To top
15 Pri

COD 10 vjet. Jetona Koçibelli rrëfen risitë dhe drejtimin e Qendrës

 

Prej gati një viti COD-i  (Qendra Për Hapje dhe Dialog), në kryeministri, po drejtohet nga gazetarja e kulturës dhe artit, Jetona Koçibelli. Një emërim që ngjalli mjaft xhelozi, por që Jetona me pozitivitetin e saj, ambicjen dhe energjinë që e karakterizon, duket se po i’a del mbanë.

COD, është ideuar dhe krijuar që prej 2015 nga vetë Kryministri z. Edi Rama, kjo qendër i dedikohet artit, profesionistëve në fusha të ndryshme, ku publiku i gjerë dhe artëdashësit të mund të ndjekin nga afër këto projekte sa më transparente, si dhe të nxisë dialogun mes publikut dhe institucioneve. Drejtorja më e re e kësaj qendre, Koçibelli rrëfen angazhimet, sfidat, risitë dhe punën në këtë institucion, në sektorin e artit dhe kulturës, pa lënë më pas dhe fushën e gazetarisë…

Jetona, “COD-i” bën plot 10 vjet. Për të gjithë ata që nuk e dinë çfarë është “COD-i”, a mund të na thoni se si u krijua dhe për çfarë shërben?

COD-i është shkurtimi i emërtimit anglisht (Center for Openness and Dialogue) të Qendrës për Hapje dhe Dialog. Kjo qendër u krijua në vitin 2015 dhe ndodhet në ndërtesën e Kryeministrisë. Ajo erdhi si një nismë për të rritur transparencën, për të pasur një bibliotekë brenda institucionit, për të krijuar një hapësirë të re për intelektualët dhe artistë dhe për të mbështetur vendimmarrjen e informuar. Tashmë kjo qendër unike, e përshtatur në zyrat e qeverisë, shërben si një pikë mbështetjeje dhe promovimi për projektet, veprimtaritë, nismat dhe bashkëpunimet kombëtare e ndërkombëtare, në fushë të artit dhe të kulturës, por edhe si një nxitje e dialogut ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve. Që prej krijimit e deri më sot, kur kremtojmë 10-vjetorin e “hapjes dhe të dialogut”, COD-i ka evoluar mjaft dhe është shndërruar në një “brand” jo vetëm shqiptar, por edhe rajonal.

10 vjet COD duken si dje, shumë afër. Ju vini në këtë 10-vjetor si drejtuesja e re e tij, një gazetare me përvojë. Si e pritët këtë emërim?

Për mua ky emërim është një mundësi e jashtëzakonshme për të kontribuar në një projekt që ka një ndikim të madh tek arti dhe kultura. E prita këtë sfidë me shumë përgjegjshmëri, pasi e di rëndësinë e COD-it dhe mendoj se mund të sjell risitë që janë të nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj qendre. Megjithatë, këtë mund ta quaj si vazhdim të punës sime publike në art, prej më shumë se një dekade si gazetare, autore dhe moderatore e programeve të ndryshme kushtuar atit. Të drejtoj COD-in është një nder dhe një mundësi për të kontribuar me idetë dhe përvojën time.

Cila është risia juaj në këtë drejtim në lidhje me zhvillimin dhe drejtimin e COD-it?

Është e gjitha një punë krijuese, që kërkon ide dhe përditësim të vazhdueshëm mbi atë se çka ndodh çdo ditë në të gjitha fushat. Kërkon afrimin e grupeve të interesit, por edhe më tej. Qëllimi im është kjo qendër të jetë e hapur për të gjitha audiencat, pa kufizime, duke krijuar mundësinë që çdokush të ketë hapësirën për të shprehur veten. Puna me artistët është sfidë më vete, por edhe një kënaqësi e jashtëzakonshme. Projektet e reja gjithashtu janë në fokusin tim. Imagjino që brenda një vendi pune të kesh një galeri, një kinema, një bibliotekë gjigande, një instalacion të veçantësite-specific në formën e asaj që është quajtur si “tavolina demokratike” në një sallë mbledhjesh, por edhe një holl protokollar, ku vetë Kryeministri zhvillon takimet e shkëmbehen komunikimet me liderët më të rëndësishëm në botë. Mendoj se rrallë njerëz në botë e kanë këtë fat. Ndihem e privilegjuar.

 

Edi Rama, Kryeministri i vendit, e ka merak këtë qendër. Çfarë mendoni se ai pa te ju? Pra, çfarë vlerësoi ai në çastin që ua ngarkoi këtë detyrë?

