To top
29 Sht

‘Lufta’ për komisionet/ Gjekmarkaj: Rama s’do ta ketë të lehtë me ne

Vijon sërish përplasja ndërmjet opozitës dhe mazhorancës për pjesëmarrjen në komisionet parlamentare. Edhe ditën e sotme, ashtu siç vepruan dje deputetët e opozitës janë paraqitur fizikisht në komisione, ndërkohë që nga ana tjetër mazhoranca bën thirrje që ato të futen në platformën online dhe të ndiqen online.

Ndërkohë komisioni i Edukimit dhe i Arsimit ka nisur pa opozitën dhe drejtohet nga zv.kryetari Petro Koçi. Opozita sakaq braktisi mbledhjen pasi sipas tyre mazhoranca nuk u paraqit, sepse nuk do të ballafaqohet me opozitën.

Agron Gjekmarkaj, kryetari i Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, tha se opozita u paraqit në sallën e komisionit, kurse maxhoranca ‘nuk erdhi pasi nuk e duron përballjen’.

“Opozita u paraqit në sallën e Komisionit të Edukimit dhe Medias, – tha Gjekmarkaj, –  në përputhje me ligjet e vendit, u paraqit për të respektuar parlamentarizmin dhe lirinë e fjalës. Gjendemi përpara një situate absurde. Maxhoranca nuk u paraqit sepse nuk e do përballjen me opozitën, nuk duan të diskutojnë për çështjen e arsimit në Shqipëri, për shkollat që mbyllen, për 2 orë mësim në ditë në shkollat shqiptare. Kjo është një qeveri që ka dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, i konvenon të shmangë çdo debat.

Opozita nuk lutet, nuk është e vogël, përfaqëson shumicën e qytetarëve shqiptarë. Ndaj do të jemi këtu për betejë të përditshme, betejë me regjimin. Nuk do ta ketë të lehtë Edi Rama përballjen me opozitën e Shqipërisë. Komisioni nuk u konstitua, por opozita u paraqit që të fillonte normalisht. Pjesëtarët e maxhorancës nuk erdhën sepse kanë urdhër. I bëj thirrje Lindita  Nikollës të mos bëhet çertifikuese e dëshirave të Edi Ramës, po të ndjekë shembullin e Pjetër Arbnorit, të Servet Pëllumbit”, nënvizoi Gjekmarkaj.