Mikail Papuçiu është një prej piktorëve i cili veprimtarinë e tij artistike e ka shtrirë në vendin fqinjë, Itali. Piktura e tij realiste dallohet për tematikën dritën dhe qetësinë që e zotëron. Papuçiu ekspozon rrallë në Shqipëri dhe kjo është e treta ekspozitë, ku 20 punimet e tij me tematike dhe dimensione të ndryshme janë ekspozuar në hollin e bukur, në zemër të metropolit në zonën me in, ish-Bllokut në ambientet e bukura dhe moderrne të Bankës Credins, aty ku dhe vizitorët janë mjaft të përzgjedhur dhe pse tejet kualitativ. Ka vetëm një javë që kjo ekspozitë është hapur dhe punimet e Mikail-it janë shitur pothuajse të gjitha, gjë që do të thotë se arti i tij përqafohet denjësisht jo vetëm prej blerësit italianë por dhe atij shqiptarë. Në një intervistë ekskluzive piktori Papuçiu vjen në një rrëfim sa interesantë dhe të veçantë për rrugën e tij krijuese që në fillimet e tij e deri më tani…
Z. Papuçiu ju vini në një ekspozitë personale mjaft e veçantë këtu në ambjentet e Bankës Credins përse zgjodhët këtë ambient dhe jo një galeri të mirëfilltë?
Një ditë një zonjë më thirri në shtëpinë e saj për të bërë një restaurim në një faqe muri. Ambientet e saj ishin të mbushura plot me piktura. Dhe duke i parë i thashë: Këta i njoh janë shokë të mi, të shkollës. Më propozoj nëse kisha dëshirë, të hapia një ekspozitë personale, te Banka Credins,dhe pa hezitim i thashë po. Dhe kështu u bë lidhja, me Bankën, pasi bisedova me drejtoreshën dhe pas një diskutimi mbi punën time, më tha po do e bëjmë një ekspozitë personale me ty Mikail. Nuk kam bashkëpunuar asnjëherë me galeritë këtu në Shqipëri. Të them të drejtën nuk njoh asnjë dhe s’jam i interesuar, pasi mendoj se nuk kam arritur atë nivel për të funksionuar bashkpunimi me Galeri të mirëfilltë.
Me sa di unë kjo është ekspozita e dytë e juaja, cila është tema e kësaj ekspozite dhe çfarë punimesh përmban ajo?
Pasi kisha kaluar një kohë të gjatë në Milano, në vitin 2013, u ktheva me një ekspozitë bombastike këtu në Tiranë në Muzeun Kombëtar. Ishte një sukses i vërtet. Ekspozita titullohej “Fugit inreparabile tempus”.
Po të njëjtën ekspozitë e hapa edhe në qytetin e lindjes Fier, ku dhe atje u prit mjaft mirë dhe shënoi një sukses të ri. Kam marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në vende të ndryshme. Ekspozita keto personale por dhe kolektive. Tani pas një kohe të gjatë, kthehem në këtë ekspozitë që titullohet: “Emocion ndiesi”.
Pasione ngjyrash në në një mozaik natyror. Janë gjithsej 20 piktura në vaj në dimensione të ndryshme, ku përfshihen disa zhanre, si kompozim, temë historike me heroin tonë kombëtar Skënderbeun portret, peisazhe dhe natyrë e qetë.
Piktura juaj me sa shoh dhe unë dallohet për ngjyrat, dritën dhe tematikën që ju trajtoni kryesisht peisazhe…
Gjithmonë më ka pëlqyer piktura e kuruar domethënë, e bërë bukur nga ana figurative teknike, kompozicionale, dhe me një domethënie ose motivë.
Kjo është në natyrën time, unë i çoj gjërat deri në fund jam i përpiktë dhe kënaqësia dhe bukuria e gjërave që më emocionojnë dua t’i realizoj ashtu siç janë të pastra, pa i deformuar apo abstraguar.
Ju z. Papuçiu keni mbaruar studimet në Akademinë e Arteve mund të na thoni me cilët artistë keni mbaruar dhe ç’kujtoni nga ajo kohë?
Kam qenë në një periudhë shkolle ku përfshihen dy sistemet ai i diktaturës komuniste dhe më pas, demokracia. Kjo është një fjalë e madhe por nuk do futem në detaje. Kam qenë në klasë me shokë që kanë bërë emër dhe punojnë në tregun e artit shqiptar por dhe jashtë saj. Të parin do citoj Adrian Paci i cili ka qenë dy vite më përpara meje.
