To top
9 Sht

Shuhet Mbretëresha Elizabeth II

Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II, ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare.
Mbretëresha vdiq paqësisht në Balmoral pasditen e sotme”, njoftoi Pallati Mbretëror.

Shëndeti i Mbretëreshës u përkeqësua ditën e sotme gjatë një vizite të saj në Skoci. Elizabeth II është monarkia më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, duke mbretëruar për 70 vite.

Mbretëresha ndërroi jetë në kështjellën Balmoral në Skoci. Të gjithë anëtarët e familjes mbretërore u mblodhën aty me urgjencë gjatë pasdites së sotme, pasi Pallati Mbretëror njoftoi zyrtarisht për përkeqësimin e shëndetit të Elizabeth II.

 

Me vdekjen e saj, vendin në zi do ta udhëheqë djali i saj i madh, ish-Princi i Uellsit, Charles, i cili do të jetë Mbreti i ri dhe kreu i shtetit për 14 mbretëritë e Komunuelthit.

Kujtojmë se bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeth II, Princi Philip u nda nga jeta në moshën 99-vjeçare në Prill të vitit 2021.

Charles është Mbreti i ri

Princi Charles, djali i madh i Mbretëreshës Elizabeth II, është tashmë Mbreti i ri i Mbretërisë së Bashkuar.

Ai ngjitet në fron pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II pasditen e së enjtes (8 Shtator 2022) për shkak të problemeve shëndetësore.

Ministrja Xhaçka mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 96-vjeçare të Mbretëreshës Elizabeth II.

Në mesazhin e ngushëllimit, ministrja Xhaçka vlerëson Mbretëreshën si një nga figurat më të respektuara të botës.

“Me dhimbje mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth. Gjatë mbretërimit të saj 70-vjeçar ajo dhe udhëzime, motivim, vizion dhe stabilitet për Mbretërinë e Bashkuar, një figurë respekti dhe adhurimi për pjesën tjetër të botës. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes mbretërore dhe qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

“Lamtumirë Mbretëreshë”, Rama shpreh ngushëllimet për vdekjen e Elizabeth II

“Lamtumirë Mbretëreshë“, janë këto fjalët që Kryeministri i vendit Edi Rama ka zgjedhur për të shprehur ngushëllimet për ikjen nga jeta të Mbretëreshës së Britanisë së Madhe, Elizabeth II.

Postimin Rama ka zgjedhur ta shoqërojë me një foto të Mbretëreshës Elizabeth bardhezi.

Begaj mesazh ngushëllimi për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II: Do kujtohet me respekt dhe admirim

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth II. Përmes një postimi në Twitter, Begaj shkruan se Mbretëresha Elizabeth II do të mbahet mend gjithmonë me shumë respekt dhe admirim.

“Ngushëllime të ndjera Familjes Mbretërore, popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Komonuellthit për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II. Ajo ishte një mbretëreshë me zemër të madhe, forcë e kuraje te jashtëzakonshme dhe do të kujtohet gjithnjë me respekt dhe admirim”, ka shkruar në Twitter Presidenti i Republikës Bajram Begaj.

Me vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, vendin në zi do ta udhëheqë djali i saj i madh, ish-Princi i Uellsit, Charles, i cili do të jetë Mbreti i ri dhe kreu i shtetit për 14 mbretëritë e Komunuelthit.

Trashëgimtari i ri për fronin e Mbretërisë së Bashkuar

Princi William është tashmë i pari në radhë për të marrë fronin e Mbretërisë së Bashkuar. Pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, Mbreti i ri tani është babai i tij, Princi Charles. Kështu që trashëgimtari i pari në radhë për t’u bërë mbret pas Charles, është djali i tij William.

Princi William nuk bëhet automatikisht Princi i Uellsit pasi ky titull dhurohet nga monarku, por është Duka i Cornwall dhe gruaja e tij Catherine është Dukesha e Cornwall. Pas Princit William, në linjën e pasardhësit është fëmija i tij më i madh, Princi George. 9-vjeçari tani është i dyti në radhën e fronit mbretëror.

Mbreti i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Charles lëshon një deklaratë

Djali i madh i Mbretëreshës Elizabeth II është tashmë Mbreti i ri i Mbretërisë së Bashkuar. Pak minuta më parë, Familja Mbretërore ka lëshuar një deklaratë në emër të Charles.

