Katedralja ikonike e Parisit, Notre Dame, rihapi zyrtarisht dyert më 7 dhjetor, pesë vjet pas zjarrit katastrofik që shkatërroi pjesën më të madhe të çatisë dhe kullës së saj. Ceremonia e rihapjes, e udhëhequr nga kryepeshkopi Laurent Ulrich, u shënua me tri trokitje simbolike në derën e madhe prej druri të katedrales, duke përdorur një shkop të punuar nga një tra i çatisë që i mbijetoi zjarrit. “Notre Dame, model i besimit, hapi dyert për të bashkuar në gëzim fëmijët e Zotit,” deklaroi kryepeshkopi Ulrich gjatë ceremonisë.Restaurimi i ndërtesës 861-vjeçare përfundoi në një kohë rekord prej pesë vitesh, një arritje e jashtëzakonshme duke marrë parasysh që katedrales iu deshën pothuajse dy shekuj për t’u ndërtuar. Ky sukses është parë si një triumf për presidentin francez Emmanuel Macron, i cili shprehu mirënjohjen e popullit francez dhe lavdëroi përkushtimin e të gjithë atyre që kontribuuan në këtë projekt monumental.“Ne e kemi rizbuluar se çfarë mund të bëjnë kombet e mëdha: arrijnë të pamundurën,” tha Macron. “Kjo katedrale na mëson përulësinë dhe vullnetin. Madhështia e saj është e pandashme me punën e çdo individi që ka kontribuar.”Ceremonia tërhoqi liderë botërorë dhe personalitete të shquara, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump, Zonjën e Parë Jill Biden dhe Princin William të Britanisë. Në total, më shumë se 1,500 të ftuar ishin pjesë e këtij tubimi që simbolizon unitetin në një kohë globale ndarjesh dhe konfliktesh.Fillimisht e planifikuar të mbahej në oborrin e Katedrales, ceremonia u zhvendos brenda për shkak të parashikimeve për erëra të fuqishme. Rihapja e Notre Dame është përshkruar si një moment historik që mishëron shpirtin e bashkëpunimit dhe forcës njerëzore.
9
Dhj