Kreu i PD, Lulzim Basha ka publikuar një video ku ai flet për vetingun në politikë.
Gjatë fjalës së tij, Basha thekson se pastrimi i politikës nga krimi e korrupsioni është interesi i të gjithë shqiptarëve.
Me “llum”, Basha la të kuptohej gjithë klasën politike të 30 vjetëve të fundit. Ai e ravijëzoi se shumë politikanë kanë ndryshuar parti. Të tjerë kanë bërë lëvizje të ndryshme. Por, ajo që nuk ka ndryshuar sipas kryedemokratit, është fakti se ata e kanë përdorur politikën për t’u pasuruar paligjshmërisht.
“Është interesi i të gjithë shqiptarëve, i socialistëve dhe i demokratëve të thjeshtë, që politika të pastrohet nga llumi i tranzicionit, nga njerëz që këto 30 vjet pavarësisht siglës politike që kanë mbajtur, nganjëherë e kanë ndërruar, nganjëherë kanë dalë me sigla të reja, kanë përdorur politikën për tu pasuruar paligjshmërisht dhe ç’është më e keqja, kanë futur në politikë llumin e shoqërisë, krimin e organizuar. Kanë shkatërruar konkurrencën në treg që është themeli i zhvillimit të ekonomisë dhe punësimit, duke fuqizuar një grusht njerëzish, vetëm e vetëm sepse ndajnë me ta favore, privilegje, pushtet dhe para, në kurriz të qindra-mijëra sipërmarrësve të ndershëm”, shprehet Basha.