To top
13 Jan

Akti i Ilir Metës nuk mjafton, duhet shumë më tepër

Këto ditë të krizës së madhe president- kryeministër, “dashnorë” të Kushtetutës dhe nevojtarë të përhershëm të pushtetit, janë përfshirë në një debat argumentash mbi të drejtën e kreut të shtetit për të refuzuar ose jo dekretin për një anëtar të qeverisë. Diskutime e ligjërime mbi kompetencat e presidentit në një republikë parlamentare, nuancat juridike mes dekretit të shkarkimit dhe atij të emërimit, krahasime proceduriale gjithfarësh nga vendi dhe bota, të krijojnë idenë se bëhet fjalë për një konflikt institucional në Britani, SHBA apo Francë, ku pushtetet janë qartësisht të ndara, ku demokracia parlamentare funksionon pa të meta, ku qeveria nuk i kalon vijat e kuqe dhe ku gardianët e saj vigjëlojnë në emër të qytetarëve ndaj çdo shkelje apo abuzimi.

Të gjykosh aktin e Ilir Metës në një kontekst të tillë të pastër teorik e juridik, refuzimi i tij mund të jetë nonsens në një republikë parlamentare, por ta ndalësh kufirin e diskutimit deri këtu, është të mbyllësh sytë përballë krizës reale në të cilën gjendet vendi. Krizës së sistemit të demokracisë përfaqësuese, që me Edi Ramën po degradon rrezikshëm.

Të bërtasësh për shkeljen që presidenti po i bën Kushtetutës me refuzimin e një ministri dhe të heshtësh ndaj shkeljeve flagrante që i bëhen çdo ditë ligjit, të drejtave të qytetarëve, lirisë së fjalës, pasurisë publike e asaj private, ngjan me një karikaturë qesharake të peisazhit social që jetojmë çdo ditë.

Diskutohet për shkelje të Kushtetutës, në të vetmin vend në Europë që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese. Në një vend ku drejtësia në përgjithësi nuk funksionon, ku prokurori i përgjithshëm zgjidhet vetëm me votat e shumicës dhe mbyll sytë e veshët karshi abuzimeve që u vjedhin çdo ditë shqiptarëve paratë dhe shpresën.

Flitet për procedura juridike, në një kohë kur grabitje të pronës publike bëhen me ligje të veçanta që i kritikon dhe vetë BE, ku PPP dhe konçensione shpërndajnë në duart e një grushti njerëzish pasurinë e 3 milion të tjerëve dhe asksush nuk është në gjendje t’i ndalë. Ku shkelet e drejta e të paturit të një strehe duke shembur shtëpitë e të pafuqishmëve dhe duke ngritur kullat e pushtetit, ku nëpërkëmbet ligji i paprekshmërisë së universiteteve dhe studentët rrihen nga policia.

Analizohet efekti i një dekreti mbi demokracinë tonë hibride, ndërkohë që vota e popullit është marrë peng nga listat e kryetarit që cakton si përfaqësuesit më të lartë të tij, banditë, kriminelë, injorantë dhe dallkaukë, nga Kuvendi (i republikës tonë që qënkërka parlamentare) deri tek bashkitë e komunat (që qënkërkan të decentralizuara).

Quhet skandaloz akti i presidentit për këtë republikë, ku kemi parë ministra që akuzohen si pjestarë të organizatave kriminale dhe mbrohen nga kryeministri, të zgjedhur lokalë e qëndrorë që dënohen si maniakë seksualë, përdhunues e deri vrasës dhe vazhdojnë të jenë pjesë e oborrit të pushtetit. Republika e Rilindjes ndihet e lënduar nga qëndrimi i kreut të shtetit, por vetë ka marrë peng të ashtuquajturën demokraci liberale duke ekzekutuar konkurrencën e lirë, duke kontrolluar drejtësinë, duke tentuar t’i mbyllë gojën shtypit, duke varfëruar vendin dhe pasuruar kupolën, duke i privuar shqiptarët të jetojnë me dinjitet njerëzor në shtëpitë e tyre.

Në Shqipëri, trupat e ndërmjetëm mes qytetarëve dhe pushtetit, që mund të garantonin një lloj kontrolli të të parëve mbi të dytin, nuk ekzsitojnë më. Sindikata e shoqëri civile, jo se jo, por tashmë janë eleminuar edhe vetë partitë politike si aktore të ndërmjetme mes zgjedhësve dhe qeverisë. Organizata e Rilindjes e ka asgjesuar Partinë Socialiste dhe manifestimi më i mirë i kësaj ishte ajo që ndodhi së fundmi me ndryshimet në qeveri. E drejtë kushtetuese e kryeministrit do të thoshte dikush prej nevojtarëve. Po, e drejtë e kryeministrit që e aplikuar pa asnjë filtër kontrolli, llogaridhënie e transparence, çon në emërimin e kukullave të panjohura dhe të shkëputura thuajse krejtësisht nga përfaqësimi i atyre që votojnë dhe pa asnjë përgjegjësi direkte ndaj qytetarëve. Qoftë edhe për t’i vënë një pengesë këtij sistemi sulltanati, refuzimi i Ilir Metës është një shkelje e bukur e Kushtetutës së bërë leckë.

Përballë një pushteti të tillë, kundërvënia me një dekret është gjëja më e paktë që mund të bëhet. Në një vend me qytetarë më të angazhuar dhe një opozitë të lirë, me siguri që do bëhej shumë më tepër. Përballë një pushteti të tillë, nuk ka asnjë vlerë respektimi i normave kushtetuese përsa kohë që për pushtetin nuk ka vlerë respektimi i të drejtave të shtetasve të tij. Ndaj një regjimi që e tejkalon të drejtën që i jep vota, reagimi i çdo institucioni apo pushteti tjetër ende të pakapur, për ta frenuar atë, është legjitim. Reagimi i Ilir Metës është një akt që nuk mjafton.