Java me katër ditë punë po fillon të kthehet në një trend, me disa programe pilot që po zhvillohen në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, SHBA, Kanada dhe Australi.
Gjatë periudhave gjashtëmujore midis shkurtit dhe nëntorit, punonjësit në biznese të ndryshme që janë bërë pjesë e këtyre programeve po punojnë vetëm 80% të kohës së plotë, por vazhdojnë të marrin 100% të pagës dhe të përfitimeve të tyre.
Përmes këtyre skemave, të cilat po drejtohen nga koalicioni jofitimprurës 4 Day Week Global, mendohet se do të përfitojnë të gjithë, duke rritur produktivitetin e punonjësve, duke përmirësuar ekuilibrin punë-jetë dhe nivelin e kënaqësisë së punonjësve, si dhe duke reduktuar papunësinë.
Por, a mos vallë e gjithë kjo nismë është shumë e mirë për të qenë e vërtetë?
Megjithëse shumë kompani mund ta shohin këtë nismë si një alternativë më të mirë se java me pesë ditë punë, ka disa arsye pse ky koncept ka nevojë për studime dhe debate të mëtejshme, përpara se të diskutohet seriozisht për zbatimin e tij.
Problemi i produktivitetit
Java me katër ditë punë nuk ka gjasa që ta rrisë produktivitetin, me përjashtim të rasteve kur ai është realisht i ulët. Shtete të tilla si Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar kanë tashmë një produktivitet shumë të lartë të punonjësve, të matur si PBB për orë pune.
Në fakt, produktiviteti i Irlandës është ndër më të lartit në botë, duke arritur në 125 dollarë për orë pune në vitin 2019.
Dhe, megjithëse ka pasur shumë diskutime rreth produktivitetit në Mbretërinë e Bashkuar, e cila po mundohet të ruajë ritmin e shteteve të tjera të mëdha, ai mbetet ende shumë i lartë në terma të përgjithshëm, me 54 dollarë për orë pune. Shifrat ekuivalente të Kinës dhe të Indisë janë përkatësisht 11 dollarë dhe 8 dollarë për orë pune.
Edhe thjesht për të ruajtur këto nivele të produktivitetit duke punuar katër ditë në javë, punonjësit do të duhet të rrisin ndjeshëm prodhimin për orë pune.
Kjo sepse PBB-ja totale do të bjerë nëse të gjithë punojnë 20% më pak. Në vitin 1988, Japonia reduktoi javën e punës nga 46 në 30 orë.
Produktiviteti nuk u rrit mjaftueshëm për të kompensuar këtë reduktim të orëve të punës dhe, si rrjedhojë, prodhimi ekonomik nga viti 1988 deri në vitin 1996 ishte 20% më i ulët sesa do të kishte qenë po të mos kishte ndodhur ky reduktim.
Vende të tilla si Irlanda ose Mbretëria e Bashkuar do të duhet të zbatojnë praktika të ashpra për të pasur produktivitetin e nevojshëm nga java me katër ditë punë. Këto praktika mund të përfshijnë edhe nevojën për të punuar më shumë orë në ditë se më parë. Kjo gjë do të rriste nivelet e stresit, numrin e aksidenteve në punë, etj.
E vërteta për sa i përket lumturisë
Pretendimet se ne të gjithë do të ishim më të lumtur duke punuar katër ditë, nuk marrin në konsideratë teorinë e rutinës hedonike, sipas së cilës, lumturia shtesë e përhershme është thjesht një mirazh.
Njerëzit mund të ndihen më të lumtur, për shembull, përgjatë një periudhe gjashtëmujore. Por në afatgjatë, ata me siguri do të riktheheshin te niveli i mëparshëm i lumturisë.
Në vitin 2000, Franca reduktoi javën e punës nga 39 në 35 orë për firmat e mëdha. Një vlerësim i mëvonshëm doli në përfundimin se ky reduktim i orëve të punës nuk kishte arritur të përmirësonte lumturinë e punonjësve.