Ai është i njohur për artin e tij në mbarë botën. Mund të përmend Helidon Halitin, Gëzim Hidrin, Adrian Cene, Altin Cano, i pagëzuar me emrin Josif, shumë i dashur për mua, i cili jeton për një kohë të gjatë në USA, dhe merret njëkohësisht dhe me ikonografi.
Në vitin e parë, kisha mësues Jorgji Gjikopullin njeri shumë i dashur dhe gjithmonë i qeshur dhe me humor të mirë.
Gazmend Lekën gjithashtu i cili më ka dhënë vizatim vitin e parë ku mësova dhe përfitova nga ai.
Edi Rama jepte histori arti në ato vite, Bashkim Ahmeti, Hasan Nallbani, ky ka qenë brezi që më ka dhënë mësim.
Por tju them të drejtën shkolla e lartë nuk më dha shumë. Eksperiencën time artistike e përfitova në shtetin fqinj si në Greqi dhe më shumë në Itali, Milano ku kam ndenjur një kohë më të gjatë ku dhe nuk jam shkëputur deri më sot.
Punova si restaurator arti në studio Restauratori Formika, një studio private në Milano shumë e njohur. Atje mora një eksperiencë unike, ku gjurmët e saj janë janë të dukshme në pikturat e mia.
Pasi hapa ekspozitën time të parë këtu në Tiranë mu hapën shumë dyer e mundësi për të bërë projekte private dhe shtetërore si psh pikturat murale që ndodhen brenda ambienteve të Bashkisë së Tiranës. Kam dekoruar me piktura murale Ambientet e Akademisë së Hipizmit Kashar, Tavane murale në Radison Hotel Morina, por edhe shumë punime të tjera.
A blihen pikturat sot apo mbetet një luks për një shtresë të vogël te pasurish të shoqërisë sonë?
Pikturat blihen nga të gjitha shtresat dhe nuk është një luks t’i blesh ato.
Është një anë tjetër ajo ku ata që e vlerësojnë dhe e kuptojnë artin më shumë janë një shtresë e vogël, që ndoshta nuk e kanë mundësinë financiare për t’i blerë, për të investuar në vepra arti. Po artëdashës dhe blerës ka shumë.
Si është jeta e një artisti në përgjithësi artistët ankohen mungon tregu, mungon kuratori…
Unë jam një njeri nuk ankohem për agjë. Bën ftohtë dhe vishem më trashë, është e lodhshme, një punë fizike do rezistoj është një periudhë ku bien shitjet në pikturë dhe kërkesat do pres për një kohë më të mirë. Do citojë predikuesin (fjalët e Mbretit Solomon birit të Davidit).
Për çdo gjë ka një kohë të caktuar nga Perëndia.
Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situate ka një kohë nën qiell.
Cili është projekti juaj i radhës?
Nuk bëj projekte falenderoj Zotin për çdo ditë që jam gjallë dhe ja lë Atij çdo gjë në dorë. Nuk më tremb e nesërmja. Nuk kërkoj famë apo pasuri. Thjesht jetoj të sotmen. Po citoj nga bibla fjalët e Krishtit shpengimtarit tim.
“Mos u brengosni pra për të nesërmen sepse e nesërmja do të kujdeset vet për veten. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet”.
Çdo artist ka botën e tij shpirtërore dhe e shikon siç ai e jeton, emocioni që ai ndien çdo ditë dhe këtë realitet e pasqyron në veprat e veta.
Në pikturën figurative gjërat janë më të thjeshta, sepse pasqyrojnë imazhe, reale ose të interpretuara dhe shikuesi përballet me motivimin e pikturës dhe merr ndjesinë dhe emocionin që ajo të jepë. Çdo vepër arti duhet të flasë vet, nuk duhet të të jetë piktori gjithmonë pranë tu shpjegojë shikuesve kuptimin apo domethënien e saj. Njëherë Cloud Monës i bënë një pyetje kur ai hapi ekspozitën e tij me nimfat e famshme se çfarë domethënie kanë pikturat e tua?!
Ai iu përgjigj, se përse kërkoni domethënie në pikturë kur ju mund ta admironi për thjeshtësinë dhe për atë që ajo është .
Mund të kënaqeni thjesht vetëm duke e parë.