To top
12 Pri

Opozita nis zyrtarisht fushatën. Berisha sulmon Ballukun dhe paralajmëron Ramën: Mos prek votën e lirë!

Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” çelën zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit, përmes një mitingu në sheshi “Nënë Tereza”.

Në fjalimin e tij gjatë çeljes së fushatës, kreu i saj Sali Berisha lëshoi akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e paralajmëruar të mos ndërhyjë në procesin zgjedhor.

“Edi Rama, mos prek votën se mbi tokë vend s’do kesh,” tha Berisha, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së votës së lirë të qytetarëve.

Ai bëri krahasime mes përfaqësuesve të PD-së dhe kundërshtarëve politikë, duke u shprehur se “deputetët tanë nuk krahasohen me Lubinë e Bushkat”.

 

Berisha u shpreh besimplotë se më 12 maj shqiptarët do të festojnë me Shqipëri Madhështore, dhe bëri thirrje për largimin e qeverisë aktuale përmes votës, duke e akuzuar atë për dëme të mëdha ndaj vendit. “Bashkë Shqipërinë e dhimbjes, ta kthejmë në Shqipëri të mirëqenies,” përfundoi ai.

 

Le të ndalemi diku tjetër. A nuk menduan se na zhdukën nga faqja e dheut, por ja ku jemi sot më të fortë se kurrë. Sepse ne jemi njerëz të besimit, tek besimi te vlerat, të besimit te liria, të besimit tek familja, të besimit tek Shqipëria, të besimit tek Zoti.

Njerëzit e besimit janë njerëz të pathyeshëm.

Njerëzit e besimit janë njerëzit e të pamundurave.

Ndaj miqtë e mi, 30 ditë kanë mbetur.

Le të harrojmë lodhjen, le të lëmë mënjanë gjumin, të lëmë mënjanë dëfrimin, të gjithë në fushatë nga mëngjesi gjer në darkë.

Kjo është rruga drejt fitores.

Rruga duke trokitur në çdo mendje dhe në zemër, duke takuar çdo të njohur dhe të panjohur, të bindur se Shqipëria Madhështore nuk është një program për pushtetin e Sali Berishës.

Është një projekt për çdo shqiptar, për çdo atdhetar, është nj projekt për çdo njeri që i thotë lirisë, liri dhe dinjitetit dinjitet.

Çfarë kërkojmë ne?

Po kërkojmë që Shqipërinë ta bëjmë të jetueshme.

Po kërkojmë që Shqipëria të krenohet me prodhimet e saj.

Po kërkojmë që të rinjtë e saj të ndërtojnë ëndrrën në Shqipëri dhe jo të ëndërrojnë të ikin nga Shqipëria.

Ndaj dhe le të bëjmë këtë muaj, muajin e përpjekjes të jetës sonë.

Muajin e vendimeve më të rëndësishme të jetës sonë.

Muajin për t’u dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve fitoren.

Me 12 maj të mblidhemi në këtë shesh të festojmë së bashku për Shqipërinë Madhështore, për Shqipërinë që meritojmë.

11 maji është dita e votës së lirë.

Të dashur miq, sirenat e votës së lirë të shqiptarëve po bien në të gjithë Europën.

Një javë në mbarë Europën u gozhdua Edi Rama, u gozhdua narkoshteti.

Zotimi solemn se shqiptarët do votojnë të lirë.

Dhe unë i them Edi Ramës, mos prek votën se në mënyrë absolute mbi tokë vend nuk do kesh.

Jo!

Largohu me votë se i ke bërë të këqija të mëdha këtij vendi dhe këtij kombi.

Po ikën me turp si e keqja më e madh pas Enver Hoxhës në historinë e shqiptarëve.

Ndaj dhe i përshëndes të gjithë ata socialistë që kanë vendosur të bashkohen me ne.

I përshëndes të gjithë shqiptarët që së bashku Shqipërinë e dhimbjes, ta shndërrojmë në Shqipëri normale, Shqipërinë e qetë, Shqipërinë e gëzimit.

Shqipërinë e dhunës dhe terrorit politik në Shqipërinë e lirive politike.

Shqipërinë e zhgënjimit dhe dëshpërimit në Shqipërinë e shpresës dhe besimit. Në Shqipërinë e të ardhmes.