Ambasada e SHBA-ve në Tiranë uron Shqipërinë për 12 vjetorin e aderimit të vendit tonë në NATO. Selia diplomatike në Tiranë ndan mesazhin e ish-presidentit George W. Bush, gjatë vizitës së tij historike në Tiranë, në 10 qershor 2007.
Më tej Ambasada Amerikane shkruan se Shqipëria mund të mbështetet te SHBA, ashtu si SHBA mund të mbështetet te Shqipëria, më shumë se kurrë.
Postimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë:
“Shqipëria është një mike e besuar dhe një aleate e fortë. Dhe shpresoj se vizita e sotme do të dërgojë tek populli shqiptar mesazhin se ju mund të mbështeteni tek Amerika, ashtu si Amerika mund të mbështetet tek ju, për të punuar fort për të përhapur lirinë dhe, si rrjedhojë, paqen,” – ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara George W. Bush gjatë vizitës së tij historike në Tiranë më 10 qershor 2007, teksa Shqipëria përgatitej të hynte në NATO.
Sot, Shqipëria feston 12 vjet anëtarësim në NATO dhe Shqipëria mund të mbështetet tek Shtetet e Bashkuara, ashtu si Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten tek Shqipëria më shumë se kurrë. Gëzuar përvjetorin e 12-të, Shqipëri!