Ema Andrea, është nderuar me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”, për rolin e saj në shfaqjen “Negotiating Peace”, një bashkëprodhim teatror ndërkombëtar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia.

Aktorja e mirënjohur u nderua me këtë çmim për rolin e saj në dramën e Jeton Nezirajt ‘Negotiating Peace’, në regji të Blerta Nezirajt.

Për mua, nje vlerësim profesional që vjen nga vendi ku kam ‘shkruajtur’ libertà 30 vjet më parë, e ku kam ndërtuar fije ëndrrash, është një kufi prej uji e toke më i sigurt në rrugën ku paskam ecur e nuk paskam ditur që jam shumë me fat”, u shpreh aktorja Andrea për çmimin.

Për çdo vit, që nga viti 1998 Soroptimist International d’Italia – Club Cividale del Friuli ndan çmimin prestigjioz “Adelaide Ristori” për artisten/in më të mirë të edicionit paraprak të Festivalit Mittelfest, në nderim të aktores që u lind më 29 Janar, 1822 dhe u bë një nga gratë më të rëndësishme të teatrit evropian dhe perëndimor në shekullin XIX.