“Vdekja e nënës sime të dashur, Madhërisë së saj, Mbretëreshës, është momenti më i trishtë për mua dhe për të gjithë anëtarët e familjes time. Ne po e vuajmë shumë vdekjen e sovranes dhe nënës shumë të dashur. Unë e di që humbja e saj do të ndihet në të gjithë vendin dhe nga njerëz të shumë në mbarë botën. Gjatë kësaj periudhe zie dhe ndryshimi, familja ime dhe unë do të ngushëllohemi dhe do të mbështetemi tek dashuria e madhe për të cilën Mbretëresha e kishte për të gjithë.”

Kryeministrja britanike: Mbretëresha Elizabeth II, shkëmbi mbi të cilin u ndërtua Britania moderne

Kryeministrja e Anglisë Liz Truss thotë se vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II është një tronditje e madhe për kombin dhe për botën.

Në një deklaratë, Kryeministrja Truss e konsideroi Mbretëreshën si një shkëmb mbi të cilin u ndërtua Britania moderne.

“Britania është sot një vend i madh për shkak të saj”, tha Kryeministrja.

Truss u shpreh se Elizabeth II ishte frymëzim personal për të, si dhe për shumë britanikë.

Kryeministrja shtoi se Mbretëresha Elizabeth II la pas në trashëgimi të madhe.

“Sot kurora i kalon, siç ndodh prej më shumë se 1 mijë vitesh, monarkut tonë të ri, kreut tonë të ri të shtetit, Madhërisë së tij Mbretit Charles III. Me familjen e Mbretit ne vajtojmë humbjen e nënës së tij. Ne i ofrojmë atij besnikërinë dhe përkushtimin tonë, ashtu si nëna e tij na është përkushtuar për një kohë të gjatë”.

Kryeministrja Liz Truss përfundoi deklaratën duke thënë: “Zoti e ruajtë Mbretin”. 

Ylberi mbi Pallatin Buckingham pak çaste përpara se të shpallej vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II

Në orën 18:30, Pallati Buckingham njoftoi se Mbretëresha Elizabeth II  “vdiq paqësisht në Balmoral këtë pasdite”.

Shumë nga ata që u mblodhën jashtë portave të Pallatit Buckingham shpresonin se fenomeni, i cili u shfaq pasi retë e errëta dhe reshjet i lanë vendin ndriçimit të diellit, ishte një shenjë e një lajmi të mirë që do të vinte. Por të tjerët nxituan të vënë në dukje simbolikën prekëse, atë të shfaqjes së ylberit.

Flamuri në Buckingham Palace u ul në gjysmështizë pasi lajmi i ndarjes nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II në orën 18:30.

Një numër i atyre që ishin grumbulluar jashtë portave filluan të qanin dhe të bënin fotografi.

Berisha: Dielli nuk lind më për Mbretëreshën Elizabeth II

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet për Mbretëreshën Elizabeth II e cila u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare.

Në mesazhin e tij të ngushëllimet, Berisha thotë se Mbretëresha Elizabeth II ishte një nga personalitetet më të respektuara të botës dhe që punoi për stabilitetin e Britanisë së Madhe.

MESAZHI I NGUSHËLLIMIT I SALI BERISHËS:

Dielli nuk lind më për Mbretëreshën Elizabeth e II.

Të dashur miq, Elizabeth e II, Monarkja që mbretëroi më gjatë se kushdo në historinë mbretërore të Britanisë së Madhe, plot 70 vjet, ku udhëhoqi me ndere, përkushtim e dinjitet e solli mbi të gjitha stabilitet e prosperitet për vendin e kombin e saj, mbylli sytë përgjithmonë duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme vlerash mbretërore e njerëzore, një devotshmëri e integritet të pashoq që do të mbahet mend në kohëra.

Mbretëresha Elizabeth e II ishte personaliteti më i shquar dhe më i dashur e cila me virtytet, mençurinë dhe devocion 70-vjeçar në shërbim të kombit, mbretërisë të saj dhe paqes në botë u shndërrua në një nga personalitetet më të respektuara dhe më fisnike e të dashura të kohës.

Unë kam patur rastin të pritem në Pallatin e Buckingham në audiencë të veçantë nga Madhëria e saj si president i Shqipërisë. Mbeten të paharruara për mua vlerësimi i saj për përmbysjen e diktaturës staliniste në Shqipëri dhe përpjekjet e shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë. Në vitet e mëvonshme përsëri jam takuar në pritje ceremoniale të shtruara nga Madhëria e saj.

Duke shprehur vlerësimin tim më të lartë dhe nderimin tim më të thellë për këtë Zonjë të madhe të nderuar në mbarë botën shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Madhërisë së tij Mbretit Charles, familjes mbretërore dhe subjekteve të Madhërisë saj dhe lutem që shpirti i saj i madh të gjejë paqen e amshuar. Amin.

/tvklan.al