Mendoj se Kryeministri ka vlerësuar përvojën time në gazetari, aftësitë e komunikimit dhe angazhimin tim si figurë publike në lëmin e artit. COD-i ka një mision të rëndësishëm dhe mendoj që ai ka besuar se unë mund ta vijoj me përgjegjshmëri punën e ngritur ndër vite nga COD-i, por edhe ta drejtoj atë në rrugë të reja me më shumë rezultate pozitive dhe veprimtari krijuese. Ndihem një drejtuese me përgjegjësinë më të lartë që një“menaxhere arti” mund të ketë, duke pasur në të njëjtën godinë, një Kryeministër artist. Më besoni se nuk e kam të lehtë të jem në syrin e tij, me një ndjeshmëri të lartë, për të bukurën dhe artin. Por po ashtu ndihem e lirë në maksimum të bëj punën time ashtu siç e mendoj. I jam mirënjohëse Kryeministrit për besimin, për mbështetjen dhe për frymëzimin.

 

 

 

A konsultoheni me të dhe cilat janë këshillat apo kërkesat që ai shtron për të diskutuar?

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur COD-in si një“hapësirë autonome”, me ftesën dhe krahët hapur që të gjitha forcat krijuese të na bashkohen në këtë aventurë të bukur që vijon. Ai ka vëzhgimin dhe vëmendjen e pandashme që puna jonë të shkojë mirë, por nga ana tjetër na ofron edhe lirshmërinë e plotë për të krijuar gjëra të bukura.

Si është z. Rama në marrëdhënie pune? Çfarë e bezdis më shumë në punë, apo nuk e toleron?

Zoti Rama është një lider shumë i angazhuar dhe kërkues, por gjithashtu shumë mbështetës. Është shumë i përqendruar në arritjen e rezultateve dhe në përmbushjen e qëllimeve. Deri më tani nuk kam vënë re pakënaqësi në lidhje me punën, përkundrazi një shprehje të befasive të vazhdueshme për projekte të realizuara me shumë përkushtim. Këtë e ka treguar edhe numri i vizitorëve, që është gjithnjë në rritje.

 

Krahas COD-it, ju drejtoni prej vitesh tashmë dhe “Artkandin”, një emision në Top Channel. Si lindi “Arkandi” dhe sa e vështirë është të realizosh një emision kulture dhe ta mbash prej kaq vitesh, kur e dimë tanimë që interesi për artin nuk është aq i lartë.

“Arkandi” lindi nga pasioni për artin dhe kulturën dhe nga dëshira për të ofruar një platformë, ku mund të promovojmë veprat e artit dhe artistët shqiptarë. Është e vërtetë që interesi për artin mund të mos jetë gjithmonë në nivele të larta, por ne kemi arritur të krijojmë një komunitet të besueshëm dhe të angazhuar. Puna e madhe dhe pasioni për artin e bën këtë projekt të qëndrueshëm dhe të suksesshëm. Kur krijon një emision që i është dedikuar vetëm artit dhe kulturës, përkushtimi dhe pasioni janë çelësat e suksesit. Sfida e këtij emisioni ishte kontributi në tregun e brishtë të artit.Tanimë“Artkandi” ka arritur në 200 episode, ka promovuar qindra artistë, duke shitur qindra vepra arti dhe duke promovuar mijëra të tjera. E gjithë kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa bashkëpunimin me ekranin më të madh dhe më të dashur për shqiptarët, siç është “Top Channel”.

Po “Artkandi”, si ka ecur? A ka interes për veprat e artit? Pas disa vitesh, kam parë se një vepër arti arriti në shumën 35 mijë Euro. A u shit? A shiten gjithmonë dhe cila vepër arti është shitur më shtrenjtë, le ta themi?

“Artkandi” ka ecur shumë mirë gjatë këtyre viteve. Ka pasur interes në rritje për veprat e artit, veçanërisht për ato që kanë një vlerë historike, ose janë krijuar nga artistë të njohur shqiptarë. Po, ka pasur disa shitje me vlera të larta, si një vepër që arriti në 35 mijë Euro. Dhe po, disa vepra kanë arritur çmime të tjera të larta, duke dëshmuar tregun e artit në Shqipëri. Shitjet janë të ndryshme, varësisht nga vlera e veprës dhe kërkesa që ka në treg.

 Si ia dilni t’i realizoni bashkë?

Për të realizuar suksesin në këto dy drejtime, kërkohet menaxhim i mirë i kohës dhe i energjisë. Së pari, është pasioni dhe angazhimi i thellë për ato që bëj. Unë jam e organizuar dhe e përqendruar, dhe arrij të balancoj angazhimet, duke punuar me një ekip të shkëlqyer që më mbështet në të dyja fushat. Kjo është ajo që e bën të mundur menaxhimin e suksesshëm të dy projekteve. Përveç kësaj, unë zgjohem e lumtur dhe e frymëzuar çdo ditë për të bërë më të mirën. Kjo më mbush me energji. Është e thjeshtë. E dua punën time.