To top
8 Pri

Shuhet ylli i kinematografisë, Margarita Xhepa

Një lajm i trishtë erdhi mëngjesin e kësaj të enjte. Ikona e kinematografisë shqiptare, një yll i cili shndriti përgjatë gjithë jetës së saj, u shua në moshën 91-vjeçare.

Margarita Xhepa, një emër që nuk ka nevojë për tituj, pasi ajo vetë ishte një monument i gjallë i artit shqiptar, mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e këtij 3 prilli në shtratin e spitalit ku prej ditësh qëndronte e intubuar pasi gjendja e saj shëndetësore ishte e rënduar.

Burime për mediat bëjnë me dije se ajo prej kohësh vuante nga një sëmundje në mushkëri, sëmundje e cila fatkeqësisht e “gjunjëzoi” në fund të kësaj beteje.

Margarita, gruaja e fortë me të cilën shumë prej nesh janë rritur duke e parë nëpër filma e teatre, i fali të gjithë shpirtin e saj artit shqiptar.

Me ikjen e saj nga kjo botë, Margarita na ka lënë pas shumë çka. Ajo është përjetësuar në çdo interpretim, në çdo duartrokitje, brohoritje të shqiptarëve, por jo vetëm.

E në këtë mëngjes të trishtë prilli, aktorja la në dhimbje familjarët, kolegët e shumtë, miqtë e pafund e mijëra e mijëra shqiptarë. Newsbomb i shpreh ngushëllime familjarëve e të gjithë atyre që patën fatin të jenë bashkëudhëtarë dhe të njohin Margarita Xhepën në këtë jetë.

Margarita Xhepa, aktorja që do të jetojë gjatë në qindra role të saj! Jeta dhe veprat e Mbretëreshës së skenës shqiptare

Në rrugëtimin e saj të gjatë artistik, Margarita Xhepa luajti me qindra role, i dha jetë personazheve të letrave, të dramës e të historisë. Çdo rol që luante, tregonte jetën e shqiptarëve e çdo lëvizje skenike që bënte ishte pasqyrimi i jetës së mundimshme të mijëra qytetarëve.

Ajo përmes filmave na erdhi si nëna me plot dhimbje, gruaja heroinë, por dhe ajo e thjeshta që mbante mbi supe historinë e popullit të saj.

E sot, në këtë dhimbje që na ka kapluar të gjithëve, i rikthehemi roleve të saj:

Nga viti 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, dega e Dramës.

Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek filmi “Majlinda”, Dafina tek Lumi i vdekur , Filja tek Cuca e maleve , Zonja Mëmë tek Kush e solli Doruntinën , Nëna tek Përballë vetes etj.

Ka qënë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir, dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek Dhelpra dhe rrushtë (Figereido), Lena tek Xhaxha Vanja (Çehov), Ledi Milford tek Luiza Miler, Zonja Berling tek Vizita e inspektorit (Pristli), Zonja Lomen tek Vdekja e një komisioneri, Ana Andrejevna tek Revizori, Marsela tek Qeni i kopshtarit , Mashenka tek Mashenka, Shejla tek Morali i zonjës Dulska, apo Dado tek Elektra e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.

Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë.

Margarita Xhepa ka qenë pjesë e filmave “Vitet e para” , “Gjurmët”, “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë”, “Apasionata”, “Gjeneral gramafoni”, “Rrethi i kujtesës”, “Vitet e pritjes”, “Dora e ngrohtë”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Koncert në vitin 1936”, “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.

Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” . Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.