To top
24 Sht

Rihapet ‘Gërdeci’/ Gjykata e Posaçme pranon ankimin e SPAK për Fatmir Mediun

Çështja ‘ Gërdeci’ do të rihapet. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar ankimimin e SPAK për vendimin për ish-ministrin Fatmir Mediu.

Për Mediun ishte vendosur pushimi i hetimeve në lidhje me shpërthimin e Gërdecit, por SPAK ankimoi vendimin.

SPAK, u vu në lëvizje për Mediun, pas kërkesës së prindërve të 7 vjeçarit Erison Durdaj, një prej viktimave të shpërthimit. Ish ministri i Mbrojtjes nuk u gjykua kurrë për ngjarjen e rëndë, dhe nuk u thirr as dëshmitar në procesin gjyqësor që përfshiu një numër të madh personash, që nga ushtarakë deri te biznesmenë të angazhuar në çmontimin e municioneve.

Ndaj tij u zhvilluan hetime, dhe Prokuroria e Përgjithshme, një vit pas shpërthimit, në mars të vitit 2009, ngriti akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Lartë.

Por 6 muaj më vonë, Kolegji Penal i kësaj Gjykate vendosi pushimin e çështjes, duke qenë se në gusht të atij viti, zoti Mediu kishte rimarrë mandatin e deputetit, duke rifituar kështu dhe imunitetin. Prokuroria e Përgjithshme nga ana e saj nuk i kërkoi më parlamentit heqjen e imunitetit për zotin Mediu, dhe në këtë mënyrë, dosja nuk u rihap më kurrë.

Në kërkesën e vet, SPAK, argumentonte se për shkak të ndryshimeve ligjore të cilat hoqën imunitetin si pengesë për ndjekjen penale të deputetëve, motivi që çoi në vendimin e Gjykatës së Lartë në vitin 2009, nuk ekziston më.

Njoftimi

Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46, të ligjit 98/2016 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.09.2021, në Gjykatën ePosaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D., u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi, për çështjen penale nr. 212 akti, datë 03.09.2021 regjistrimi, ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe
revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar.