Nëna e Ajola Xoxës, Valbona Xoxa është paraqitur këtë të mërkurë pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Burime për mediat bëjnë me dije se ajo do të pyetet nga prokurorët e posaçëm lidhur me blerjet e kripura që janë bërë me kartën e saj të bankës, për vilën në Qeret si dhe për të gjitha transaksionet e bëra me kompanitë e të bijës.
Valbona Xoxa është një prej familjarëve që SPAK e ka vënë në hetim në kuadër të procedimit për hetimin pasuror ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Ajo rezulton pronare e disa pasurive të paluajtshme dhe administratore e disa kompanive që pronare “de facto” dyshohet se kanë vajzën e saj, Ajola Xoxën. Gjithashtu nga hetimet e deri tanishme ka rezultuar se kjo e fundit shumë blerje online i ka bërë në emër të nënës së saj, Valbona Xoxës.
Sakaq theksojmë se Apeli i Posaçëm do të shqyrtojë ditën e sotme një tjetër ankimim të bërë nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt.
Ajola Xoxa ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesën për heqjen e sekuestros të disa sendeve të cilat iu bllokuan gjatë një kontrolli të SPAK.
Vendimi për sekuestron është marrë fillimisht në dhjetor, dhe ankues në këtë proces janë Ajola Xoxa dhe shoqëria “Partners Law”.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në seancën e kaluar ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitje” për Ajola Xoxën.
Ajo akuzohet për konsumimin e veprave penale korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të ardhurash, të kryera në bashkëpunim me Erion Veliaj.