Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi zhvilloi njw takim me ambasadorin e Shtetit të Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri. “Solidariteti i Emirit, Asamblesë Konsultative, Presidentit të Asamblesë dhe popullit të Katarit është një inkurajim i madh për të përballuar pasojat e tërmetit. Ne shqiptarët kemi një fjalë të urtë që thotë se miqtë e mirë duken në ditë të vështira. Ndihmën tuaj nuk do ta harrojmë kurrë. Megjithë përpjekjet tona, jemi të vetëdijshëm se burimet financiare dhe kapacitetet teknike të Shqipërisë janë të kufizuara dhe të pamjaftueshme për të përballuar fazën e rindërtimit. Prandaj e kemi të nevojshme ndihmën dhe kontributin e Shtetit të Katarit dhe jemi të bindur se ajo do të vazhdojë”, theksoi Kryetari i Kuvendit.
Ruçi shprehu gjithashtu mirënjohjen për kontributin e Ambasadës dhe Ambasadorit të Shtetit të Katarit, për ndihmat emergjente për familjet e prekura nga tërmeti në Durrës, Thumanë, Vorë, Kavajë. Ambasadori Ali bin Hamad Al-Marri nënvizoi se “Mbështetja e Katarit për Shqipërinë do të vazhdojë përtej ndihmave të emergjencës, duke u fokusuar kryesisht në rindërtimin e ndërtesave të shërbimeve publike. Nesër vjen në Tiranë një delegacion i Fondit të Zhvillimit të Katarit për të vlerësuar nevojat. Ndihma jonë do të vazhdojë deri ditën e fundit të rindërtimit” vuri në dukje Ambasadori Al-Marri.