta të rinj u trajnuan nga mjeshtra të artizanatit në tetë zeje. Menjëherë pas përfundimit të trajnimit 55% e të rinjve u punësuan dhe /ose u vetëpunësuan në zejet përkatëse, ndërkohë që të rinjtë e tjerë po asistohen nga Agjencia për t’u integruar në tregun e punës nëpërmjet ngritjes së sipërmarrjes/sipërmarrjeve sociale.
NBS në këto vite ka qenë aktive në organizimin e eventeve sensibilizuese por edhe që bashkojnë të gjithë aktorët që veprojnë në fushën e sipërmarrjes sociale. A mund të njihni me eventet kryesore në këto vite edhe lexuesit tanë?
NBS që nga krijimi i saj ka organizuar një sërë eventesh sensibilizuese dhe informuese në të gjithë vendin me karakter lokal dhe kombëtar. Këtu mund të veçoj evente shumë të rëndësishme me pjesëmarrjen e figurave të nivelit më të lartë qeverisës dhe e trupit diplomatik, si:Konferenca Kombëtare e Biznesit Social në Tiranë në Maj 2012 dhe
Forumi i Biznesit Social në Janar 2013 me pjesmarrjen e gjerë të gjithë aktorëve, të Qeverisë, trupat diplomatike , NGO, Universiteteve, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare, Bankave, Konfederata Dhomave të Tregtisë, ëorkshope të ndryshme dhe laboratore janë mbajtur në të gjithë vendin veçanërisht në universitetet, në të cilat është prezantuar Lëvizja Githëpërfshirëse e Biznesit Social në Shqipëri dhe pjesmarrësit janë ftuar të jenë aktiv në këtë lëvizje dhe t’i bashkohen asaj.
NBS gjatë dy viteve të fundit ka qënë organizatore ose bashkëorganizatore në të gjitha panairet kombëtare dhe lokale të artizanatit nëpërmjet të cilave është nxitur zhvillimi i këtij sektori si një mundësi reale dhe me potenciale të mëdhaja për rritjen e të ardhurave për artizanët që zhvillojnë aktivitetin e tyre kryesisht në zonat rurale dhe si një mundësi për trashëgimin e traditës nëpërmjet punësimit të të rinjve.
Prej një viti NBS është partner implementues i projektit “Ngritjen dhe zhvillimin e sipërmarrjeve sociale për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe inovative” – EFESEIIS, i cili po zbatohet në nëntë vende anëtare të BE dhe dy kandidate, me një kohëzgjatje 3 vjeçare. Në këtë kuadër Agjencia ka organizua konferenca dhe tryeza të rrumbullakta në Tiranë, Durrës, Kukës, Shkodër, Përmet dhe Gjirokastër në të cilat ka ndarë me partnerët dhe grupet e interesit informacion të nevojshëm dhe të dobishëm rreth situatës së sipërmarrjes sociale në Shqipëri, legjislacionit, institucioneve përgjegjëse si dhe të ardhmes së këtij sektori në vend mbështetur edhe në përvojën evropiane.
Si e vlerësoni sensibilitetin dhe ndihmën që kanë dhënë dhe duhet të japin institucionet qeveritare, po sipërmarrësit dhe individët ?
Ishte vetë qeveria shqiptare që krijoi një Agjenci të posaçme për zhvillimin e sektorit të biznesit social në vend, që tregon sensibilitetin e lartë të saj. Ministria e Mirëqënies dhe vetë ministrin Veliaj kanë qenë dhe janë mbështetësit më të mëdhenj të veprimtarisë së Agjencisë.
Ekziston prej 15 vjetësh në Shqipëri modeli më i veçantë dhe i suksesshëm i sipërmarrjes sociale, YAPS i ngritur dhe mbështëtur nga bizneset dhe organizatat më të mëdhaja që veprojnë në vend si Unicef, Vodafon, Banka Intesa San Paolo, Boga Associate, etj . Duhet që këtë model dhe këtë eksperiencë ta ndajmë me të gjithë sipërmarrësit seriozë dhe të suksesshëm që punojnë në Shqipëri.
Interesi i individëve falë sensibilitetit në rritje ka ardhur duke u rritur. Tashmë kemi bizneset e para sociale të ngritura me iniciativën e individëve. Sigurisht që ende jemi në hapat e para krahasuar me vendet në të cilat sipërmarrja sociale ka një historik shumë të gjatë.
Ardita, ju keni jetuar prej shumë vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çfarë sollët nga eksperienca juaj atje dhe sa ju shërbeu në detyrën tuaj për të menduar dhe për të ndihmuar këto shtresa në nevojë?
Eksperiencat e mia të mëparshme janë Caritas Albania dhe Ëells Fargo Bank –USA duke i bashkëngjitur edhe studimet master në administrim biznes, MBA në USA.
Unë dua të them se jam shumë me fat që në jetën time kam pasur nderin dhe privilegjin të punoj me këto dy institucione shumë të njohura dhe me një reputacion social dhe ekonomik.
Caritas Albania është pjesë e Caritasit Internacional, kam punuar 12 vjet drejtoreshë e Departamentit të Financës dhe burimeve njerëzore. Një eksperiencë shumë e veçantë dhe unike në fushën e projekteve sociale dhe zhvillimore si dhe në bashkëpunim me komunitetin duke u përballur me vështirësitë dhe problemet e shtresave nënevojë, me emergjenca dhe përmbytje në të gjithë vendin.
Ndërkohë që kur shkova në USA puna në Wells Fargo Bank prej 7 vitesh më përballi me një realitet krejt tjetër nga ai i Caritasit, me një kapitalizëm të mirëfilltë ku të gjithë përpiqen të vrapojne dhe të sigurojnë të ardhura sa më të larta dhe që janë në konkurrencë të vazhdueshme me kolegët e punës. Por nga ana profesionale më shërbeu shumë për njohjen e tregut, rregullat e konkurrencës, sistemin bankar, mikrokreditë, investimet e mira dhe të këqija, marketingun si një nga fushat që në USA është ”number one” e çdo kompanie, e kështu me rradhë.
Mendoj se këto dy eksperienca më kanë ndihmuar shumë në punën time të deritanishme sepse ajo çka po bëjmë ne është një gërshetim i problemeve sociale dhe shtresave në nevojë me mënyrat, rrugët dhe mundësitë finaciare dhe investimet e duhura për t’i ndihmuar këto shtresa të integrohen në shoqëri me mundësitë dhe aftësitë e tyre në mënyrë që dhe ata t’i fitojne të ardhurat e tyre me dinjitet nëpërmjet punës dhe sipërrmarrjes sociale.