Adrola Dushi ka folur si rrallëherë kohëve të fundit në një intervistë për jetën personale e profesionale. Dhe ka gjasa që daljet e saj të bëhen edhe më të rralla, pasi modelja u shpreh se dëshiron t’i largohet botës së modelingut dhe showt.
“Familjen e kam në SHBA dhe djali është me mamin tim. Nuk jam shumë e çmendur pas punës sime sot sepse sot më është kthyer vetëm në punë. Atë që doja e mora më herët, sepse erdhi herët dhe shumë vrullshëm. Kam kohë që jam në fazën e mendimeve se ku do vendosem përfundimisht. Kjo jeta në lëvizje nuk është fort e bukur. Kam dëshirë t’i largohem pak botës së modelingut dhe gjithë showt. Nuk po më përmbush. Po shkoj drejt biznesit. Dua të zhdukem dhe mos të varem nga ‘liket’ e askujt. Mbase tingëllon e shëmtuar, por gjithmonë duhet të jesh në duart e disa njerëzve…”-tha ajo në një intervistë në “Wake Up”.
Duke u ndalur te i biri, Adrola ndau me njerëzit një bisedë shumë të ndjerë mes tyre. Ajo tha se pak ditë më parë Troi i ka kërkuar falje duke i thënë se ka gabuar me të.
“Nuk ka dy javë që ka ndodhur diçka shumë e rëndësishme për mua me Troin. Kam shfajsuar veten dhe kam thënë “O zot, shyqyr u rrit Troi të më kuptojë.” Sepse gjithmonë jam trembur mos ndoshta do më paragjykojë, si do e pranojë se si erdhën gjërat. Para disa ditësh i tregova fotot e një ditëlindjeje të vështirë që kemi kaluar disa vite më parë kur unë erdha nga SHBA dhe Troi nuk më donte pranë. Më injoronte shumë keq. “O mami, të lutem më fal se unë kam gabuar shumë me ty. Ti erdhe për mua, unë u solla keq. Ti nuk ke asnjë faj”- më tha. Sa e lumtur u ndjeva. Nuk po u besoja veshëve”.- rrëfeu Adrola.
Modelja nuk u ka shpëtuar as pyetjeve për jetën personale. E pyetur se “kur do e veshë fustanin e nusërisë” ajo nuk e dha një përgjigje konkrete, por u shpreh se familja është gjëja që do më shumë në jetë.
“Familja është gjëja që unë dua më shumë në jetën time. As karriera, asgjë në botë nuk duhet më shumë se familja”- u përgjigj ajo.