Rutina hedonike shpjegon arsyen pse shumë pensionistë rikthehen në punë ose pse fituesit e lotarisë vazhdojnë të punojnë. Ose, në rastin e Francës, arsyen pse shumë punonjës gjetën punë të dyta ose lëvizën drejt firmave më të vogla. Kjo është gjithashtu arsyeja pse, të paktën, java me katër ditë punë do të duhet të provohej për periudha më të gjata se vetëm gjashtë muaj.
Disa do të vuajnë nga ky ndryshim
Java me katër ditë punë mund të përkeqësojë nivelin e pabarazisë në punë. Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar tashmë po vuajnë nga fenomeni i polarizimit të tregjeve të punës, që do të thotë se raporti i vendeve të punës të rangut të mesëm ndaj atyre të rangut të ulët ka rënë përgjatë dekadave.
Java me katër ditë punë do të sillte një variant tjetër të këtij problemi. Njerëzit që punojnë katër ditë në javë dhe që paguhen vetëm për këto katër ditë pune, papritur do ta gjejnë veten e tyre duke bërë të njëjtën punë për një rrogë më të vogël sesa ata që sapo kanë patur një reduktim të ditëve të punës.
Gjithashtu, punonjësit në moshë më të madhe do të jenë në disavantazh nga nevoja për të bërë më shumë në një periudhë më të shkurtër kohore. Kjo ndodhi në SHBA, kur java mesatare e punës u reduktua gjatë Depresionit të Madh nga rreth 48 orë në 41 orë.
Paragjykimet për punët me kohë të pjesshme
Ekziston një lidhje e fortë midis uljes së orarit të punës dhe rritjes së punësimeve me kohë të pjesshme. Kjo për shkak se, pasi numri i orëve të punës të punonjësve me kohë të plotë të reduktohet, kompanitë duhet të punësojnë staf me kohë të pjesshme për t’u siguruar që output-i të mos bjerë, veçanërisht në sektorin e shërbimeve.
Megjithatë, punët me kohë të pjesshme kanë përgjithësisht paga më të ulëta dhe kontrata të përkohshme pune. Prandaj, rritja e punësimit me kohë të pjesshme do të sillte reduktimin e të ardhurave në përgjithësi.
Kjo do të rriste gjithashtu pasigurinë në punë dhe mund të përkeqësonte produktivitetin. Megjithëse të dhënat rreth produktivitetit janë mjaft të kufizuara në këtë aspekt, nuk ka gjasa që ai të rritet duke pasur parasysh se firmat investojnë më pak te punonjësit me kohë të pjesshme. Kjo kryesisht për shkak të faktit se këta punonjës rrisin kostot e kompanive.
Ulja e papunësisë?
Një nga përfitimet e supozuara të reduktimit të javës së punës është ulja e papunësisë. Kjo ishte arsyeja pse java e punës u reduktua në SHBA në vitet 1930, gjë që ishte e arsyeshme, duke pasur parasysh se papunësia ishte 25% në vitin 1933.
Sot, papunësia në Mbretërinë e Bashkuar është 3.7%, niveli më i ulët në më shumë se 20 vite. Në Irlandë është 4.7%, ndërsa papunësia afatgjatë është vetëm 1.2%, një shifër a papërfillshme. Siç shkruante edhe Irish Times, kohët e fundit: “Ka shumë vende të lira pune në Irlandë, por ku janë punonjësit?”
Kur tregjet e punës janë kaq të kontraktuara, do të ishte e çuditshme të zvogëlonim ofertën duke reduktuar orët e punës për ?dokënd (përveç skenarit kur punonjëist do të arrinin të ishin po aq produktivë sa kanë qenë në javën me pesë ditë punë).
Një reduktim i tillë do të përkeqësonte mungesën e fuqisë së punës. Gjithashtu, një masë e tillë do të sillte edhe probleme për financat publike. Për shembull, shërbimet e shëndetësisë do të kishin nevojë për më shumë staf, duke rritur kështu faturën e pagave.