Gledis Nano do të marrë postin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Ardi Veliut një ditë më parë.
Mësohet se emërimi i anos në krye të Policisë së Shtetit është firmosur nga vetë kryeministri Edi Rama dhe zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, ndërsa propozimi ka ardhur nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.
Gledis Nano ka marrë certifikatë vlerësimi nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, kur asokohe mbante postin e Drejtorit të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit. Vlerësimi i tij u bë pas operacioneve antiterror të përbashkëta me amerikanët të drejtuar nga Gledis Nano.
“Për partneritetin e jashtëzakonshëm dhe dedikimin në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Tiranë Shqipëri, dhe përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit. Vendosmëria juaj dhe përkushtimi në luftën kundër terrorizmit ka sjellë kredite të mëdha e të shtuara tek vetja juaj edhe për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Policinë e Shtetit. Gledis Nano,Faleminderit, Ambasador Yuri Kim,” thuhet në certifikatën e dorëzuar nga Yuri Kim për Gledis Nanon.
Kujtojmë se dje dha dorëheqjen Ardi Veliu nga posti i Drejtorit të Përgithshëm të Policisë së Shtetit. Veliu është vënë disa herë nën akuza lidhur me trafikimin e narkotikëve dhe dhunën ndaj qytetarëve në protestat kundër qeverisë.