To top
10 Kor

NATO e moshuar kërkon ndihmën e blogerëve për t`u lidhur me Gen Z

Ashtu si shumica e 75-vjeçarëve, edhe NATO ka nevojë për ndihmë për të arritur deri tek brezi i ri.

Aleanca ushtarake këtë javë po lufton me tema të tilla si lufta në Ukrainë apo shëndeti i presidentit të SHBA-së. Për të qëndruar aktual në epokën moderne, ajo i është drejtuar një grupi prej 20 blogerësh për të përhapur mesazhin e saj.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut ftoi 16 influencues nga vende duke përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën me ndjekës në TikTok, Instagram dhe platforma të tjera të mediave sociale për të marrë pjesë në samitin e saj në Uashington më 9-11 korrik. 10 influencues të tjerë nga SHBA do të vijnë me ftesë të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes dhe të Shtetit.

Lëvizja është një dorëzim përpara faktit se mediat tradicionale, të cilat po ofrojnë mbulim të samitit, mund të mos arrijnë tek Gjenerata Z.

Kjo gjithashtu tregon se si institucionet e vjetra si NATO duhet gjithnjë e më shumë të mendojnë jashtë kutisë për të forcuar mbështetjen publike – veçanërisht në një kohë kur ish-presidenti Donald Trump dhe republikanët e tjerë janë të idesë që SHBA të shkurtojë shpenzimet për mbrojtjen evropiane.

Aleanca pagoi për shpenzimet e udhëtimit të blogerëve, por nuk ushtron asnjë kontroll editorial mbi postimet e tyre dhe nuk do t’u paguajë atyre një tarifë ekstra për to, sipas zëdhënësit të saj Tom Peyre-Costa.

Ai nuk konfirmoi emrat e infuencuesve të ftuar, por llogaritë zyrtare të mediave sociale të NATO-s paraqesin një video shpjeguese rreth origjinës së aleancës, të rrëfyer nga një 25-vjeçar në rrjetet sociale, Anthony Polcari.

‘Krijuesve do t’u jepet mundësia të marrin pjesë në Forumin Publik të NATO-s dhe të angazhohen me ekspertë të shumtë dhe zyrtarë të lartë të NATO-s dhe aleatë,’ tha Peyre-Costa në një email. Dhe kjo nuk është përpjekja e parë. Një grup krijuesish të përmbajtjes vizituan selinë e NATO-s në Bruksel në prill në 75 vjetorin e saj. Një program i ngjashëm u organizua në vitin 2022.

Polcari tha në një intervistë se ai ishte i ftuar të ndihmonte me videon hyrëse, por nuk ishte në gjendje të bashkohej me programin e influencuesve gjatë samitit për shkak të një konflikti në planifikim. Ai beson se krijuesit e përmbajtjes si ai mund të ndihmojnë në përcjelljen e mesazhit të NATO-s te një brez në prag të marrjes së pushtetit.

“Brezi ynë do të marrë frenat e pushtetit shumë shpejt. Shumë njerëz, shumë më të zgjuar se unë, do ta udhëheqin këtë vend,” tha ai. ‘Unë mendoj se është detyrë e këtyre organizatave që të sigurohen që brezat e rinj të dinë se çfarë bëjnë.’

Organizimi i nevojshëm

Në ambasadën kanadeze në Uashington të martën, një 22-vjeçare Amanda Round u ul në seksionin e mediave duke dëgjuar fjalimin e kryeministrit Justin Trudeau mbi implikimet e sigurisë të ndryshimeve klimatike. Ajo dëgjoi me kujdes, duke marrë parasysh se si t’ua përcjellë ngjarjet e ditës 161,700 ndjekësve të saj në TikTok.

Round tha se anëtarët e brezit të saj nuk konsumojnë me të vërtetë mediat tradicionale, veçanërisht nëse janë me pagesë. Ata priren të marrin informacionin e tyre nga mediat sociale, tha ajo.

Ajo e ka parë dezinformimin të përhapet si flakët dhe e sheh ftesën nga NATO si një mundësi të rëndësishme për të ndihmuar audiencën e saj – kryesisht vajza dhe gra të reja nga 16 deri në 24 vjeç – të kuptojnë rëndësinë e NATO-s.

‘Unë besoj se është një organizim i nevojshëm, padyshim në klimën tonë politike tani për sa i përket mbrojtjes, por edhe për sa i përket kërcënimeve të tjera të mundshme, siç është ndryshimi i klimës,’ tha ajo në një intervistë. ‘Unë do t’i inkurajoja të rinjtë që të angazhohen më shumë me të.’

Grupi prej afro 30 influencuesish në Uashington këtë javë ka një audiencë prej rreth 40 milionë ndjekësish në kanalet e mediave sociale, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në një email.

“Ne e dimë se gjithnjë e më shumë njerëz po lexojnë lajme përmes kanaleve të mediave sociale, duke përfshirë edhe blogerët”, tha zëdhënësi. ‘Gjatë Samitit të NATO-s, ne po angazhohemi me këto zëra për të arritur audiencë shtesë dhe për të shpjeguar rëndësinë e aleancës dhe 75-vjetorit të saj.’