Ekspozita provokuese, e Helidon Halitit, “Faksimile” me kurator të atin poetin Faslli Haliti sjell rreth 40 punime në pikturë, kryesisht kompozim, por të shoqëruara me një peizazh onirik, ku janë të pranishme edhe vitet e fëmijërisë, tingujt e së kaluarës, të ndërthurura fort edhe nga e tashmja.
Ekspozita ka shqetësime të botës, si për të thënë se historitë përsëriten, por gabimet dhe fajet nuk duhet në asnjë mënyrë të bien në prehrin e përsëritjes.
Pikturat rrëfejnë për shqetësimin e një armiku, dikur të padukshëm, si Covid-19, dhe të një konflikti të tanishëm me dilemat e artistit, por edhe me pështjellimet e një qytetari, dikur fëmijë, sot piktor, për të thënë se shqetësimet e prindit kuptohen vetëm në momentin kur bëhesh prind vetë, ndërsa burri plotësohet në çastin kur humbet krijuesin e tij.
Deklarata e Helidon Halitit:
“Faksimile” është një koncept që ka zënë fill nga bisedat e mia me poetin Faslli Haliti, i cili është edhe babai tim, njeriu që më ka krijuar fizikisht, por edhe më ka mbrujtur shpirtërisht dhe artistikisht. Ne kemi pasur një ëndërr të përbashkët: Që babai të kuronte një ekspozitë timen, me një koncept fare të thjeshtë, për të vënë në dukje faktin se në të gjitha pikturat e mia gjen pjesë nga lirikat e poezisë së tij, nga shqetësimet e tij sociale dhe altruizmi i padiskutueshëm i tij si njeri.
Por, Faslli Haliti u nda nga jeta tre vjet më parë dhe ky koncept po bëhet realitet vetëm tani. Ekspozita është e përbërë prej copëzash kujtimesh, të cilat unë i quaj “Faksimile”. Janë copëza poezish, figurash – edhe figura të plota, pse jo – copëza shqetësimesh sociale dhe zhvillimesh që kanë ndodhur pas ndarjes nga jeta të babait tim për shkak të Covid19.
Kjo ekspozitë vjen si një plotësim i filozofisë se arti shtegton edhe pa krijuesin, për të thënë se shpirti nuk humbet asnjëherë dhe se komunikimi ynë vijon ende përmes ëndërrash e vargjesh poetike, në një bisedë, e cila zhvillohet prej më shumë se 55 vitesh, edhe pas vdekjes së tij. Poezitë e tij janë si tituj të pikturave të mia, kurse ekspozita është e thurur me përrallat që më ka treguar kur isha fëmijë.